“Polyphonia” titullohet projekti i prezantuar ditët e fundit në qytetin e Vlorës, ku drejtues të grupeve polifonike në Vlorë diskutuan për ruajtjen e kësaj trashëgime shpirtërore të pasur dhe autentike.
Në këtë projekt ndërkufitar, i cili mundësohet nga fondet e Bashkimit Europian nga programi “Interreg IPA CBC Greece-Albania 2014-2020”, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Vlorë është partner së bashku me Perfekturën Gjirokastër dhe bashkinë Dropull nga pala shqiptare, si dhe bashkinë e Pogonit dhe Unionin e bashkive të Epirit, e cila është dhe partneri lider i këtij projekti, nga pala greke. Merrnin pjesë Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Orgest Feimi, etj.
Organizimi dhe realizimi i kësaj dite të informimit të hapur në Vlorë pati për qëllim prezantimin e projektit dhe objektivat e tij për publikun, rritjen e vetëdijes dhe tërheqjen e interesit të aktorëve kryesorë të interesuar, nisur nga nevoja për të studiuar, mbledhur dhe ruajtur këtë trashëgimi shpirtërore të pasur dhe autentike, tani më edhe si kryevepër e trashëgimisë së njerëzimit, nga e cila mund të nxirren informacione të vlefshme në një seri disiplinash si etnomuzikologjia, estetika, antropologjia dhe historia.
Ky projekt kërkon të fotografojë gjendjen aktuale të këtij zhanri, ta ruajë dhe gjithashtu të vlerësojë, përmes instrumentit të turizmit tematik, duke parë potencialin domethënës të pazhvilluar të brendshëm (fshatrat tradicionale etj) dhe të përmirësojë atraktivitetin e rajonit, për të sjellë prosperitet dhe rritje ekonomike.
“Projekti adreson disa dimensione të politikave të BE-së, të tilla si kultura dhe turizmi i qëndrueshëm. Të gjithë partnerët synojnë të rrisin kompetencat e tyre për të shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme burimet kulturore në zonat e tyre, duke forcuar bashkëpunimin përmes shkëmbimit të njohurive dhe transferimit të ekspertizës”, – tha drejtuesi i grupit polifonik, “Bilbili”, Sejmen Gjokoli.
Ai tha se “rrallë herë, për mos të thënë asnjëherë më parë, nuk janë mbledhur bashkë e të flasin për Polifoninë, rreth 30 persona, të gjithë përgjegjës apo drejtues të grupeve polifonike që gjallojnë në rrethin e Vlorës, prej Lumit të Vlorës, Bregut, krahinës së Dukatit, Kudhës-Grëhotit, Topalltisë e të gjitha grupeve private me seli në qytetin e Vlorës”.
Sipas tij, ky është një shans që edhe grupet iso-polifonike të Vlorës të mund të evidentohen, certifikohen e të listohen përmes botimesh duke krijuar një databazë me të gjitha të dhënat.
“Vetëm kështu kjo vlerë e qenësishme e trashëgimisë tonë shpirtërore mund të shërbejë si një aset konkret për tu vënë në shërbim të kontigjentëve turistikë, por edhe strukturave akomoduese e shërbyese në bregdetin e Vlorës”-, tha Gjokoli/ATSH.