Shkruan: Begzad Baliu
Profesor Shefki Sejdiu është linguist, romanist, ballkanolog dhe njëri prej personaliteteve më emblematike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
U lind më 8.6.1936 në Albonë (ish-Pakashticë), komuna e Besianës (ish-Podujevës), në Republikën e Kosovës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, Progjimnazin në Besianë, Shkollën Normale në Prishtinë (1956), Filologjinë romane në Shkup (1962) dhe studimet pasuniversitare –Linguistikën e përgjithshme me përqendrim të veçantë në linguistikën romane, në Zagreb (1975), ku edhe u doktorua me temën “Formalna i semantička podudaranja u denominacionim postupcima u fitonimiji romanskih jezika s albanskom i hervatsko-serpskom fitonimijom” (Përkimet formale dhe semantike në proceset emërtuese në fitoniminë e gjuhëve romane me fitoniminë shqipe dhe kroato-serbe) (1985).
Profesor Shefki Sejdiu vjen nga një familje atdhetare dhe me ndikim. Pas Luftës së Dytë Botërore familja tij u përndjek dhe ju morën të drejtat kushtetuese e ligjore, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për të punuar.
Kjo është arsyeja pse në vitet ’50, bashkë me vëllezërit e tij, gjithashtu të arsimuar, punuan në gjysmëilegalitet në fshatrat e rrethit të Kumanovës (1956-1957). Më tej vazhdoi punën mësimdhënës i frëngjishtes dhe i latinishtes në Gjimnazin e Podujevës (1961- 1967) dhe në Gjimnazin e Prishtinës (1967-1972).
Prej vitit 1972 është ligjërues, docent (1985) dhe profesor ordinar (1991) i Historisë së gjuhës frënge me frëngjishte të vjetër dhe i latinishtes pranë Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të Fakultetit (Filozofik) Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Profesor Shefki Sejdiu ka mbajtur ligjërata si profesor i ftuar në disa institucione shkencore: në Universitetin e Sofjes (1987) dhe në atë të Veliko Tërnovo-s të Bullgarisë (1987), në Universitetin e Zagrebit (1990), në Qerthullin linguistik të Zagrebit (1990) dhe në Universitetin e Elbasanit (2000).
Me qëllim hulumtimi dhe thellimi të njohurive teorike qëndroi disa herë për specializim në shumë institucione shkencore të Ballkanit dhe të Evropës: në Universitetin e Grenoble-it (1985); në Universitetin e Parisit (École des Hautes Etudes, Sorbonne III, IV) ku gjatë dy viteve universitare (1971/72 dhe 1974/75), ka përcjellë ligjëratat dhe ka ndjekur mësimet nga Gjuhësia e përgjithshme (dhe aksiologjia) te André Martinet, nga indoevropistika (hetitishtja dhe italikishtja) te M. Bader dhe Michel Lejeune, nga linguistika romane (frëngjishtja e vjetër) te L. Wagner dhe nga semantika dhe linguistika logjike te Bernard Pottier; në Institutin e Linguistikës dhe në Universitetin e Lisbonës (Portugali) hulumtoi dhe studioi çështje të gjuhësisë iberoromane (1978/1979). Njohuri nga ballkanistika mori në Universitetin e Zagrebit, në institucionet e Bukureshtit (1970, 1973, 1978, 1979, 1982) në atë të Sofjes (1987) dhe në Londër (1995) ku bëri hulumtime në fushë të antropolinguistikës dhe të etimologjisë.
Në vend të shkollës filologjike tradicionale, të cilën e kanë ndjekur pjesa më e madhe e albanologëve të Kosovës, Profesor Shefki Sejdiu në Zagreb do të ndjek drejtimin e linguistikës, e cila ishte në kulmin e zhvillimit, në pjesën më të madhe të qendrave të Evropës.
Profesor Shefki Sejdiu në Zagreb studionte gjuhësinë e përgjithshme me përqendrim të veçantë në gjuhësinë romane, ndërsa brenda saj, që nga fundi i shekullit XIX kishte zënë zhvillimi i degëve të reja të semantikës: onomasiologjia dhe semasiologjia, majën e të cilave do ta kurorëzojë etimologu i madh e kohës sonë Wartburg.
