Prometeu tetovar-Jusuf Rexhepi

Nga Fatmir Sulejmani

Kur më 1922 u lind Jusuf Rexhepi, nga babai Raifi dhe nëna Fetija, Tetova posa kishte shkelur në dekadën e dytë të ikjes së Perandorisë Otomane nga trojet tona, po, mjerisht, kishte dhe po aq kohë që u gjend nën sundimin akoma më të egër sllav. Shpresat për krijimin e një Shqipërie të lirë e të pavarur në kufijtë e saj të natyrshëm ishin tretur me nam e nishan dhe ndërkohë kishte zënë rrënjët e para pushteti i hurit e i litarit që binte pamëshirshëm mbi kurrizin shqiptar.
Tani më kishin ndodhur kongreset dhe konferencat e kobshme që oficializuan copëtimin e trojeve tona, ishin zbehur ëndrrat rilindëse për një jetë më të dinjitetshme nën dritën e diellit dhe kishte kohë që po vazhdonte mekami i vjetër i ndrydhjes së vullneteve tona. Punohej me sistem në mohimin e qenies dhe në bjerrjen e virtyteve të racës sonë. Synimi për zhbërjen e një kombi të tërë funksiononte si të ishte kategori e gjithkohshme. Njësoj si dikur, shqiptarëve mund t’u lejohej gjithçka, përveç shkollës shqipe. Jugosllavët tani po ua shpërblenin turqve investimin e moçëm, kur në mes të Shqipërisë mund të mësohej serbishtja e greqishtja, po jo dhe gjuha vendore shqipe. Kësisoj ajo po përgatiste shpirtërisht masat shqiptare për t’i shpërngulur në shkretëtirat e Anadollit, ua shpëlante trurin, i shndërronte në turmë amorfe pa asnjë vetëdije mbi vetveten, në rajë të pakujtesë dhe të lehtë për nëpërkëmbje.
Në këto rrethana, elementi autokton shqiptar ishte në pozitë shumë të vështirë. Ai qe dekompozuar nga valët e shpërnguljeve masive dhe qe katandisur edhe më zi se dikur, ishte njollosur dhe lidhur padrejtësisht me trashëgiminë e fajeve të ish pushtuesit turk, me hipotekën e shpifur që i bëri të justifikueshme trajtimet shtazarake të pushtetit që zhbëri çdo perspektivë ardhmërie. Populli ynë mbeti në terrin e paditurisë. Pjesa dërmuese e saj u la të jetojë në viset e paplleshme malore duke u kolovitur me jetën dhe hasmëritë e trashëguara e të nxitura nga pushtuesit, kurse pjesa tjetër dergjej në mjerimin shumëdimensional të kasabave klasike orientale, si popullatë e rendit të dytë e cila gradualisht nisi të turqizohej… Kësaj gjendjeje të pashpresë i ndihmonte edhe kleri fanatik, i dirigjuar nga pushtuesi sllav, që i kositte në zanafillë idetë qytetëruese dhe iniciativat për braktisjen e jetës së katandisur në mjerim të përgjithshëm ekonomik, social e shpirtëror.
Pikërisht në këso rrethanash kaloi fëmijëria e hershme e Jusuf Rexhepit, në qytezën e vogël që s’dallohej me asgjë nga kasabatë tjera të kohës, në geton në të cilën shqiptarët mbijetonin nën një rorbëri të padurueshme. Ata keqtrajtohershin nga fqinjët ardhacakë, disa prej të cilëve nuk kishin kurfarë identitetiti… Të paktë, fare të paktë ishin tetovarët, si Xhafer Sulejmani, Shani Mina e ndonjë tjetër që kishin arritur të shkëputen nga masat analfabete pët ta ndriçojnë trurin e tyre.
Natyrisht, Jusuf Rexhepi nuk ka mundur t’i dijë asokohe shkaqet që kishin nxitur tëhuajsimin e shiptarëve, që i kishin shtyrë familjet qytetare të flasin turqisht, shkaqet e të drejtës së shkollimit vetëm nëpër mejtepe dhe vetëm në gjuhën turke ose sllave, po, me kalimin e viteve, ai erdhi duke u pjekur dhe, inteligjent, siç e kishte falur Zoti, nisi t’i shohë gjërat me dioptrinë e vërtetë, nisi ta ndjejë shijen e padrejtësive dhe darët e prapambetjes anadollake. Kjo e bëri të kërkojë me insistim nga i jati që t’ia mundësojë udhën e shkollimit dhe përparimit.
