Ajër i palëvizun dhe erna të mshefta që bajnë me mërdhitë ujnat e fundit të kësaj vere. Gjinkallat sharrojnë zhegun e lodhun, ndërsa plepat djalosharë bisedojnë atje në majë, me gjuhën e ndonjë gjethi që s’mbshet ma. Dhe shtati i tyre avullon nëpër zhegun me sytë e picërruem Pjesazhet janë ba të pjerëta dhe malet janë ngjitë në qiell me lehtësi shpijake, ndërsa syni i reshkun kërkon pemët e fëminisë, hijet e përhershme dhe ujnat e fundit të kësaj stine. Gjithçka shtihet përpara nën dorën time që s’mund të zgjedhë dhe hija e saj fort i përngjet melankolisë dhe urave të saj që më lidh me botën. Një diell mizor që ka zenë vend tamam mbi lëkurën time të pambrojtun, ma thith nga mendje karvanin e duerve të sime shoqje që shkojnë të lahen ndër brigjet, ku reh vala e gjakut tim. Kjo dritë e fundit të verës që sytë e si depërton, më rrzon në shpinë, më ngroh, më pështjell me nji lbyrje të madhe e të gjatë, që mue më topit si një dashuni e re e ndryshme dhe e pa përmbajtshme.