Është e kuptueshme prandaj pse në studimet e tij, kur të karakterit monografik e kur të nxitjeve të reja hulumtuese, ai do t’i plotësojë ato fusha të rëndësishme të shkollave dhe dijeve të kohës, pjesë e të cilës do të bëhet si me hulumtimet ashtu edhe me rezultatet shkencore.
Vështirë të gjendet një studiues në fushë të gjuhësisë shqiptare, i cili në studimet e tij të ketë sjellë me kompetencë dhe me ngulmë metodat, modelet dhe arritjet më të reja në fushë të gjuhësisë europiane, që nga vitet ’70 e këndej.
Me veprën e tij ka plotësuar atë pjesë të përfaqësimit të leksikut të shqipes në zonën ballkanike të leksikut roman, pra ai ka thelluar njohuritë për dimensionin e lidhjeve gjuhësore romane-shqiptare dhe vendin e leksikut të shqipes në rrethin ballkanik të kësaj fushe, themelet e të cilës i kishte vënë profesori zagrebas Petar Skok
Profesor Shefki Sejdiu, në komunikimin shkencor përdor (me gojë dhe me shkrim) përveç gjuhës amtare edhe kroatishten dhe frengjishten, kurse literaturën profesionale dhe shkencore e shfrytëzon edhe në latinishte, italishte, portugeze, spanjolle, romane (dhe katalone, sardie, retoromanie), por edhe në anglishte, rusishte, bullgarishte, sllovenishte dhe polonishte.
Profesor Shefki Sejdiu përktheu dhe përshtati tekste të gjuhës frenge për shkollat fillore dhe të mesme dhe recensoi tekste të latinishtes për shkolla të mesme dhe fakultete; është autor edhe i pesë veprave të domenit të onomasiologjisë. Fitonimia shqipe e Kosovës –lënda, ndarja, etimologjia, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1972; Fjalorth etnobotanik i shqipes, Prishtinë 1984; Çështje të onomasiologjisë fitonimike romane dhe ballkanike, Prishtinë, 1989; Sisteme, struktura, raporte (etnolinguistikë), Prishtinë, 2002; Sprova etimologjike, Prishtinë, 2002; (Iliro-arbroro)shqiptarët dhe gjuha e tyre në Universin globalist, “Era”,Prishtinë, 2016; Sprova dhe diskutime, “Era”, Prishtinë, 2019 Mori pjesë me kumtesa dhe ligjërata në dhjetëra tubime shkencore të mbajtura në Kosovë dhe jashtë saj (Prishtinë, Tiranë, Zagreb, Sofje, Zarë, Elbasan, V. Tërnovë, Donji Milanovac).
Profesor Sejdiu ka shkruar një varg veprash e studimesh nga fusha e linguistikës dhe si profil shkencor do të ndërtohet si onomasiolog dhe semasiolog.
Përveç linguistikës, për probleme të ndërlikuara, Profesor Shefki Sejdiu do të vë në shërbim edhe elemente të antropologjisë dhe të logjikës, ndërsa nga aspekti metodologjik do t’i mbetet besnik metodës deduktive.
Ai është studiues i diakronisë romane, ku shqipja zë vendin e merituar dhe komparativist në fushë të linguistikës, i cili i ka munguar shkollës shqiptare. Tashmë dihet se gjuhësia shqiptare studimet komparative i ka njohur kryesisht nga shkolla e filologjisë.
Sikur mund të shihet, në veprën e tij shkencore reflektohet dendur linja shkollore dhe studimore e tij, për të mos thënë se ai ishte dhe mbeti përfaqësuesi tipik i këtyre zhvillimeve evro-amerikane në fushë të linguistikës, në qarqet arsimore dhe shkencore të gjuhësisë shqiptare.
Në esencë, gjatë gjithë punës së tij shkencore, Profesor Shefki Sejdiu do t’i takojë shkollës së post-warburgistëve (Corominas, Guiraud, Baldinger, Vinja etj.)