Çuditërisht, edhe përkundër kushteve tejet të disfavorshme për shkollim normal, në shpirtin e tij që atëherë do të zë rrënjë dëshira për të ndjekur shkollën laike. Madje tek ai vëreheshin ambicjet e veçanta dhe një etje e pazakonshme për dije e dritë, gjëra këto që ishin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vullnetin e babait të tij, i cili më me dëshirë do ta shihte të birin e zgjuar si zanatçi. Fatmirësisht, do të ngadhnjejë dëshira e djaloshit këmbëngulës e përkrahur fuqishëm nga e ëma malësore, që sipas kujtimeve të vet Jusuf Rexhepit, të evokuara disa javë para vdekjes, shquhej për nga zgjuarësia e saj e natyrshme dhe për nga dëshira për ta parë fëmijën e vet të ditur e të kultivuar…
Në moshë pak më të rritur Jusuf Rexhepi do të hyjë në kontakt me intelektualët më të vjetër tetovarë, njerëzit e paktë me fakultete të kryera, me vizion tjetërfare, dhe do t’i përkushtohet gjithnjë e më seriozisht trasimit të udhës nëpër të cilën duhej të ecë kombi. Mundësinë e shpëtimit e shihte në ngritjen e gjithanshme të popullatës dhe tek një prijës i njëmendtë që do të dinte t’i kanalizojë drejt energjite shqiptare. Lexonte e dëgjonte për përparimet e të tjerëve dhe digjej nga dëshira për ta parë Shqipërinë në pozitë pak më të lakmueshme. Do të jetë Ataturku ai që do ta frymëzojë ne veçanti Jusuf Rexhepin, i cili do ta ëndërrojë tërë jetën paraqitjen në skenën politike shqiptare të një reformatori të tillë, po që do thoshte: Lum ai që është shqiptar…
Shkëndijat e para të shpresës që paralajmëronin mëkëmbjen dhe shpëtimin e kombit nga kthetrat jugosllave u dukën menjëherë pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur, për paradoks, pushtuesi italian, që gllabëroi gjysëmshtetin e lirë shqiptar, që më 1939, tani po përmirësonte padrejtësitë e Evropës dhe po përpiqej të ribashkojë në një trung të vetëm pjesët e shkëputura të Shqipërisë. Trojet shqiptare papandehur u gjetën sërish të bashkuara në një shtet të vetëm, nën flamurin kombëtar dhe atë italian. Ishte e qartë se edhe italianët ishin pushtues, po njerëzit me kulturë politike e përkrahën të keqen më të vogël për momentin, duke anuar përkohësisht nga pushtuesi që gjendej më larg kufijve të Shqipërisë, i cili mund të dëbohej më lehtë kur të vinte koha. Dhe, krahasuar me ashpërsinë e pushtuesve jugosllavë, italianët ishin çlirimtarë të vërtetë, sepse instaluan administratën vendore, hapën gjithandej shkollat shqipe, oficializuan përdorimin e lirë të gjuhës dhe të simboleve tona kombëtare, duke realizuar gati në tërësi programin dhe platformën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një pjesë të ëndrrës së Rilindësve tanë.
Këto ndryshime i ndjeu edhe Tetova. Përnjëherë u gjallërua jeta kulturore dhe gjithçka nisi të frymojë shqip: u formuan banda muzikore që ekzekutonin muzikë të mirëfilltë qytetare, u formua kori i femrave shqiptare, nisi të funksionojë trupa teatrore, u krijuan mundësi shkollimi e përparimi dhe shumë e shumë gjëra të tjera që gjer atëherë as që mund të merreshin me mend. Regjimi fashist që shumëkujt i solli të zeza të papërshkrueshme, në rastin tonë ishte shumë më i mirë se ai sllav. Ministri shqiptar i arsimit – shkrimtari i njohur Ernest Koliqi dërgoi në viset e posaçliruara shqiptare mësuesit më të përgatitur, të cilët nuk kishin kurfarë lidhje me ideologjinë fashiste. E vetmja ideologji e tyre ishte ringjallja e shpirtit të fjetur shqiptar që i qe nënshtruar me dekada zhbërjes së tërësishme nga faqja e dheut. Në mesin e atyre mësuesve do të jetë edhe profesori i mirënjohur – Qemal Haxhihasani, për të cilin doktor Jusuf Rexhepi do të ruajë konsiderata të përjetshme. Profesor Qemali për të ishte personaliteti që rishqiptarizoi Tetovën dhe e ringjalli gjenin tonë nga hiri…
Natyrisht, është e tepërt të thuhet se ndryshimet që sollën italianët kishin prapavinë e caktuar dhe bëheshin për të fituar besimin e popullatës sonë, sepse pranimi i këtij pushteti nga ana e shqiptarëve ishte diçka që nuk mund të rrefuzohej, madje alternativa e vetme dhe më e mençura për momentin. Në pamundësi për ta parë atdheun plotësisht të lirë e të pavarur, pjesa më e madhe e popullatës së kësaj ane u pajtua me statusin dhe trajtimin e ri që fituan shqiptarët dhe trojet e tyre.
Lufta e Dytë Botërore, Jusuf Rexhepin e gjeti me moshë të pjekur dhe të vendosur fuqishëm që t’i realizojë ëndrrat dhe idealet e hershme. Ai kishte kryer shkollën e mesme në Prishtinë, ku pati për profesorë personalitetet e shquara si Rexhep Krasniqin e Vasil Andonin, që lanë gjurmë në mendjen dhe shpirtin e të riut tetovar. Kjo u reflektua në veçanti në dëshirën e zjarrtë të Jusufit për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm universitar, në një kohë kur bashkëvendasit e tij nuk shprehnin interesim as për ndjekjen e shkollës fillore. Pikërisht kjo dëshirë e tij për të realizuar ëndrrat e hershme do ta shpiejë në Bari të Italisë për të ndjekur studimet e mjekësisë. Ndodhi kjo më 1942, në kushtet kur lufta ishte acarruar në të gjitha vijat e frontit. Atje qëndroi deri në kapitulimin e Italisë së Musolinit, kur, më në fund, u desh t’i ndërpresë studimet dhe të kthehet në Tetovë. Këtë ndërprerje të dhunshme të studimeve ai e përjetoi shumë rëndë, po ishte i vendosur që të vazhdojë aty ku kishte mbetur, posa të përfundonte lufta e përgjakshme që ndërkohë kishte shtrirë krahët e saj të përflakur anekënd rruzullit tokësor.
Studimet e suksesshme të nisura në Itali ndikuan fuqishëm në formimin e personalitetit të Jusuf Rexhepit. Ai tani më i njihte rrjedhat e gjërave dhe, në sajë të zotërimit të italishtes, mund të ndiqte lajmet e dorës së parë dhe të kuptonte para të tjerëve atë që e priste kombin dhe Tetovën e tij. Kjo njohje e lëvizjeve të gjithmbarshme të furtunave që rrezikonin etnitë e fjetura, bëri që ai me kohë të rreshtohet në anën që i shkonte për shtati atdheut dhe kombit të tij të shumëvuajtur. Ai e ndjeu me kohë rrezikun që u kanosej viseve tona nga mbetja nën administrimin bullgar, ndaj u kyç në komitetet proshqiptare dhe mori pjesë aktive në organizimin e propagandës për të sensibilizuar popullatën, për ta zgjuar atë nga gjumi dhe për ta ndërsyer kundër kobit kanosës me të gjitha forcat e mundshme. Më vonë u kuptua se po të pushtonte këto anë Bullgaria, nuk do të ndodhte rilindja e njohur e këtyre viseve dhe ne do të dergjeshim shumë gjatë në terrin e prapambetjes. Si të tillë sigurisht nuk do t’arrinim ta mbijetojmë ferrin komunist jugosllav…
Për ta realizuar gjer në fund ëndrrën shekullore dhe për t’i vënë ledhin përfundimisht kthimit të pushteteve sllave mbi viset autoktone shqiptare, Jusuf Rexhepit dhe shumë të rinjëve shqiptarë iu desh edhe inkuadrimi në divizionin tetovar “Luboten”, ngjarje kjo e përfolur shumë gjatë kohës së monizmit të Jugosllavisë titiste. Inkuadrimi i tij në rradhët e batalionit në fjalë, që drejtohej nga ushtria gjermane, kishte të bëjë me dëshirën e flaktë për t’ushtruar detyrën e ndihmës mjekut dhe me mundësinë e dhënë për t’i bishtruar mobilizimit të detyrueshëm që bënte ushtria gjermane për në frontet e saj anekënd Evropës. Pra, nuk kishte në këtë mes asnjë shtytje për të vrarë e persekutuar të tjerët, për të përlyer duart me gjak e për t’u hedhur në anën e atyre që shkaktuan gjatë asaj lufte miliona viktima në njerëz të pafajshëm dhe një shkatërrim gati total të një pjese të botës. Thjesht: ai gjykoi se ushtrimi i profesionit më human në botë ishte obligim i të gjithë mjekëve, pavarësisht se në cilën anë të frontit gjendeshin. Shih për këtë, edhe përkundër persekutimeve psikike e shpirtërore që do të ushtrohen mbi të gjatë periudhave të mëpastajme, ai nuk do të pendohet kurrë për hapat e bërë gjatë kësaj periudhe.
