Nga Myrvete Dreshaj – Baliu
Në fjalën tonë do të ndalemi në tri paradigma të mendimit kritik të Profesor Rexhep Qosjes: kritikën estetike dhe etike; kritikën shkencore dhe historike, si dhe kritikën shoqërore e moralin politik të saj, të cilat si tërësi mbulojnë konceptin për vetëdijen historike të mendimit të tij. Sikur mund të shihet prej leximit kronologjik të veprës së tij, kritikën estetike dhe betejën për etikën e saj Profesor Rexhep Qosja e ka bërë gjatë viteve ’70; kritikën shkencore dhe mbrojtjen e historisë e ka bërë kryesisht gjatë gjysmës së dytë të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80; ndërsa kritikën shoqërore, duke e shquar moralin politik, e ka bërë gjatë viteve ’90 të shekullit XX dhe viteve filluese të këtij shekulli.
I. Kritika estetike dhe etika
Ndonëse, që në fillimet e tij krijuese, Profesor Rexhep Qosja ka shkruar mjaft për historinë e letërsisë, periudha e parë shquhet për përcjelljen shumë të rregullt të letërsisë bashkëkohore dhe sidomos të mendimit kritik letrar, kulturor, estetik, sociologjik etj. Kjo është arsyeja pse ai sot kujtohet për mendimin kritik dhe madje polemizues rreth letërsisë bashkëkohore shqiptare. Mendimin e tij kritik për letërsinë Profesor Rexhep Qosja e ndërton mbi disa rrafshe: së pari, mbi vetëdijen letrare, e cila ndërtohet në kontekst të përvojës historike-letrare (kujto këtu kritikën për romanin e Kadaresë “Dasma” dhe esetë kundër kritikës konservative, institucioneve klanore, shijes folklorike, anakronike e konformiste etj .); së dyti, mbi vetëdijen kritike, e cila ndërtohet në kërkim të pluralizmit të stileve letrare (le të kujtojmë këtu esenë e tij “Kritika dhe moderniteti”, në të cilën veç tjerash ka shkruar, se “realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm” ; dhe së treti, mbi vetëdijen historike, e cila ndërtohet në zbulimin e vlerave përfaqësuese të historisë së letërsisë shqipe përballë letërsisë së popujve të Ballkanit dhe Europës (kujtojmë këtu krahasimet e Gjergj Fishtës me poetët kombëtarë të këtyre kulturave , studimin krahasues për romantizmin shqiptar dhe romantizmin europian) etj.
Kjo është periudha e mendimit kritik, kur Profesor Qosja përcaktoi disa nga konceptet e tij për ‘artin si komunikim estetik individual dhe intelektual dhe pluralizmin e stileve artistike e metodave kritike, si kusht të lirisë së krijimtarisë’ .
Kulmin e periudhës së parë Profesor Rexhep Qosja e shënon me traktatin “Manifesti i modernitetit” , me të cilin, sikur do ta kuptojmë prej parathënies së librit Tri mënyrat e shkrimit shqip, botuar 25 vjet më vonë, vetëdijshëm e përmbyll periudhën e parë të mendimit të tij kritik për letërsinë, kulturën dhe kritikën bashkëkohorë në letrat shqipe.
II. Kritika shkencore dhe historike
Në qoftë se në periudhën e parë të mendimit të tij kritik, Profesor Rexhep Qosja merret më shumë me kritikën e letërsisë bashkëkohore dhe me esenë sociologjike e letrare përgjithësisht, duke kundërshtuar historicizmin, folklorizmin e mitin për gjuhën, në periudhën e dytë, që përfshinë kryesisht fundin e viteve ’70 dhe gjysmën e parë të viteve ’80, merret me sintezën e madhe, letërsinë e romantizmit, më të cilën Profesor Qosja thotë se “fillon dhe përmbushet procesi i vetëdijesimit tonë kombëtar” .
Është koha kur Profesor Qosja kishte krijuar konceptet e tij të plota për rrjedhat e letërsisë shqipe në kontekstin historiko-letrar dhe merrej prej vitesh me studimin dhe hetimin e zhvillimit të strukturës letrare, njëherë brenda korpusit letrar të autorëve, Asdreni dhe Naim Frashëri , e pastaj edhe të poetikës së plotë letrare të formacionit stilistik të letërsisë së romantizmit , sipas parimeve të poetikës strukturale historike.
Në këtë mënyrë Profesor Qosja Historinë e letërsisë shqipe e nxori nga biografizmi, historicizmi e pozitivizmi. Historinë e letërsisë shqipe, për herë të parë ai e shihte si një tërësi gjeografike, gjuhësore dhe kulturore kombëtare, duke e vendosur brenda saj edhe krijues, sikur ishte Ndue Bytyçi, vepra e të cilit nuk i përmbushte vlerat estetike për të hyrë në një histori të letërsisë kombëtare, në nivel të kësaj sinteze. Botimet e gjeratëhershme të historisë së letërsisë, qofshin ato të botuara para Luftës së Dytë Botërore, qofshin ato të botuara brenda apo jashtë Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX, historinë e letërsisë vazhdonin ta shihnin si strukturë të organizuar kulturore të hapësirave të caktuara, literaturën si dokument historik, ndërsa vlerat estetike të veprave letrare si ide dhe madje si ideologji. Në këtë mënyrë, siç do të thoshte studiuesi Bajram Krasniqi, Profesor Qosja do t’i pajtojë dy vetëdije historike: “vetëdijen e letërsisë, e cila është objekt i saj dhe vetëdijen e tij, me të cilën e përpunon këtë objekt” .
