Më shumë se 150 muzikantë janë bërë tok në interpretimin e perlave të muzikës operistike në hapjen e edicionit të dytë të festivalit të muzikës vokale, “Prishtina International Vocal Festival”. Të hënën mbrëma në Sallën e Kuqe, vëmendjen e mori “Orkestra e të Rinjve të Kosovës”, që për një orë e 20 minuta, bashkë me korin gjermano-amerikan “GACC” dhe atë të shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” të Pejës, sollën 14 arie operistike. Dirigjimi i kësaj nate i është besuar dirigjentes nga Los Angeles, Linda Horowitz, dhe kolegëve të saj nga Kosova, Edon Ramadani dhe Kushtrim Gashi.
Dirigjenti dhe kompozitori Rafet Rudi ka thënë se me shumë simpati po e përcjell punën e Orkestrës së të Rinjve të Kosovës.
“Nuk është e lehtë për të mbajtur orkestrën në disponim për një program të tillë dhe duhet përshëndetur këtë që po bën Kushtrim Gashi tash e disa vite. Madje, më çudit se si po mundet me i mbledh e me i mbajt në formacion. Shumë qartë, po të kishte pasur më tepër kohë, kjo do të kishte tingëlluar më mirë, por pavarësisht nga kjo është për çdo lëvdatë”, ka thënë ai. Për të fakti se ka instrumentistë të rinj të interesuar është një lajm i mirë pasi që siç ka thënë ai tradicionalisht vendit i kanë munguar instrumentistët.
Kur Rudi thotë se po të kishte pasur më shumë kohë orkestra do të kishte pasur një paraqitje më të mirë, thekson faktin se një program i tillë është përgatitur brenda pesë ditëve.
Kjo është hera e parë që Orkestra e të Rinjve të Kosovës bashkëpunon me festivalin “Prishtina International Vocal Festival”. Dirigjenti i kësaj orkestre, Kushtrim Gashi, ka thënë është i lumtur që koncerti kryesor i këtij formacioni është mbajtur në kuadër të “Prishtina International Vocal Festival”.
Orkestra e të Rinjve të Kosovës, e themeluar para një dekade, ka pesë vjet që në mënyrë tradicionale mban “Kamping Muzikor”. Për 5 ditë punë intensive deri në 8 orë prova, orkestra bashkon mbi 50 të rinj dhe kjo punë rezulton me dy koncerte. Sivjet kampingu është mbajtur prej 1 deri më 5 tetor në kuadër të projektit “Opera Night”, dhe përgjatë kësaj kohe ka ushtruar me korin “GACC”, i themeluar në Gjermani në vitin 1973 nga Ushtria amerikane.
Një ditë para hapjes së “Prishtina…”, Orkestra bashkë me korin gjerman dhe atë nga Peja, me po të njëjtin program kishin mbajtur koncert në teatrin “Istref Begolli”.
Gashi ka thënë se programi me vepra operistike ka qenë i veçantë, por edhe sfidues.
“Të rinjtë kanë përfituar shumë prej këtij kampingu këtë vit pasi që po e potencoj se opera si gjini është shumë e ndjeshme. Përcjellja e solistëve, korit, është një sfidë edhe e orkestrave shumë më të mëdha e lëre më e të rinjve të Kosovës që për herë të parë kanë pasur një përvojë të tillë”, ka thënë ai. Është treguar kritik ndaj punës së bërë, duke shtuar se ka pasur mundësi që koncerti të jetë edhe më i mirë. Por kritikat e tij nuk kanë përfunduar me kaq.
“Më vjen shumë keq, por duhet ta them këtë si protestë që vetëm Kosova nuk e di që kemi Orkestër të të Rinjve të Kosovës. Të gjithë të tjerët e dinë”, ka thënë ai.
