“Prindërit më dinin të vdekur, fëmijët s’më njohën”/ Historia rrëqethese e mjekut italian në burgjet komuniste

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Nga Afrim Imaj

“Pak vite në Shqipëri, në një periudhë kritike, munda të mësoj mjaft gjëra, ndërkohë që përjetova një kalvar të tmerrshëm vuajtjesh e torturash, prej të cilave shpëtova vetëm rastësisht”. Kështu i përmbledh kujtimet e tij nga Shqipëria Franco Benanti, italiani që erdhi në vendin tonë si mjek në radhët e ushtrisë fashiste dhe u bashkua me forcat nacionalçlirimtare.

Pjesa më e madhe e rrëfimeve të tij i përket periudhës pas 8 shtatorit 1943, kur gjenerali Badoglio shpalli kapitullimin e ushtrisë italiane dhe kalimin e saj në anën e aleatëve.

Mjeku i ardhur nga Apeninet, si pjesë e formacioneve pushtuese, sikurse mijëra ushtarë të tjerë, u bashkua me forcat partizane shqiptare, ndërsa pas lufte kaloi një dramë të dhimbshme me internime, burgosje dhe punë të detyruar, vite agonie, uri, dhunë, brutalitet, tortura, derisa sa më 30 qershor 1948 arriti të kthehej si klandestin në atdheun e tij, Itali.

Ajo që dëshmohet në këto kujtime nuk është vetëm përjetimi i Benantit, por edhe mjaft miqve të tij italianë, me të cilët ndau të njëjtin fat, sidomos gjatë luftës së përbashkët kundër gjermanëve dhe vuajtjeve të regjimit komunist pas lufte.

Ndonëse vinte nga një vend me regjim totalitar, siç ishte Italia musoliniane, dr. Benanti tregon me dhimbje se një dramë të tillë me shumë egërsi, antihumanizëm dhe primitivitet e konstatoi çdo ditë të qëndrimit të tij në Shqipërinë komuniste të pasluftës.

Ai sjell një profil të veçantë të protagonistëve kryesorë komunistë që nga vitet e luftës e deri te Kongresi i parë i Partisë.

Një sërë raportesh e kontradiktash midis liderëve të kohës vijnë në kujtimet e tij nga një vështrim i veçantë. Mbresat nga Plenumi i Beratit, Kongresi i Përmetit, Marrëveshja e Mukjes dhe prapaskenat e thurura në to, përbëjnë një retrospektivë interesante dhe zbardhin të vërtetat e censuruara nga diktatura komuniste.

Pavarësisht subjektivizmit si pjesëtar i një ushtrie pushtuese i një kombësie tjetër, opinionet e dr.

Benantit për Shqipërinë dhe zhvillimet e saj janë interesante, sidomos për mënyrën si paraqesin realitetin e hidhur e tragjik që u përjetua në vendin tonë në vitet e para të pasluftës. Në numrin e sotëm publikojmë peripecitë sfilitëse të mjekut italian për riatdhesimin klandestin të shtëpi.

“Fëmijët nuk më njohën, ndërsa prindërit dhe miqtë, kujton Benanti më dinin të vdekur pasi që nga dita kur isha nisur për në Shqipëri nuk kishin asnjë lajm për fatin tim…”

Farsat e gjyqeve komuniste

Javën e parë të gushtit na nxorën para gjyqit. Një natë para, njeri prej nesh e humbi arsyen, e nisi të lehë si qen. Erdhën dhe e morën dhe s’e pamë më kurrë. Thanë që e vranë. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Thirrën në fillim një kriminel të luftës.

“E pranon fajin?”. “Jo, nuk e pranoj!”. “Nuk ka rëndësi, të gjitha provat flasin kundër teje”. “Provat janë false”… “Qetësi, përgjigju vetëm kur të pyesim…”. Më pas prokurori dha dënimin, me vdekje! Këtë e miratoi edhe gjykata.

Kështu brenda 15 minutave, gjykata dënoi me vdekje një njeri pa të drejtë apelimi. Më erdhi radha mua. Akuzohesha për spiunazh dhe për lidhje me Vatikanin e propagandë reaksionare…

-I akuzuar, a ke për të thënë diçka përse akuzohesh?

Pasi e kuptova, që vendimi për mua ishte marrë tashmë, thashë:

-Faleminderit që ma dhatë fjalën. Akuzat ngjajnë me trillime të fantazisë së dikujt. Këtij i thoni gjyq ju? Nuk kam çfarë të them…

Më quajtën si njeri pa respekt për gjykatën, thanë se janë të bindur për fajësinë time dhe më dënuan.

