Në festivalin e 21 të Filmit Europian që po zhvillohet në Leçe të Italisë, nga 31 tetori deri në 7 nëntor, Shqipëria është prezantuar nga katër projekte kinematografike.
“Delegacioni” nga Bujar Alimani, “Dita zë fill” i Gentian Koçit, “Portret i pambaruar” i Namik Ajazit dhe “Open door” nga Florenc Papas janë katër produksionet e përfunduara kohët e fundit. Filmi “Open Door” është pjesë e konkurrimit së bashku me 11 filma të tjerë europianë, ndërsa të tjerët janë pjesë ë projeksioneve në seksionin e filmit Ballkanik.
Alberto Lamonica i cili është edhe drejtori i festivalit, shprehet se është tepër e rëndësishme që në këtë festival të paraqesim aktualitetin dhe situatën në Europë dhe për këtë arsye edhe Shqipëria duhet të përfaqesohet. “Ne kemi krijuar edhe seksionin e filmit ballkanik ku Shqipëria dhe Mali i Zi e përfaqesojnë këtë rajon më së miri”, u shpreh ai.
Sonte pritet të jetë edhe nata e fundit e këtij festivali të rëndësishëm europian ku do të ndahen edhe çmimet për produksionet dhe kategoritë më të mira./ATSH