Në favor të të sipërthënës flet edhe e dhëna se, pas 3-4 muajsh, Jusuf Rexhepi e brakrisi batalionin “Luboten”, dezertoi dhe iku në Tiranë, posa iu dha rasti të vazhdojë studimet me një bursë të shtetit shqiptar, përkatësisht, posa kuptoi për krimet monstruoze të ushtrisë gjermane dhe sharrimin e saj në ujërat e gjenocidizmit dhe racizmit të skajshëm. Prej aty shkoi në Vjenë për të vazhduar studimet e lëna përgjysëm të medicinës. Kësaj here e ndihmoi me një bursë modeste qeveria e atëhershme e shtetit shqiptar, po sërish nuk do të ketë fat ta realizojë idealin kyç të jetës. Ishte afruar fundi i luftës dhe flakët e saj po e përpinin edhe Austrinë. Megjithatë, ai do t’i ndërpresë studimet vetëm kur nisën bombardimet e Vjenës dhe kur më nuk kishte kurfarë mundësie për të qëndruar atje. Atëherë u detyrua të strehohet në qytetin Shkofja Lloka të Sllovenisë, ku, në sajë të ndihmës nga disa bashkëvendas, arriti të mbijetojë gjer në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Pas mbarimit të lufëts vendosi të kthehet në vendlindje. Kishte kohë që nuk i kishte parë më të dashurit e tij dhe qe zhuritur nga malli për to. Intuitivisht e ndjente se partizanët sllavë do të ndërmarrin aksione hakmarrëse kundra shqiptarëve dhe kjo e bëri që fillimisht të ndalet tek halla e tij në Shkup, prej ku iu lajmërua të jatit – Raifit. Vetëm pas takimit me të i kuptoi përmasat e masakrave dhe torturës nëpër të cilën po kalonin bashkëqytetarët e tij. Babai ia shpaloi të vërtetën për Monopolin e Tetovës, të shndërruar në therrtore të shqiptarëve, i tregoi për vrasjet e shumta, përfshirë këtu edhe likuidimin e ish prefektit të qytetit – Shaip Kamberit, personalitetit largpamës që i pati thënë kriminelit dhe antishqiptarit të përbetuar – Zufer Musiqit, se socializmi dhe komunizmi kanë për synim sllavizmin… I jati e bindi që edhe një kohë të mos kthehet asesi në Tetovë, sepse kishte rrezik ta pësonte njësoj si shokët e tij të idealit. Ishin këto momente përjetimesh shumë të dhembshme për Jusufin, po qe shkruar që edhe një kohë t’mos mundë të çmallet me nënën e tij të dashur dhe me zemër të thyer të kërkojë strehim në Beograd, ku gjithashtu arriti të mbijetojë në sajë të gurbetqarëve tanë që punonin atje punët më të rënda fizike. Biles këtu përjetoi dhe një sëmundje të rëndë nga e cila mezi arriti të shpëtojë…
Më vonë ai do të rrëfejë shumë herë për zhgënjimin që përjetoi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. E kishte bërë zakon që ngjarjet e vitit 1945 t’i përmbledhë në thënien sa tragjike aq edhe të vërtetë: “Në vitin 1945 ne u çliruam nga liria!”