Komedia vazhdon

Pasi kisha bërë një vit tashmë në burg, erdhi urdhri që të më lironin menjëherë. Shkova në shtëpinë ku kisha bujtur më parë. E zonja e shtëpisë më shihte me frikë, si një burgaxhi. Rashë të fle menjëherë. Kur u zgjova pata një befasi. Omar Osmani kishte ardhur të më bënte një vizitë.

Me vete kishte sjellë disa paketa me ushqime dhe çokollata. Me sa duket, kështu e kishin instruktuar nga lart.

Duhet të shërohesha sa më shpejt që të isha në gjendje të punoja. Pasi u largua kapiteni, pata një vizitë tjetër, nga një vajzë më pak se njëzetë vjeçe, e cila më ftoi në një mbrëmje argëtuese.

“Duhet të njohësh edhe anën e mirë të shqiptarëve”, më sugjeroi ajo.

“Hajde të kërcesh këtë mbrëmje me ne. Harroji kujtimet e këqija!”. Ndenja dy javë pa bërë asgjë. Autoritetet më kishin lënë një kohë për pushim. Gjithsesi, Policia Ushtarake kujdesej për riedukimin tim. Më sillnin materiale propagandistike dhe politike…

Përsëri në punë

Ditët e fundit të gushtit, erdhi urdhri të transferohesha në Tiranë, pranë brigadës së xhenios. Komandant ishte një gegë, ishluftëtar në Spanjë, martuar me një franceze. Zura vend në hotelin e oficerëve.

Gazetat flisnin atë kohë kundër fuqive perëndimore. Flitej për incidentet në kufirin shqiptaro-grek. Më 15 maj bateritë detare të Shqipërisë kishin fundosur dy anije britanike në kanalin e Otrantos dhe vijonin ndihmat ushtarake për partizanët grekë.

Në fillim të 1947 u ashpërsua lufta fraksioniste në gjirin e Partisë Komuniste, midis grupit Hoxha-Spiro dhe filotitistëve Xoxe-Pandi Kristo.

Gjatë atyre 14 muajve, që kalova në Tiranë, u njoha mirë me gjendjen politike të vendit. Regjimi mbështetej në tre shtylla: Partinë, policinë dhe ushtrinë. Socializmi, i reklamuar nga komunistët si barazi midis qytetarëve, mohonte të gjitha të drejtat e individit.

Baza e regjimit s’ishin punëtorët dhe fshatarët, por udhëheqësit e lartë të partisë, funksionarët e Sigurimit, aparatçikët e partisë dhe drejtuesit e ekonomisë.

Ky bllok përbënte sistemin kockor të regjimit. Policia dhe ushtria bënte atë që duhet të bënte koha për ta shoqërizuar popullin shqiptar. Policia politike sajonte gjithnjë komplote për të eliminuar udhëheqjen e vjetër dhe për të ndihmuar kupolën e partisë në luftën për pushtet. Mjaft kulakë, pronarë të vegjël tokash u masakruan. Niveli i masave ishte tepër i ulët, në krahasim me atë të funksionarëve të partisë dhe shtetit.

U ndërtuan disa apartamente për funksionarët dhe ushtarakët e lartë, përveç që ishin shpronësuar me mijëra pronarë shtëpish për të futur në to oficerët dhe nëpunësit e regjimit.

Dita e lirisë po afrohej

Më 20 tetor 1947, brigada e xhenios u transferua në Shkodër. Të gjitha materialet për urat, pasarelat, etj., vinin nga Jugosllavia. Por sipas Nako Spiros, këto ndihma ishin të pakta dhe vendi po varfërohej.

Kundër tij u vu fraksioni i Koçi Xoxes, si rezultat Nako Spiro u detyrua të vriste veten, në nëntor 1947. Pas kësaj marrëdhëniet sovjetiko-jugosllave nisën të keqësohen. Por, në janar 1948 Stalini ftoi Gjilasin në Moskë, dhe tha se jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë. Preferojmë më mirë proletarin Koçi, se sa intelektualin Hoxha, tha ai.

Nga ana tjetër Stalini, fshehtas inkurajonte Hoxhën kundër Xoxes dhe jugosllavëve. Kur Tito kërkoi të fuste dy divizione jugosllave në Shqipëri për të mbrojtur atë kundër agresionit të mundshëm grek, Stalini e denoncoi atë në Komintern.

Në mars 1948 shtabi madhor i ushtrisë vendosi ndërtimin e një rruge automobilistike nga Berati drejt kufirit me Greqinë. Brigada jonë u transferua atje, në Vërtop. Këtu m’u krijua mundësia për të shpëtuar përgjithmonë nga ky vend.

Në fillim të qershorit më sollën një oficer shqiptar, i cili pretendonte se ishe i sëmurë. Unë e kuptova që ai simulonte, megjithatë kërkova të shkonte për analiza në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Kur u kthye që andej me analizat negative, ai në inat e sipër më qëlloi me pistoletë, duke më goditur në këmbë. Meqenëse nuk mund të mjekohesha në Shqipëri, më dërguan në Beograd.

Pas disa ditësh atje mësova për prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë e Shqipërisë. Një oficer jugosllav që e kisha pranë krevatit më tha:

Ne e formuam Partinë Komuniste shqiptare, i ndihmuam shqiptarët për ta rindërtuar vendin e tyre. Ja si na e shpërblyen ata, dhe vazhdoi me të shara. Më tregoi disa gazeta shqiptare ku Tito paraqitej si një qen që e tërhiqte me zinxhir daja Sam.

Rashë në lidhje me konsullin italian dhe pas një muaji u nisa për në territorin e lirë të Triestes. Më 3 gusht, mbërrita në shtëpi. Shtatë vjet vazhdoi syrgjynosja ime, kur u nisa isha 28 vjeç, u ktheva 35 vjeç. Ndjeva në damarët e mi bashkë me gjakun, lodhjen e luftës, trysninë e kujtimeve për këto vite të hekurta, plot vuajtje dhe sakrifica, agoni, uri, terror, vuajtje, vuajtje, vuajte.

Kohët e para s’isha në gjendje të tregoja çfarë kisha hequr. Por më vonë e ndjeva për detyrë që t’i përshkruaj këto vite që kalova këtu, duke bashkuar kujtimet e mia me ato të shumë shokëve të luftës dhe vuajtjeve atje.

Komunistët, të shtyrë nga jugosllavët ashpërsonin dita-ditës terrorin

Në vitin 1946 u mbajt plenumi V i KQ të Partisë. Aty sekretari organizativ Koçi Xoxe, përjashtoi nga Byroja Politike Sejfulla Malëshovën, nën akuzën e politikës reaksionare në fushën e jashtme, sidomos atë ekonomike. Malëshova kërkonte të përmirësoheshin marrëdhëniet me perëndimin, të manifestohej tolerancë ndaj klerit katolik, të inkurajohej ekonomia private, të kreditohej biznesi, të motivohej iniciativa e lirë etj. Gjithçka që kërkohej prej tij, binte ndesh me direktivat e këshilltarëve jugosllavë, që dominonin zhvillimet politike në vend.

Po terrori më shumë do të ndjehej në atë kohë ndaj intelektualëve të huaj, që i zuri kjo periudhë në Shqipëri. Për shumëkënd prej tyre do të hapej një dosje, do të fillonte një procedurë persekutimi.

Atë kohë u arrestua prof. Venanzio Lozzi, kirurgu i parë i spitalit të Tiranës, nëpunësit mjekësorë Semproni dhe Armeni, inxhinieri Ludovik Patrassi, drejtor i kantierit të naftës në Kuçovë, dr. Antonio di Marchis, asistent i prof. Lozzit, dr Rummo, mjek civil etj. Akuza e përbashkët ishte “veprimtari kundër regjimit” dhe “sabotazh”, etj.

Prof. Lozzi, që kishte fituar emër të mirë në popullin e kryeqytetit e më gjere, u akuzua për kontrabandë floriri.

E patën lënë të shkonte të vizitonte familjen në Itali, me kusht që të mos rrinte gjatë atje. Sapo u kthye, e arrestuan nën akuzën se “kishte çuar në Itali vlera dhe sende të çmueshme me ndihmën e të shoqes”. Sipas prokurorit, ai kishte futur në barkun e italianëve të operuar sende të çmueshme, si flori, bizhuteri etj. Por, edhe pse në mungesë të provave, atë e dënuan me pushkatim.

Pushkatimi i profesor Venanzio Lozzi me firmën e Enver Hoxhës

Doktor Venanzio Lozzi, ka qenë kirurgu i parë i Spitalit të Tiranës. Ai kishte mbërritur në Shqipëri për të ushtruar profesionin rreth një muaj pas pushtimit italian në Shqipërisë më 7 prill 1939. Gjatë tërë periudhës së luftës shërbeu me përkushtim e humanizëm jo vetëm për ushtarakët e plagosur, por dhe për shumë qytetarë të Tiranës. Në pak kohë fitoi respektin dhe nderimet e komunitetit.

Emri i tij u bë i dashur për shumëkënd prej pacientëve që provuan shërbimin e pakursyer të tij. Fundi i luftës e futi në një tjetër rrjedhë fatin e mjekut duarartë.

