Në një konferencën për medie, “Manifesta” ka shpallur datat e hapjes së edicionit të radhës, i cili do të organizohet nga 22 korriku deri me 30 tetor të vitit 2022 në Prishtinë.
Hedwig Fijen, drejtoreshë e “Manifesta”, tha se sivjet ky festival do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal si dhe do të hulumtojë se si mund të transformohet qyteti i Prishtinës.
“Vizioni urban informon mënyrën se si Manifesta 14 do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal por edhe do të hulumtojë se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet duke rimarrë hapësirën publike nga qytetarët e tij”.
Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se presin që me rastin e “Manifesta” të ketë vizitorë të shumtë, derisa tha se ndërhyrjet më të mëdha që duhen të bëhen është te Fabrika e Tullave.
“Po bëhen më shumë se dy vjet qe Prishtina e fitoj të drejtën që të jetë nikoqire e ‘Manifesta’ dhe presim që të kemi shumë vizitorë. Në këtë rast ne kemi menduar se si mund të shfrytëzonim në mënyrën më të mirë këtë mbledhim të njerëzve”.
“Tri betejat kryesore na mbetet Pallati i Rinisë që duhet ta mbrojmë nga deformimet, Grandi dhe në pjesën e Stacionit të Autobusëve”.
Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani tha se Manifesta duhet të shikohet si mundësi që shoqëria të bëhet pjesë integrale e saj, raporton ‘Ekonomia Online’.
“Manifestën e shohim si mundësi qe shoqëria jonë të bëhet pjesë integrale. Manifesta vjen në një periudhe të veçantë kulturore, dhe i ka 103 festivale kulturore”.
Në këtë edicion krahas ndërhyrjes urbane në Fabrikë e Tullave një lokacion i dytë do të jetë në ish-Librarinë Hivzi Sylejmani.
“Manifesta” rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe kanalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëhore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar./EO