Ky “çlirim” i ri, më shumë se gjysmën e kombin shqiptar e la sërish nën shputat e pamëshirshme sllave. Ai e kishte të qartë se ricopëtimi i trojeve shqiptare në më shumë republika sllave do të zgjasë për një periudhë pak më të gjatë. E kishte të qartë gjithashtu se në Jugosllavinë e AVNOJ-it mund të mbijetonim vetëm në sajë të emancipimit kolektiv. Periudha trivjeçare e funksionimit të shkollave shqipe në këto troje e kishte bërë të veten dhe e kishte vetëdijësuar një pjesë të popullatës se vetëm me shkollim mund ta mbijetojmë ferrin sllav.
Në fazën e parë të konsolidimit të shtetit të mareshalit Tito, kur akoma nuk ishte tharë gjaku i mijëra shqiptarëve që lanë eshtrat e tyre nëpër frontet e luftës antifashiste dhe qindra e mijëra të tjerëve që u likuiduan me tradhëti ose si kundërshtarë të floskulës së bashkim-vëllazërimit, edhe shqiptarët gëzuan disa të drejta të dozuara me kujdesin më të madh. Jusuf Rexhepi do të jetë sërish ndër shqiptarët e parë të kësaj ane që do të shprehë interes të vazhdojë studimet dhe do të shkojë të regjistrohet në Universitetin e Beogradit. Ishte i bindur se do t’ia pranojnë dy vitet e studimeve jashtë dhe provimet e dhëna në qendrat e njohura universitare evropiane, po, mjerisht, do ta pësojë njërin ndër grushtet më të forta të jetës. Askush nuk e mori parasyshë suksesin e shkëlqyeshëm në provimet e dhëna në fakultete shumë më cilësore se ato jugosllave. Jusuf Rexhepi ishte shqiptar dhe për të vlenin të tjera ligje, të tjera të drejta. Në një situatë të këtillë, kur ashiqare po shfaqej në skenë një padrejtësi klasike, shumëkush do të demoralizohej dhe do të hiqte dorë nga e tëra, po jo dhe idealisti tetovar. Ai, pa hamendje, pranoi të fillojë studimet nga e para, i kreu ato me sukses të jashtëzakonshëm më 1952 dhe u kthye në vendlindje për t’iu gjendur bashkëkombasve në momentet më të duhura, atëherë kur numri i mjekëve shqiptarë ishte më shumë se simbolik, për t’mos thënë fare inekzistent.
Kështu, një kohë ushtroi detyrën e mjekut të përgjithshëm, por, posa u krijua mundësia për të specializuar mjekësinë interne në Universitetin e Shkupit, iu përvesh punës dhe, më 1957 u bë specialisti i parë i mjekësisë interne në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, kurse, pak më vonë, edhe themeluesi i repartit të sëmundjeve të brendshme në spitalin e Tetovës. Puna e palodhshme si mjek dhe një sërë aktivitetesh të tjera shoqërore e bënë atë shumë të njohur në mesin e bashkëvendasve të tij. Atëbotë akoma nuk ishin përskequr gjithaq ndjenjat shoveniste të pushtetarëve maqedonas dhe dr. Jusuf Rexhepi ushtroi një kohë edhe detyrën e drejtorit të spitalit të Tetovës. Kuptohet, kjo zgjati vetëm gjersa u paraqitën në skenë specializantët e parë maqedonas, kur fati i doktorit shqiptar duhej të njësohej me fatin e mbarë popullatës shqiptare.
Megjithatë, mjeku ambicioz nuk dorëzohej. Popullariteti i tij ishte në rritje dhe nga ai vinin të kërkojnë derman njerëz të të gjitha përkatësive. Ai i shëronte pacientët edhe me forcën e fjalës dhe sjelljen tejet të njerëzishme. Sipas dëshmitarëve të gjallë, shpesh u blente me mjetet e veta barëra të sëmurëve të varfër që nuk e kishin këtë mundësi. Ndoshta pikërisht ky sukses do të bëhet pretekst i ndërsimit të inateve të pafisnikëruara të shpifaxhinjëve dhe fushatës antijusufiane, në krye të së cilës do të dalin kolegët e tij maqedonas që nuk mund të toleronin ndërtimin e famës së një mjeku shqiptar para syve të tyre.
