Me mungesën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Komisionin për Edukim ku u diskutua për tri projektet madhore të institucionit, Deputetja Ina Zhupa shtroi 47 pyetje. Zhupa, po ashtu ngriti dyshime mbi manipulim zgjedhjesh në Akademi, si dhe në ecurinë e procesit të punës
Mungesa e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit, në seancën dëgjimore të mbajtur sot në Komisionin e Edukimit për Mjetet e Informimit Publik me kërkesë të Ina Zhupës ngjalli debate.
Deputetja në kërkesën e saj kërkonte praninë e titullarëve për të diskutuar për tri projektet e mëdha të institucionit, Enciklopedisë, Fjalorit dhe Historisë….
“Pyetjet që do të shtroj janë me interes publik. Unë nuk e pyes a ka botime shkencore Skënder Gjinushi, se atë e di i madh e i vogël që nuk ka”, tha deputetja Zhupa.
“Duhet t’i dëgjojmë me shumë respekt dhe jo me emra të përveçëm t’u bëjmë gjyqin. Sidomos institucionit të shenjtë Akademisë së Shkencave”, tha deputeti i mazhorancës, Ismet Beqiraj.
“Meqënse ju po merrni përsipër që të bëni avokatin e tij, po ju shtroj një pyetje: Si ka mundësi që ai nuk merr mundimin të vijë deri këtu. Sidomos në një kohë që ju keni sjellë në Parlament një projektligj për t’i shtyrë atij mandatin edhe 4 vjet.
Kur ai nuk ka fuqi të vijë deri këtu, se unë nuk dua ta besoj se është e qëllimshme që ai nuk vjen deri këtu”, u shpreh Flutura Açka.
Zhupa foli për manipulim të zgjedhjeve të anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave, ku në fillim të shkurtit janë zgjedhur për titullin shkencor Valter Memisha, Anila Hoda dhe Adem Bunguri.
“Zgjedhjet që janë bërë në 6 shkurt në Akademinë e Shkencave të cilat janë dirigjuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave. Për këtë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimin, ka ngritur një hetim” tha Zhupa.
“Po jemi në komunikim për Komisionerin për Antidiskriminimin, për shkak të ankesës që ka bërë një nga kandidatët”, u shpreh akademiku Shaban Sinani.
Pas më shumë se 40 minutash, në komision u nis të diskutohet për projektet. Për Historinë e Shqiptarëve, kryetarja e komisionit ngriti pyetjen për vonesën e shkrimit të saj, në këto 3 dekada.
“Faktori kryesor që ka ndikuar për vonesën e madhe ka qenë fragmentizimi i historisë së shqiptarëve”, u shpreh akademiku.
Ndërsa, deputetët kërkuan të dinin risitë dhe përpjekjet për përfshirjen e gjithanshme në këtë botim nga pellazgët, tek polemikat për protagonistët historikë shqiptarë.
“Do të jetë pjesa e pellazgologjisë, por e shpjeguar në mënyrë shkencore. E njëjta gjë edhe për periudhat e tjera. Ka mijëra dokumente të reja për figura si Skënderbeu. Debati që jo ishte kaçak. Apo Ali Pashë Tepelena.”, tha arkeologu Neritan Ceka.
Akademiku Memisha informoi komisionin për ecurinë e shkrimit të Fjalorin të Madh të shqipes.
“Jemi në kulmin e punës për Fjalorin e Shqipes, i cili do të ketë 100 mijë njësi. Prej tyre 90 mijë fjalë dhe 10-11 mijë njësi frazeologjike”, tha Memisha.
Zhupa ngriti dyshime mbi bashkëpunimin me Kosovën për këtë projekt. Kjo për faktin se Kosova sapo e ka publikuar fjalorin e saj.
“Ky komision është keq informuar nga ASH, duke iu thënë nga kreu Gjinushi se fjalori do të bëhej me Kosovën. Por kjo e ka të mbaruar fjalorin e vet”, tha deputetja Zhupa.
“Nuk është e vërtetë, ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi për fjalor të përbashkët me kreun e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, tha Sinani.
Zhupja solli gjithashtu në vëmendje faktin se akademiku Vasil Tole e konsideron këngën polifonike me origjinë nga kori kishtar bizantin dhe sirenat greke, çka ka sjellë kontestime nga ana e shoqatës “Labëria”. Ajo ndali edhe tek struktura e ngritur për shkrimin e Enciklopedisë Shqiptare.
“Doja ta pyesja vet Gjinushin, çne kryetari i Akademisë në krye të ‘Enciklopedisë’”, tha deputetja.
Zhupa shtroi 47 pyetje për Akademinë e Shkencave. Disa prej pyetjeve sipas deputetit Ismet Beqiraj ishin fyese për akademikët, të cilët i ftoi që bashkë me të ndërprisnin seancën./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe:
AKADEMIA E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË PËRGËNJESHTRON ARTAN FUGËN: DEKLARATA TË PAVËRTETA…
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përgënjeshtroi pohimet e një prej anëtarëve të saj, akademikut Artan Fuga.
Akademia e Shkencave publikoi qëndrimin e saj lidhur me deklaratat e Fugës, si vijon: “Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka që thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj.
E veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri. E jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult