Shtëpia botuese “Besa” bëri prezantimin e librit “Tra gli albanesi dÍtalia” (Mes shqiptarëve të Italisë), një libër nga Eqrem Çabej me studime dhe kërkime rreth arbëreshëve.
Në këtë takim morën pjesë, kuratorja e veprës, albanologia Monica Genesin, albanologu Francesco Altimari, albanologu Matteo Mandalà, gjithashtu e bija e autorit Brikena Çabej dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në faqen zyrtare në ‘Facebook’ të shtëpisë botuese “Besa”.
Eqrem Çabej u mor me botën e Arbëreshëve të Italisë që nga fillimi i studimeve, duke trajtuar temën në tezën e tij të doktoratës me titull “Italo-Albanische Studien” (Studime Italo-Shqiptare), diskutuar në Universitetin e Vjenës më 1932.
Duke shkuar në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve), afër Palermos, për kërkimet e tij të doktoratës, i riu Çabej ra në kontakt me këtë botë unike dhe magjepsëse dhe mblodhi prova të drejtpërdrejta mbi gjuhën dhe kulturën e Arbëreshë.
Në fjalën e saj albanologia, Monica Genesin foli për lidhjen e saj me arbëreshët dhe materialet e shumta që gjenden në librin e Çabej: “Në Salento u krijuan komunitete ku edhe sot ka ende gjurmë, falë dëshirës për të rezistuar, u krijua një bashkësi që nuk u thye kurrë. San Marzano është një nga komunitetet ku ende vazhdon të jetë shumë e gjallë gjuha dhe tradita arbëreshe, sepse ka dhe grupe të rinj që po e kultivojnë ende gjuhën dhe traditën. Në këtë libër të gjithë mund të gjejnë përgjigje shumë interesante rreth kulturës arbëreshe. Dua të ndalem në një term ku shohim një krahasim të fjalës “katona” që lidhet me fjalën katundet që gjendet në të gjitha zonat ku jetojnë arbëreshët. Dua të them që ka shumë detaje që iluminojnë historinë e Arbëreshëve.”
Ky vëllim ofron një koleksion pothuajse të plotë të kontributeve të shumta që Çabej dha gjatë viteve në historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën Arbëreshe, e cila ka qenë gjithmonë një gur themeli i kërkimit të tij shkencor.
“Një falënderim shkon për përkthimin dhe kurimin e kësaj vepre të rëndësishme. Kur bëhen punë të tilla ka nevojë për dikë që të kujdeset, pra për një kurator që i përcjell lexuesit një punë të saktë. Çabej i përket atyre shkrimtarëve që përcjell një interes të çmuar për studime të rëndësishme. Këto kolosë si Çabej kanë lënë sot vepra me shumë vlerë”, u shpreh albanologu Francesco Altimari.
E bija e Eqrem Çabej, Brikena Çabej shprehu mirënjohjen e saj për përkthimin cilësor të veprës: “Këto ditë unë po përfundoj të gjithë librin mund të them se nuk është vetëm një përkthim, por është bërë një punë shumë e mirë dhe mendoja se vetëm ai mund ta bënte kaq mirë atë punë. Çabej thoshte se unë nuk mund ta botoj këtë libër nëse nuk shkoj edhe një herë në Horën e Arbëreshëve në mënyrë që të verifikoj disa detaje të tjera, dhe ndaj ai nuk donte ta botonte. Jam e lumtur që ky libër tashmë mund të lexohet në gjuhën italiane, që është edhe gjuha e parë që ai ka mësuar në shkollë në Gjirokastër. Bota Arbëreshe nga Çabej është zgjedhur mes disa temave, dhe duket sikur vepra e tij u shenjua nga ajo botë pas qendrimit të tij atje, ka qenë si një histori dashurie”.
E pyetur nga albanologia, Monica Genesin se si ishte Çabej si baba, Brikena Çabej shprehet: “Si baba për mua ishte sigurisht babai më i mirë në botë, por privilegjin për ta pasur si baba nuk e pata për një kohë të gjatë, isha vetëm 24 vjeç kur ai ndërroi jetë.”
E pranishme në takim ishte edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri: “Jam e lumtur që jam pjesë e këtij takimi që prezanton një vepër shumë të rëndësishme. Çabej ishte një nga kolosët e gjuhës shqipe meriton sot jo vetëm prezantimin e një prej punëve të tij, por të të gjithë studimeve të tij të rëndësishme. Të tilla takime janë një urë shumë e mirë që bashkon dy vendet tona. Për mua është nder të jem pjesë e këtij takimi”./diasporashqiptare.al