Po, si për inat të dashakëqinjëve, në vitin 1965/66 një grup shokësh, pa e pyetur fare, e propozojnë dr. Jusufin për deputet në parlamentin e Maqedonisë së atëhershme. Më vonë edhe ia mbushën mendjen që ta pranojë sfidën, të bindur se dërgojnë atje një kuadër të përgatitur e të shëndoshë kombëtarisht, që do të dijë t’i shtrojë e t’i mbrojë të drejtat legjitime të kombit tonë. Zgjedhja e tij në këtë detyrë nuk u prit mirë nga qarqet e caktuara shoveniste dhe sakaq u rivu në lëvizje makineria e denigrimeve të paskrupullta, të shoqëruara me akuzat për gjoja të kaluarën e dyshimtë të Jusuf Rexhepit dhe me publikimin e fotografive të tij me uniformën e ndihmësmjekut të batalionit “Luboten”. Kjo e bëri efektin e vet dhe, pas një viti, e përjashtuan nga parlamenti, me pretekstin se ishte “i padëshirueshëm”. Largimi i tij nga skena politike e vendit u shoqërua me përndjekjet më serioze të UDB-së. E ndiqnin dhe e përgjonin kudo: në shtëpi, në punë, në gëzime, në morte, në ndeja të zakonshme… Thjesht: ai i kishte nga 24 orë në ditë agjentët pas shpine, për çka flet më së miri dosja e tij voluminoze me imtësira të pabesueshme, informacione të ditëpërditshme, të bëra me një saktësi të habitshme, që hedhin dritë mbi përmasat e rrjetit të spiunëve të pushtetit absolut jugosllav. Kjo ndjekje do të vazhdojë gjer në rrënimin e ngrehinës komuniste, gjer në kohën kur doktori, më në fund, do ta shohë me sytë e vet dosjen mijëra faqëshe, ku qenë mbajtur shënimet pedante të hafijeve të panumërt, ne mesin e të cilëve shquheshin deponimet e spiunit me pseudonimin POLLOZHANAC, kësaj qenie të kërmilltë që, si pa të keq, qe vërtitur tërë jetën rreth Jusuf Rexhepit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Befasia e doktorit ishte e jashtëzakonshme, po ai edhe kësaj here e dëshmoi madhështinë e karakterit të vet dhe nuk i denoncoi kurrë publikisht ata që ia nxinë jetën dhe që mundën ta zhbëjnë një kohë edhe fizikisht, bashkë me më të afërmit e tij. Këtë nuk e bëri për t’kursyer sikletesh pasardhësit dhe familjet e tradhëtarëve shqiptarë. Dënimin e tyre e la në duar të Zotit, duke vepruar ngjashëm me atdhetarin Jusuf Gërvalla, që në aktin e mbramë të jetës së vet, dëshiroi të mos dalë kurrë sheshit emri i vrasësit të tij, nëse do të ishte i racës sonë.
Janë këto vitet kur në Maqedoni vepronin tinëzisht institucionet e specializuara që merreshin vetëm me punën e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Ato priheshin nga agjentë të shkolluar e të besueshëm që nuk i tradhëtonin sekretet e shtetit. Ndër aktivitetet bazë të tyre ishin dhe shërbimet për lehtësimin e marrjes së “vesikave” me të cilat hiqej dorë nga identiteti shqiptar. Të tillët e dinin se Jusuf Rexhepi ishte në mesin e intelektualëve tetovarë që përpiqeshin ta ndalojnë egzodin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore, po edhe doktori e dinte se nën llupat e tyre survejuese ishin të gjithë bashkëmendimtarët e Memetriza Gegës – Mandelës së këtyre anëve, që ishte vënë në ballë të përpjekjeve dhe propagandës antishpërngulje.