III. Kritika shoqërore dhe morali politik i saj
Tridhjetë vjet më parë, duke u përgjigjur në pyetjen mbi moralin e mendimit kritik, Profesor Rexhep Qosja, veç tjerash theksonte: “Rëndësia e jashtëzakonshme e disa kritikëve sikundër ishin Lesingu, Bjelinski, Françesko de Sanktis, Albert Tibode, Edmund Vilsoni nuk bazohej në metodën sa në ndikimin që ushtronin në letërsinë dhe në kulturën e kohës së tyre; në pastërtinë e pakompromis të gjykimit të tyre, në vendosmërinë me të cilën artikulonin besimin e tyre estetik; në fuqinë morale me të cilën e shfaqnin mendimin e tyre. Të gjithë ata ishin më tepër se kritikë: të gjithë ata ishin të gjithanshëm në aktivitetin e tyre kulturor” .
I nxitur prej përvojës së kritikës letrare të periudhës së parë, prej përvojës së kritikës historike të periudhës së dytë dhe prej rrethanave të kushtëzuara politike të periudhës së tretë, Profesor Rexhep Qosja do të bëhet artikuluesi i mendimit të guximshëm të intelektualit që gjendjen aktuale të shoqërisë shqiptare do ta shikojë në mënyrë kritike, pa kompromisin dhe folklorizmin e rremë, sado idealet e tij ishin ideale historike, ideale të rilindësve shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe ai do të projektojë në mënyrë largvajtëse të ardhmen e popullit shqiptar, duke u nisur edhe nga përvoja kulturore, letrare e historike e njërës prej periudhave më të rëndësishme të popullit shqiptar – Rilindjes Kombëtare, por pa paradigmën romantizuese të saj. Pikërisht në këtë kohë, Profesor Rexhep Qosja do të realizojë komponentën e vetëdijes moderne të intelektualit bashkëkohor, të cilën e kishte deklaruar dekada më parë, e kjo ishte ‘pakënaqësia e përhershme e intelektualit me shoqërinë sot, për hir të shoqërisë nesër’ . Në të vërtetë ky është projeksioni i botës së krijuar nga intelektuali, që vetëdijen letrare dhe mendimin kritik mbi shoqërinë i ka ngritur në statusin e vetëdijes historike.
Për intelektualin, që për të gjallë është bërë sinteza e madhe historike, e projektuar në mendjen kryengritëse të Pjetër Budit, në rrezatimin moral të Naim Frashërit, në refuzimin estetik të Faik Konicës, në përpjekjen hyjnore të Nolit, sot do të mund të shtronim pyetjen: ç’kuptim do të kishte kultura shpirtërore shqiptare pa Budin, Naimin, Konicën, Nolin, dhe do të merrnim përgjigjen: atë kuptim që do ta kishte pa sintezën e tyre, veprën e Profesor Qosjes, dhe vetëdijen historike të tij.
Prishtinë, më 19. 10. 2006
Referencat:
Shih studimet dhe esetë në librin Panteoni i rralluar, “Rilindja”, Prishtinë, 1973.
Për herë të parë këtë mendim Profesor Qosja e kishte shqiptuar në fjalën e tij me rastin e marrjes së shpërblimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën Kontinuitete, më 7. II. 1973, por u botua në librin Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1983, f. 104.
Shih, sidomos studimet dhe esetë në librin Kontinuitete, “Rilindja”, Prishtinë, 1972.
Shih diskutimet aktive dhe madje shpesh polemizuese të botuara edhe në disa nga veprat e tij: Kontinuitete, “Rilindja”, Prishtinë, 1972, Panteoni i rralluar, Morfologjia e një fushate, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1980; Nocione të reja albanologjike etj.
Manifesti i Modernitetit, sikur shkruan në shënimet bibliografike në fund të librit Nocione të reja albanologjike, Profesor Rexhep Qosja, është shkruar në tetor të vitit 1979, por u botua në gazetën “Rilindja”, më 4 dhe 11 nëntor 1982. Ky studim fillimisht i ka prirë librit Nocione të reja albanologjike dhe e ka mbyllë pjesën e dytë të kapitullit “Kritika”, në librin Tri mënyrat e shkrimit shqip (Shkrimi ideologjik, shkrimi folklorik dhe shkrimi modern), IAP, Prishtinë, 2004, pjesë e të cilit, sikur duket ishte planifikuar që të jetë.
Nocione…, f. 305.
Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1972.
Porosia e madhe (Vepra e Naim Frashërit), “Rilindja”, Prishtinë, 1986.
Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi, I-III, “Rilindja”, Prishtinë, 1984-1986.
Bajram Krasniqi, Letërsia dhe vetëdija historike, “Rilindja” Prishtinë, 1984, f. 210.
Nocione…, f. 216.
Shih, veç tjerash studimin “Manifesti i Modernitetit”, në Nocione…, f. 20.
ObserverKult
Lexo edhe: