Prolog i letërsisë e i dramës moderne ndërshqiptare të shekullit XXI

Gjergj Jozef Kola

Nga Gjergj Jozef Kola

Preludi i dramës: Vllaznia në shejin e vllaznimit.

1.

Rregulli i parë, i madh, i nji krijese letrare asht si per cdo krijesë në natyrë: fryma.

Kjo krijese, njilloj, njashtu si në Florë e Faunë, mundet me pasë cfarëdo formet e maset, vetëm fryma nuk duhet me i mungue.

Nji vepër letrare shkruhet me nji frymë, ku poezia asht 100 metërshi, tregimi 200 metërshi, drama asht 400 metra me pengesa e romani asht maratona. Kush asht marrë me sport në jetën e tij e di mirë, nëse nuk ja del me ba ndamjen e frymës në nji garë, atëhere bjen përdhe, rrëxohesh e nuk e con garën deri në fund.

Nji idiome gegnishtet thote që „ me ja pre fytyrën me brisk nuk i del nji pikë gjaku“ e kështu sot mbi 90% e veprave që shkruhen e botohen e që janë shkrue e botue dje e kanë lanë garën në gjysë apo janë përplasë diku, anipse ato mund të jenë shitëble apo vue në skenë. Sado me i pre me brisk ato fletë libri, prej aty nuk del pikë gjaku i jetës.

Prandaj duhet talenti, se jo kushdo mundet me u ba atlet, sprintier apo vrapues. Natyrisht edhe në letërsi si në sport vlen: pa vullnet e stërvitje, pa përkushtim të jashtzakonshëm nuk arrihet kurgja.

Porse mbi te tana asht: FRYMA KRIJUESE.

Nuk asht e domosdoshme me kenë mësues sporti për me e marrë vesht këtë. Në vitet 80 kam ndjekë nji kampion të sprintit shqiptar, shkodranin Niko L. e tash sa here që shkruej nji poezi jam i vetëdijshëm se ajo shkruhet me nji frymë, si 100 metershi, në 10 sekonda.

2.

Përvec frymës së „400 metrave me pengesa“ njeriut i duhet edhe dicka tjetër krejt e vecantë në nji dramë: Atmosfera.

Nji dramë shkruhet në atë mënyrë që kur të vehet në skenë me mujtë me dhanë të njajtin emocion të koncentruem të kohës së shpërndame, në menyrë që njeriu kur ta përjetojnë, të marrë të plotë frymën e kohës së saj.

Në vjetin 2017 na hypëm në skenë në Mynih të Gjermanisë dramën e parë epistolare shqiptare „ Poeti i vizatuem në sytë e grues së tij, Martin Camaj“ e në fund të premierës e shoqja Erika që ishte e pranishme na tha se i ishte dukë sikur po përjetonte vetë Martinin ne Mynihun e vjetit 1967, plot 50 vjet ma parë, kur ata ishin fejue.

Mbi 90 % e dramave të realsocializmit janë të dështueme, pikërisht sepse nuk japin asnji frymë të kohës e janë prodhime artificiale, të pafrymë, si vetë standarti. Ata janë rrëxue që në pengesën e parë të 400 metrave.

Sot edhe lexuesi ma i thjeshtë, ja del me sy mbyllë me përcaktue se kush asht autori, nëse i lexojmë vargjet e poetëve të shqipes letrare gege, të Fishtës, Mjedës, Koliqit, Migjenit apo edhe Camajt e Primos, për faktin e vetëm se këto autorë kanë krijue STIL. E njajta gja mundet me u thanë dhe për poetët toskë, ku nji poezi të Lasgushit, Asdrenit, Cajupit mundena me e dallue menjiherë.

E kundërta ndodh me krijuesit letrarë të mbas 1972 e sot. Jo vetëm që nji lexues i thjeshtë, porse edhe nji profesionist e ka shumë të zorshme me përcaktue autorin, sepse pothuejse të gjithë janë „përrej të vegjël që i ngjajnë lumit Kadare“, në stil dhe në gjuhë. Përjashtimet këtu mund të numërohen me gishtat e dorës.

Standarti si artific, nuk asht gjuhë që lejon zhvillim, prandaj edhe stilet mbyten ne të, pa hi mirë në vorbullën e letersisë. Standarti asht si nji robot shpijak që na kryen punë, porse me të nuk mundena me folë për dashuninë, as të madhe e as të vogël. Standarti nuk asht gjuhë letrare, gegnishtja e toskenishtja, po.

Kështu edhe sot shumica e dramave që vehen në skenë apo thjesht  shkruhen e mbesin në sirtaret e autorëve, vuejnë nga mungesa e oksigjenit. Ato janë të shkrueme me elementet e kalbuna të realizmit narrativ artificial.