Tashmë, komunistët, ata, që erdhën në pushtet pas çlirimit të vendit, nuk do kursenin as kirurgun që kishte rikthyer në jetë me qindra të sëmurë. Për ta profesor Venanzio Lozzi, përtej uniformës fashiste me të cilën kishte mbërritur në Shqipëri, kishte ushtruar dhe veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të profesionit. Akuzat e para e kryqëzuan për kontrabandë floriri, por procesi për ta bërë sa më bindëse veprimtarinë e tij reaksionare, do shkonte më tej. Më shumë se historia e floririt profesor Lozzi-n, do ta rëndonte një tjetër akuzë.

Ajo kishte lidhje me ndihmën e dhënë për arratisje jashtë vendit disa kolegëve të tij, specialistë italianë, të mbetur në Shqipëri, pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha. Bllokimin e specialistëve italianë në Shqipëri e kishin kërkuar krerët komunistë të Tiranës menjëherë pas marrjes së pushtetit, duke e justifikuar se ata duheshin për të rindërtuar ekonominë e vendit.

Organizimi ilegal i specialistëve të mbetur për tu riatdhesuar, përfshiu dhe profesor Venanzio Lozzi. “Venanzio Lozzi ka marrë pjesë aktive në organizimin e arratisjes së grupit të parë të italianëve përbërë nga Canavese, Collessanti, Morgante dhe Saraceni.

Për organizmin e këtij plani pranon të bëjë në shtëpinë e tij mbledhje ilegale dhe vihet në dispozicion të tyre me gjithë makinën e tij…”, shkruhet në vendimin e dënimit. Por tentativa e dytë e arratisjes së një grupi të dytë, në përbërje të së cilit ishte edhe profesor Lozzi, dështoi. Kjo do ta çonte përpara trupit gjykues doktorin duarartë që do të dënohej me vdekje pushkatim. Çuditërisht, vendimi për ekzekutimin e tij mban firmën e Enver Hoxhës me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare dhe Komandantit Suprem. Ishte data 16 gusht i vitit 1946 kur profesor Lozzin e çuan para skuadrës së pushkatimit.

Libri me kujtime i Franko Benanti (1913-1987)

“Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, ky është libri i vetëm që ka botuar Franko Benanti ish mjeku italian që në vitet e luftës u bashka me forcat nacionalçlirimtare. Ai është një prej dëshmitarëve të paktë të luftës dhe të pasluftës antifashiste në Shqipëri, që kanë shkruar për çfarë kanë parë dhe jetuar vetë gjatë atyre viteve të vështira.

Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit.

Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, Bennati shërbeu si mjek në spitalet partizane.

Profesioni i mjekut i dha mundësinë të shtegtonte nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit dhe njëherazi të njihej nga afër me disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare dhe pushtetit komunist të dalë prej saj, duke filluar me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Nako Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.

Benanti risjellë në kujtimet e tij informacione interesante edhe për aspekte e faktorë të tjerë të luftës si situata kaotike e shpartallimit të ushtrisë fashiste apo sakrificat dhe kontributi i atyre italianëve që, pas kësaj, iu bashkuan apo i shërbyen krahut antifashist dhe rindërtimit të vendit, ndërhyrjes jugosllave në politikën shqiptare.

Me aq sa ka parë nga afër, mjeku italian që shërbeu në vitet e luftës zbardh të dhëna konkrete për fillimet e politikës ateiste të regjimit komunist, si edhe represionin e ushtruar ndaj disa prej figurave të klerit katolik./panorama.al

ObserverKult


Lexo edhe:

RRËQETHËSE/ GJATË KOMUNIZMIT: VISHU ME TË ZEZA MOTËR, E DIMË SE NËNA KA NDËRRUAR JETË

Quhej Lirieta. Ajo ishte shumë e bukur, për ne vëllezërit ishte e shenjtë. Ajo ndau ushqimin e saj e të djalit me ne. Kursente që të na sillte ne vëllezërve ushqime nëpër burgje. Ajo sakrifikoi kaq shumë për ne dhe nuk jetoi…”

“Vishu me të zeza motër dhe hajde në takim, e dimë se ka vdekur nëna”, ky ishte teksti i telegramit që mori Lirieta Cani, nga dy vëllezërit e saj të burgosur në Qafë-Bari, në vitin 1988. Lirieta shkonte çdo tre muaj tek secili prej tre vëllezërve të saj, Selimi, Abdyli dhe Fadili.

Tre vëllezërit e saj ishin të burgosur politik pasi ishin arrestuar në tentativë për t’u arratisur jashtë Shqipërisë. Telegrami që mori Lirieta nga vëllezërit ishte pikërisht në momentin kur nëna e tyre kishte ndërruar jetë. Por Lirieta nuk donte t’i lajmërontë të vëllezërit. Shkonte në takime me veshje normale për të mos rënë në sy.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult