Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Kujtim Gashit, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, akuzohet se këtë vepër penale e ka kryer në kohën kur ka qenë kryesues i Kuvendit Komunal në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se i pandehuri gjatë vitit 2015, deri në tetor të vitit 2016, në Prizren, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV “Besa” dhe TV “Opinion”.
“I pandehuri K.G., pa procedurë të tenderimit lidh kontrata për transmetimin dhe ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, me TV “Besa”, me datë 08.01.2015, në shumë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumë prej 1750 euro”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Po ashtu, sipas njoftimit thuhet se i njëjti ka lidhur kontratë me TV “Opinion” më 08 janar 2015, në shumë prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale, ndërsa pagesat janë autorizuar gjatë vitit 2015 dhe 2016, në shumë prej 6700 euro.
“Pagesa totale për këto dy televizione ka arritur shumën totale prej 8.450 euro në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësive si dhe Rregulloren e thesarit për shpenzimin e parasë publike”, thuhet tutje në njoftim.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.