Askush nuk e di sesi këto rrethana të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë me COVID-19 do të shënohen në histori. Koleksionimi i fotografive që tregojnë këtë formë të re të përditshmërisë konsiderohet si një formë dokumentimi edhe nga kryeqyteti.
Një mënyrë për të ndërtuar një narrativë mbi pranverën e sivjetme, që doli të jetë e pazakontë. Për këtë Komuna e Prishtinës dhe kolektivi “Andrrat Moderne” në bashkëpunim me artistë, dizajnerë dhe fotografë të qytetit, kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë në garën e fotografisë “Prishtina n’shpi”. Është kërkuar që fotografitë të jenë reflektim i jetës në shtëpi, të pasqyrojnë hapësirat e brendshme, jetën në vetminë apo shoqërinë e katër mureve, njerëzit dhe kafshët me të cilat jetoni, pamjet nga dritaret e shtëpisë dhe emocionet që sjellë përditshmëria në izolim. “Koleksionuesit” janë në kërkim të imazheve të cilat ilustrojnë shtëpinë si ambient të mundshëm pune, loje, muzike, vallëzimi, arti, dashurie, rritje, frike apo agonie.
Të drejtë pjesëmarrjeje në këtë garë, sipas organizatorëve, kanë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës. Pjesëmarrësit duhet të dërgojnë deri në pesë fotografi të shkrepura me mobil apo aparat, në të gjitha formatet e mundshme, deri më 06 maj, në emailin “rrinshpi@prishtina.photos”.
Dyqind fotografitë me të mira të këtij dokumentimi do të publikohen në ueb-faqen “www.prishtina.photos” e kur situata të qetësohet do të promovohen edhe si libër e do të shfaqen për publikun edhe në një ekspozitë. Secili pjesëmarrës i përzgjedhur do të marrë një libër, kurse vendi i parë shpërblehet me 500 euro, i dyti më 300 euro dhe i treti më 100 euro.