Princ Harry, një nga figurat më të përfolura në botë, po përgatitet të botojë një libër me kujtime, të cilin ai e quan “plotësisht të vërtetë”.
Duka i Sussex do të publikojë librin përmes Penguin Random House, në fund të vitit 2022. Botuesi i veprës thekson se princ Harry, për herë të parë, do të ndajë publikisht përvojat, aventurat. Po ashtu edhe umbjet dhe mësimet e jetës që e kanë ndihmuar në formësimin e tij.
“Unë po e shkruaj këtë vepër jo si princi që kam lindur, por si njeriu që jam bërë”, shkroi princi Harry në një deklaratë.
“Jam thellësisht mirënjohës për mundësinë për të treguar atë që kam mësuar gjatë jetës sime. Si dhe ndihem i ngazëllyer që njerëzit do mund të lexojnë një rrëfim e përshkrim të jetës sime. Që është i saktë dhe plotësisht i vërtetë.”
Harry do të dhurojë të ardhurat nga libri i tij për bamirësi. Ai dhe gruaja e tij, Meghan, dukesha e Sussex, janë vendosur në Kaliforni që kur u shkëputën nga familja mbretërore, transmeton ‘a2news.com’.
Dhe së bashku tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje shumëvjeçare prodhimi me Netflix. Që përfshin seri të shkruara, dokumentarë dhe programe për fëmijë.