Orkestra e të Rinjve të Kosovës, në maj të këtij viti, në Festivalin Evropian Muzikor të të Rinjve, në Neerpelt të Belgjikës kishte zënë vendin e parë. Para dy vjetësh në mesin e 200 shteteve, po aty kishte marrë çmimin e dytë në kategorinë e orkestrave simfonike.
Në repertorin e koncertit të “Prishtina International Vocal Festival” kanë qenë vepra të kompozitorëve të njohur, si Georges Bizet, Jacques Offenbach, Bedrich Smetana, Henry Purcell, Wolfgang Amadeus Mozart, Franz Lehar, Giuseppe Verdi e Richard Wagner. Një eksperiencë e re për të gjithë pjesëmarrësit e ka konsideruar këtë përvojë dirigjentja, Linda Horowitz.
“Kemi punuar shumë me të rinjtë pasi që nuk e kanë njohur muzikën operistike më parë kështu që kjo ishte një muzikë e re për ta. Anëtarët e orkestrës po përpiqen shumë që të bëhen muzikantët më të mirë”, ka thënë ajo. Horowitz ka potencuar entuziazmin e të rinjve që ishin pjesë e koncertit.
“Disa kanë punuar më parë e disa janë fillestarë. Ishte një violonçeliste, e cila është vetëm 12-vjeçare e që ishte shumë e mirë (Bleta Martinaj). Pra të gjithë kanë punuar shumë për të bërë muzikë së bashku”, ka thënë ajo.
Për realizimin e këtij koncerti janë angazhuar edhe këngëtarë të rinj të muzikës vokale.
Sopranoja e re Edina Pllana hapi koncertin me “Overture & Habanesa” nga opera “Carmen” e George Bizet, për të vazhduar arien “La Ci Darem La Mano” nga opera “Don Giovanni” e Mozartit bashkë me baritonin Arbër Maliqi. Sopranoja Rina Kurteshi fillimisht solli “Ach, ich fühl’s, es ist verschwunden” nga opera “Die Zauberflote” e Mozartit, e po nga kjo operë Mirlinda Koci dhe baritoni Lavdim Morina sollën “Bei Männer, welche Liebe fühlen”. Vepra “Unë, Biri yt Kosovë” nga kompozitori shqiptar Feim Ibrahimi e përpunuar nga Edon Ramadani, i bëri këta pesë vokalistë së bashku, shoqëruar nga dy koret dhe orkestra. E njëjta vepër u përsërit në fund të koncertit pas duartrokitjeve të publikut.
Sopranoja Adelina Paloja i konsideroi solistët e rinj vokalë mjaft premtues.
“Sonte ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe përjetim i veçantë të dëgjonim këta solistë të rinj vokalë premtues. E bukura ishte se edhe që ariet e përzgjedhura u interpretuan nën shoqërimin orkestral e që do të jetë përvojë e dobishme për secilin prej tyre. Mbrëmja e sotme dëshmoi që skena jonë lirike dita-ditës po pasurohet me prurje të reja, zëra të bukur e artistë ambiciozë që u shquan secili për ndjeshmëri artistike dhe veçori vokale”, ka thënë ajo.
Drejtori i Festivalit, Hajrullah Syla, ka thënë se me një guxim të madh dhe me punë të madhe i sjellin publikut këtë vit një edicion të këndshëm.
“Ky edicion ishte më i lehtë pasi që ishim sprovuar më parë me realizimin e tij. Por këtë vit ka qenë stresuese sjellja e mysafirëve pasi që kërkesat e tyre dhe ato që ata kanë kërkuar kanë qenë sfiduese për ne”, ka thënë ai.
Nata e dytë e “Prishtina International Vocal Festival”, të martën, mbrëma ka qenë e rezervuar për ansamblin anglez,“The King’s Singers”, Katedralen “Shën Tereza” të Prishtinës. Edicioni i sivjetmë i Festivalit do të përmbyllet të enjten mbrëma me Korin e Filarmonisë së Kosovës në kishën katolike “Shën Ndou”/ koha