Studiues, kritikë dhe botues nderuan në Qendrën Kombëtare të Librit edhe Leximit Arshi Pipën në 100-vjetorin e lindjes. Studiuesi Primo Shllaku teksa ndali tek kontributi i Pipës në letrat shqipe, theksoi se ende dhe sot vazhdon censura ndaj veprës së tij në Shqipëri.
Plot 100 vjet më parë do të lindte intelektuali rebel, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare, Arshi Pipa. Kontributi i tij, si poet, kritik, përkthyes, albanolog, filozof, e mbi të gjitha, si një njeri që nuk iu nënshtrua pushtetit komunist, duke zgjedhur të arratiset së bashku me motrën e tij jashtë vendit u përkujtua në këtë përvjetor në Qendrën Kombëtare të Librit edhe Leximit. Studiuesit Primo Shllaku, Leka Ndoja, Hektor Çiftja, botuesja Irena Buzi edhe nipi i Pipës Plator Kalakula ndalën më shumë në rëndësinë e veprës së tij.
“Pipa ka shumë kohë që është nisur për të ardhur, por më duket se ende nuk ka mbërritur. Se si ndodh kjo gjë, që njeriu niset edhe nuk mbërrin. Kjo është një specifikë e botës shqiptare, e cila ka haraqe të mëdha për të paguar të kaluarën së afërme, edhe stopimit të madh që i është bërë ndryshimeve edhe jetës kulturore”, shprehet studiues Primo Shllaku për “Report Tv’.
“Arshi Pipa krijoi një shkollë të mendimit dhe kritikës letrare, por ajo që shihet si vlerë e Pipës është fakti që krijoi një lloj tjetër modeli të kritikës letrare në kushtet e soc-realizmit. Kemi dy lloj kritikash, një mënyrë sesi kritika i shikonte veprat e asaj periudhe dhe tjetra ishte mënyra se si Pipa, një autor që vinte nga një botë e lirë e pa dhe e studioi letërsinë shqipe”, shprehet Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës së Librit.
Arshi Pipa përreth një dekadë vuajti në burgjet edhe kampet komuniste. Ka botuar “Libri i Burgut”, “Lundërtarët”, “Rusha” antologjia poetike “Meridiana” dhe ka sjell në shqip vepra poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe anglishtja.