U shqua për diksionin e tij. Një mjeshtër i gjuhës shqipe, aktor i shkëlqyer karakteresh, i skenës dhe ekranit.
Më 7 korrik të vitit 1920, në Durrës, lindi aktori i njohur shqiptar, Prokop Mima. Që në moshë fare të re, ai shfaqi interes dhe pasion ndaj recitimit. Veprimtarinë e tij në skenë, e ka filluar që në vitin 1945, me krijimin e Teatrit Popullor.
Roli i tij i parë është në dramën “Topazi” e më vonë në dhjetëra role të suksesshëm, ku u dallua për diksionin dhe u njoh si një mjeshtër i gjuhës shqipe; një aktor brilant karakteresh.
Deri në vitin 1982, ai interpretoi mbi 80 role, ku veçohen: Zbisheku në “Morali i znj. Dulska”, Vurmi në “Intrigë dhe dashuri”, Dr. Adhamudhi në “Pas vdekjes”, Xhivola në “Arturo Ui”, Hamleti tek “Hamleti”, Dom Marku në “Cuca e maleve”, gjeneral – leintenanti në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, etj.
Megjithëse karrierën e tij e kaloi më së shumti në teatër, Mima interpretoi disa role të spikatura edhe në shumë prej filmave artistikë.
U nderua me “Medaljen e Punës”, si dhe titullin “Artist i merituar”.