Nga fundi i viteve ’60 ai përcolli mendimin shkencor europian përmes Qarkut të linguistëve të Zagrebit (themeluar në vitin 1961) dhe si asnjë studiues tjetër i specializuar në qendrat perëndimore të ish-Jugosllavisë
Dijen e shkollës së Zagrebit me kohë do ta plotësojë me hulumtime dhe studime në disa nga qendrat shkencore evropiane, prandaj studimet e tij do të jenë edhe pasqyrë e koncepteve dhe projekteve të filluara nga studiues të këtyre profileve, sikur janë: trekëndëshi semiotik i Ogden-Richards-it, formula për procedimin e komunikimit të Bernard Pottier-it, të menduarit jo-aristotelian të shkollës së Alfred Korzybsk-it, terminologjia e Helmsljevit etj.
Në studimet e tij ai do t’i vë në sprovë formulat dhe konceptet e tyre, duke i plotësuar edhe me vlera të reja jo vetëm materiale, por edhe teorike e metodologjike.
Nuk ka dyshim se pjesë e përpjekjeve të tij për të shpjeguar rezultatet e tij, jo gjithnjë të kuptuara janë edhe skemat e shumta, si forma më abstrakte të paraqitjes së të menduarit gjeometrik, me të cilat ai bën përpjekje për të paraqitur edhe në mënyrë vizuele, sa më qartë kërkimet e tij, evidencat, përmbajtjen e korpuseve, sintezat gjuhësore dhe më në fund rezultatet përgjithësisht relevante dhe elastike, një veçori kjo e studimeve të tij në rrethet tona shkencore.
Ishte anëtar i Asociacionit të Profesorë Universitarë për të Drejtat e Njeriut me seli në Cap Tawn (1988) dhe i Asociacionit të Ballkanistikës dhe të Sllavistikës të Rumanisë (1991).
Për ta ndërtuar veprën e tij autori ka hulumtuar dhe studiuar shumë gjatë marrëdhëniet dhe huazimet leksikore romano-ballkanike në fushë të fitonimisë dhe marrëdhëniet e huazimet leksikore romano-sllave e shqiptare në truall të shqipes në veçanti. Ai ka sjellë një sintezë të re të huazimeve fitonomike te shqipes.
Ka botuar në revistat Gjurmime albanologjike (IAP), Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Studime (ASHAK), Folia Onomastica Croatica (Zagreb), Onomastika jugoslavica (Zagreb), Filologjia (Prishtinë) etj.
Për kontributin shkencor dhe arsimor të Shefki Sejdiut kanë shkruar profesorët dhe studiuesit: Idriz Ajeti, Radosllav Katiçiq, Voijimir Vinja, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Shefkije Islamaj, Mehmet Halimi, Augustin Kovačec, Mensur Raifi, Begzad Baliu etj.
Ka gati dorëshkrimet Qarku etimologjik, Fjalë dhe thënie latine, Ligjëratat e letërsisë së vjetër frënge, Skica konceptesh e diskutimesh, Memoaret etj., me porosinë që ato të botohen pas vdekjes me një shënim hyrës nga autori i këtij teksti.
Prishtinë, 27 qershor 2023
ObserverKult
Lexo edhe:
BEGZAD BALIU: UKRAINË
(E shkruar më 12 qershor, Ditën e Çlirimit të Kosovës nga Ushtria e UÇK-së dhe e NATO-s)
Fushë e Kosovës e mbjell me grurë
Qenka zgjuar Eni në agun e mëngjesit
T’i mbledh lulëkuqet që kanë nxjerr kokë si flamuj
Para se t’i korrin tanket ruse
Malet e Kosovës me maja si thika të futura në re
Qenka zgjuar Eni në agun e mëngjesit
Të ngre Flamurin e Fitores së UÇK-së në majën më të lartë të saj
Për ty Ukrainë!
Krojet e Kosovës mbushur me kufoma fëmijësh nga ushtarët serbë
Qenka zgjuar Eni t’i ujisë trëndafilat e mëngjesit me ujin dhe gjakun e tyre
Dhe t’i lutet Dom Gjergjit për fëmijët ukrainas të zhdukur nga ushtria ruse!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult