Profesor Nexhip Merkuri: Gjuhëtari dhe edukatori

(Nga një studim monografik në proces botimi)

Nga Begzad Baliu

1. Në vend të biografisë

Në një kohë që shumë nga gjuhëtarët shqiptarë me përvojë të gjatë kërkimi e kurorëzimi të veprimtarisë shkencore, po i përmbyllin sintezat e tyre shkencore me thërmia përsiatjesh shkencore apo përmbledhje të teksteve të periudhave të hershme, Profesor Nexhip Merkuri, së fundi po i kurorëzon arritjet e tij shkencore me sinteza të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare dhe madje ballkanike. Të kësaj natyre janë edhe tekstet shkollore e universitare për mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, me interes për didaktikën e mësimnxënies në shkollat shqipe, me të cilat ai ka sjellë përvojën e tij prej disa dekadash në arsimin fillestar dhe universitare.

Nexhip Mërkuri (Këlcyrë, 4 shkurt 1955), mësimet e para i ka bërë në vendlindje dhe ato universitare në Tiranë, ndërsa kontributin e tij prej mësimdhënësi, gjuhëtari e drejtuesi në fushë të mësimdhënies e ka dhëni në vendlindje, qytetin e Përmetit, Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan dhe Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”.

I specializuar për Gjuhësi të përgjithshme, Leksikologji të përgjithshme, Gjuhë frënge dhe ruse në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Tiranë; i specializuar, me grada shkencore e thirrje universitare për gjuhë shqipe në qendrat më të larta akademike e universitare të Tiranës, si: Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Tiranë (1996 – 2004); i doktoruar në gjuhësi (1996); Profesor i asociuar (2004); Profesor i rregullt (2011) Profesor Nexhip Merkuri ndërtoi një karierë të rregullt e të plotë të arritjeve të tij universitare, madje si rrallë të tjerë, që nga nivelet të ulëta të mësimdhënies deri te shkallët më të larta universitare e pasuniversitare.

Le të thuhet këtu në hyrje se pjesë e angazhimeve të tij qytetare, intelektuale, pedagogjike, kulturore e shkencore janë edhe projektet: 1. Kualifikim për metodat e reja në lëndët gjuhë shqipe dhe lexim letrar për mësuesit pa arsimin përkatës (Tiranë, 1996), të cilin e hartoi dhe drejtoi me shumë sukses; 2. Projekti Trashëgimia kulturore e Lumit të Vlorës (2005-2006), në të cilin ishte bashkëhartues; projektit ndërkombëtar Interventi di informacione dell’immagine dell’Albania (2006-2008), në të cilin ishte bashkëdrejtues, si dhe projekti nacional i vlerësuar për hartimin dhe angazhimin e suksesshëm Fjala krahinore dhe prirja në gjuhën standarde, realizuar brenda Universiteti “Ismail Qemali”, 2009.

Përfundime

Profesor Nexhip Mërkuri është njëri prej studiuesve të brezit më të dytë që ka krijuar shkolla shqiptare e viteve ’90 e këndej. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e studiuesve të brezit të tij, që vinin nga qendrat Universitare të rretheve: Ali Jashari (Korçë), Valter Memushaj (Gjirokastër), Petrit Kotrri (Shkodër) etj., fillimisht provoi përgjegjësinë e të qenit mësimdhënës në qytetet dhe shkollat e zonave anësore. Profesor Mërkuri kësaj zeje madje nuk ju nda deri në fund, në shkallët e Universitetit të Vlorës, duke u bërë gjithashtu njëri prej bartësve të mendimit didaktik në mësimdhënien e këtij shekulli. Me mendimin teoriko-pedagogjik të mësimdhënies, me tekstet didaktike të shkollave fillore dhe të mesme, me punën prej edukatori në shkolla dhe në universitet, si dhe me diskutimet e tij për sillabusët e gjuhës shqipe, Profesor Mërkuri e ka përmbushur shumanshëm portreti i tij prej edukatori.

Kërkimet e tij shkencore Profesor Mërkuri i ka filluar në rrethana të një shoqërie në tranzicion, duke marrë nga ajo që ka trashëguar në sinorin kombëtar të gjuhësisë dhe duke vjelë arritjet më të mira të gjuhësisë bashkëkohore. I përkushtuar në kërkimet e zonës së tij të lindjes e të punës prej mësimdhënësi në Përmetit me rrethinë, ai nuk pushoi së kërkuari në teren gjithë pasurinë leksikore e frazeologjike.

Kërkimet shkencore të tij si asnjë studiues i kësaj natyre në fushë të gjuhësisë ai i ka hulumtuar e studiuar në disa rrafshe: në rrafshin leksikor, semantik e frazeologjik; në rrafshin dialektologjik (fonetik, morfologjik, sintaksor e tekstor); si dhe në rrafshin onomastik (antroponimik e toponimik). Përmasa e kërkimeve të tij shkon nga tekstet deskriptive e studimet e thelluara shkencore te monografitë e specializuara e Fjalorët. Nëse studimet janë kryesisht projekte të interesimeve të tij shkencore edhe për paraqitje në konferenca shkencore dhe botime në revista akademike, monografitë e tij përfaqësojnë sinteza të një përvoje të tij të gjata në kërkimet shkencore në projekte të përmasave kombëtare. Nuk është e rastit që studimet e tij teoriko-gjuhësore, historiko-gjuhësore e krahasuese, ai i ka përfshirë në vëllime të veçanta, ndërsa sintezat e specializuara në monografi të fushave përkatëse.

Le të thuhet më në fund se Profesor Nexhip Merkuri, me jetën dhe me veprën, me përkushtimin prej edukatori e prej hulumtuesi, me veprën didaktike dhe me veprën shkencore, gjatë një gjysmëshekulli pune në institucionet shkollore e akademike dhe në tryezën e tij shkencore, e ka përmbushur gjithanshëm portretin e tij prej edukatori e shkencëtari.

Prishtinë, gusht 2024

ObserverKult


Lexo edhe:

REGJISORI DHE SKENARISTI SHQIPTAR FITON ÇMIM NË FESTIVALIN E 48-TË TË FILMIT NË GREQI