  1. Dramat që trajtojnë sot problemet e djeshme me strukturën realsocialiste nuk na japin kurgja që të na kthejë atë kohë ne skenë. Nji dialog i stilit realsocialist nuk mundet me dhanë atmosferën e djeshme të ngjarjes, sepse cdo kohë ka mjetet e veta stilistike e stili realsocialist asht nji artific. Nji pemë plastike nuk ka as jetë e as frymë, ajo nuk mundet me na kujtue atmosferen e „Last Christmas“, nji bredh i fresket e ka kët aftësi.
  2. Kapjet moderne, të teatrit absurd, shemben që në gropën e parë të pengesës. Ata nuk japin asnji ndjesi të kohës që dojnë me afrue, thjesht sepse autorëve ju mungon stili. Me imitue nji stil të nji epoke asht sikur me vrapue 400 metrat me pengesa në nji stimulator në palestër e aty nuk fitohet asnji garë.

Përgjithsisht vlen: Pa poezie të mrendshme të jetës nuk ka art. Poezia e autorit asht edhe talenti i atletit, kushti i parë i madh me përfundue me sukses garën. Pa gjuhë origjinale, të gjallë, të përditshme, të folme, nuk ka poezie. Nji nga poetët ma të jashtakonshëm shqiptar te shekullit XX, ka shkrue në origjinal në serbo-kroatisht e i ka përshtatë në shkodranishten e folme të përditshme krijimet e veta, tue i ba vedit nji vend të randsishëm në letrat shqipe.

Në mbarë botën vlen: Vetëm nji gjuhë që flitet, ka aftesinë me nxjerrë filiza letrarë. Shqipnia e mbas 72 vazhdon të jetë përjashtimi i ligjësisë e vazhdon si mushka tue i ra murit me krye e tue kërkue me nxjerrë letërsi nga nji standart që nuk e flet kërkush. Shqiptarët flasin me njeni tjetrin në gjuhën letrare toske e gege, ndërsa letërsinë e shkruejnë ne standartin artific që nuk e flet kerkush.

„Me i pre me brisk nuk ju del nji pikë gjakut“, thotë idioma gegnishte.

Me ndigjue zemrën e kombit shqiptar, Alpet, Malecitë tona, se si flasin ne Masmedia standartin artific me akcentin e gjallë gegë, njeriu ndeshet në nji nga kimerat ma të përbindshme gjuhësore të shoqnisë njerzore të shekullit 21.

3

Në dramën ma të re për 2020 „Vllaznia në shejin e vllaznimit“ me dy protogonistë„ Paulin Ndoja & Sabah Bizi“ unë jam përpjekë me i vrapue të 400 metrat me pengesa me nji frymë, pa u ndal e sidomos pa u rrëxue asnjiherë. Elementat që kam përdorë, megjithse vijnë prej fillimit të dramës botënore: tragjedive greke, këto elementa e japin në mënyrë besnike, frymën e kohës, vitet 70 kur Sabah Bizi shënonte gola e Paulin Ndoja neutralizonte penalltitë…E gjitha kjo jepet në dramë joaq në aspektin sportiv, se sa në atë njerzor, ku sejcili nga këto personazhe si në jetë ashtu edhe ne sport ka gëzue virtyte të nalta njerzore e sportive.

Kjo dramë nuk rrëxohet në pengesën e parë të 400 metrave për mos me u cue ma në kambë, gjaqë  kishte me ngja sikur të ishte shkrue në frymë realiste me dialogun realsocialist, në rrethana realsocialiste, me artificin e standartit.

„Njashtu si e pres unë penalltinë me nji frymë duhet me e shkrue njeriu nji poezi, në fragmenten e sekondit ndodhë e bukura, si shkendijë e shpirtit njerzor. Këtu nuk kena kohën e botës me mendue..“, thotë portieri Ndoja, poetit që stërvitet anash fushës në pistë për vrapimin e 400 metrave me pengesa.

„ E nëse ti ke fatin e mirë dhe e ke kapërcye pengesën e parë e ke gjetë ritmin e frymën e vrapimit, atëhere rueje deri në fund, me shikimin para e topi jem apo penda jote asht ba njish me dorën e tande e kamben teme“, thote Bizi, mesfushori ma i mirë shqiptar i tana kohëve.

Kjo asht nji dramë moderne e kohës së sotme e ju kushtohet frymës e sakrificave të tanë atyne sportistave të cilët nën kushtet e randa të diktaturës komuniste ruejtën karakterin njerzor e sportiv. Porse njiherësh kjo asht edhe dramë e artistëve nën diktaurë, shumica e të cilëve ju nënshtruen asaj e humben karakterin e talentin e tyne.

Në kët dramë tifozat kur flasin i ngjajnë llampës së Aladinit, dalin jashtë prej saj e nxjerrin krejt frymën e kohës së viteve 70 në stadiumet shqiptare. Nji fabul realiste me dialogje realsocialiste nuk do e kishte zgjue kurrë kohën kur ndodhen përplasjet në jetën e protogonistave, ndërsa me nji stilistike moderne të duket sikur ngjarja po ndodh tash e spektatori ndodhet ma shumë në stadium se sa në teater.

Natyrisht që teatri nuk asht estradë, ai nuk ndërtohet mbi elementin komiko-satirik që stimulon të qeshunën kolektive, teatri asht fryma poetike e kohës së njeriut.

4

Prandaj, nji dramë përdorë mjetet stilistike moderne me qëllimin e vetëm të madh: me hapë shishen e mbyllun të kohës e me nxjerrë përjashta stuhinë e profumin e kohës që asht mbyllë aty. Kët ajo duhet me e ba me nji frymë njiherësh, si kacekun e Pandorës dhe me i pregatitë nji mbyllje reale, që u përgjigjet personazheve e karaktereve reale.

Vetëm kështu autori i ka vrapue me sukses të 400 metrat me pengesa dhe aktorëve e regjizorit nuk i mbetet gja tjetër vetëm me përsëritë me mjete të tjera, të njëjtin vrapim.

Pra nji dramë e cdo vepër arti kërkon së pari frymën me e depertue nga fillimi në fund vrapimin e së dyti mjetet stilistike moderne që japin të plotë atë frymë e kush gjen mjetet origjinale ai asht edhe stil i jashtzakonshme e origjinal.

Unë në rreth 40 dramat e shkrueme, pjesërisht të botueme e të vueme në skenë jam përpjekë me kapë karakteret e kohës, se fundja ky asht misioni i vetëm i artit: me kapë karakteret e kohës. Këto karaktere i kam kërkue e kapë me dashuninë ma të madhe, nise nga Gjergj Kastrioti – Skanderbeg e deri te vazhdimi i tij i natyrshëm, Presidenti Rugova, ky Gandi i kombit tonë. Dramat mund te shifen e lexohen në ëëë.gjejokola.com

Për krijuesit mbarëshqiptarë të shekullit 21 unë si krijues shqiptar e si mbartës i virtytit të empatise marr guximin me dhanë nji këshillë sado modeste e shume dashamirëse.

Nuk duhet me shkrue në artificin standart, sepse rrëzoheni që në pengesën e parë, shkrueni në gjuhën që flitni përditë me gramatikë të rregullt se vetëm kështu ndjenjat tueja marrin frymën krijuese dhe e përcjellin atë tek njerëzit.

Na duhet me krijue letërsi në gegnisht e në toskërisht për hir të kombit, me i lanë dy krahët e shqipes me rrahë lirshëm e jo me vazhdue me mentalitetin anadollak të „fshehjes se pluhunit nën rrogoz.“

Na shqiptarët, mjerisht, mbajmë vendin e parë në Europë për numrin e luftëtarëve te ISIS në raport me popullsinë, e megjithse këtë e di dhe shkruen e gjithë bota në cdo statistikë, na vazhdojmë me ja mshefë vedit kët realitet e asnji shkrimtar, kineast, regjizor apo producent nuk ka marre mundimin me e kapë problemin kaq jetik të kombit.

Ne dramën projekt „30 ditët e ramazanit“ jam perpjekë me dhanë nji Nanë shqiptare përpara dyerve të kampit të ish luftetarëve të ISIS në Siri, e cila kërkon e dëshpërueme djalin e vet. Ajo e shef birin mbas telave me ferra se si vazhdon të radikalizohet e prep askush nuk i vjen ne ndihme, përvec kësaj drame, që kërkon me e mbajtë bashkë me kët Nanë shqiptare, peshën e kohës…

Përsa i përket gjuhës krijuese letrare, për krijuesit mbarëshqiptar vlen sot postulati i përdorimit të  PASKAJORES sepse ky asht edhe CILSI i gjuhës tonë, jane sytë e shqipes që kqyrin lerg…Gegnishtja ka 7 shekuj që shkruhet (ndoshta edhe ma shumë) me paskajore. Evulimi i saj asht i domosdoshëm, se gjuha asht nji lumë i rrjedhshëm, ndërsa artifici, nji kënetë… Duhet me ra dakort si evoluim fonetik me eleminue E – në n´fund të foljes në shqiptim: me shku/e, me u shelbu/e me u libru/e. Na duhet me nisë me „dashtë e me u dashtë“ e kjo duhet nisë me hapa të vegjël porse cilësore sic thotë Nana e madhe e kombit: Po bajmë gjana të vogla, porse me dashuni të madhe…

Në fund të fundit poetët e shkrimtarët kanë me e ba gjuhën shqipe sallonfähig, sic thotë nji idiomë në gjermanisht, në mënyrë që në PISA-n e ardhshme të mos jena të fundit në Europë për shkrim e lexim, na shqipfolësat për të cilët shume rrethe seriozë pretendojnë se gjuha GEGE asht cilësi i gjuhëve te botës.

Vjenë, Janar 2020

ObserverKult