Atëherë kur pritej që për të të vijnë ditë më të mira e më të relaksuara, u shtua intensiteti i shpifjeve të korrit të çafkave që kishin vendosur me patjetër ta diskreditojnë mjekun e njohur tetovar. Rastin e gjetën në demonstratat e Tetovës të vitit 1968, organizimin e të cilave ia mveshën doktor Jusufit dhe disa miqve të tij më të afërt. Të kota mbetën përpjekjet e tij për të dëshmuar se ditën e shpërthimit të trazirave kishte qenë në Beograd, ku bënte specializimin e dytë (kësaj here në lëmin e kardiologjisë) dhe se nuk kishte pasur mundësi reale të merret me organizimin e tyre, të nxitura shkaku i padrejtësive të rënda ndaj popullatës shqiptare që kulminuan me grisjen e flamurit shqiptar nga ana e shovenistit të njohur maqedonas – Sreçko Janevskit. Doktori nuk kishte as mundësi teorike që ta largojë dyshimin e sigurimsave që dëshmitë kundër tij i mbështesnin me gjoja të kaluarën e dyshimtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Do jenë këto arsyet për ta larguar Jusufin nga ordinanca të cilën e hapi vetë dhe për ta zëvendësuar atë me një mjek maqedonas. Sa për sy e faqe, pas largimit njëvjeçar nga puna, i lejuan të punojë si mjek i mjekësisë së përgjithshme në një barakë të spitalit, prej ku ai sërish arrinte t’i vë nën hije shumicën dërmuese të kolegëve të tij që nuk mund të barabiteshin me të as për nga aftësitë profesionale, as për nga fama që gëzonte në popull.
Rritja e këtij popullariteti sikur e ndizte histerinë e qarqeve shoveniste, e cila u shndërrua dalëngadalë në fobi, ndaj nuk ishte për t’u habitur përse i sillnin për ta kontrolluar punën e tij madje edhe mjekët më të mirë të Beogradit, si specialistin e famshëm që kujdesej për shëndetin e udhëheqësve më të lartë jugosllavë Isidor Papën, i cili, i thirrur me një rast të rikiontrollojë një pacient të njohur të dr. Jusufit, u përgatiti armiqve të tij një dush të akullt, duke pohuar se Tetova paska një mjek të rrallë, madje një kryekardiolog…
Ishin këto muaj të vështirë të mbushur me punë të lodhshme psikike e fizike, po doktori do t’ua dalë me sukses të tërave. Atëherë kur pandehnin se e skajuan dhe e devalvuan gati në tërësi, ai ushtronte dy veprimtari njëkohësisht: i shëronte pacientët nga sëmundjet e ndryshme dhe i frymëzonte shqiptarët për betejat e pandalshme që duheshin bërë kundër dhunës së hapur antishqiptare. Këtë betejë do ta vazhdojë deri në momentin kur u bë real edhe likuidimi i tij fizik, deri në kohën kur miqtë e tij e bindën që të largohet nga Tetova, së bashku me familjen.
Kështu, pas gjithë këtyre reperkusioneve e torturave të vazhdueshme psikike, Jusuf Rexhepi, në vitin 1973, u gjend në Kosovë, si ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Duke qenë mjek i zoti dhe specialist i dy degëve të vështira të mjekësisë, duke qenë prore në korrent me të arriturat e fundit në këtë fushë, ai u pranua atje jashtëzakonisht mirë dhe shkëlqeu që me ligjëratën e parë të mbajtur para studentëve. Suksesi i fillimit dhe pritja tejet korrekte nga ana e kolegëve të Prishtinës i dha forcë që në moshën 54 vjeçare, atëherë kur të tjerët fillojnë të mendojnë për ditët e pensionit, t’i futet punës së kryerjes së studimeve pasuniversitare. Më vonë do ta pohojë sa e sa herë se në këtë kohë ka punuar më shumë se kurrë, se e njihte vetëm një udhë të Prishtinës: atë që çonte prej banesës së tij në fakultetin e mjekësisë, përkatësisht në repartin e kirurgjisë dhe anasjelltas. Vetëm në sajë të këtij angazhimi titanik ai arriti që në afat rekord dhe me sukses të shkëlqyeshëm ta mbrojë disertacionin e doktoraturës, me titull: EKZAMINIMI KLINIK I SËMUNDJEVE TË BRENDSHME, që më vonë u botua si tekst universitar dhe që edhe sot paraqet literaturë serioze në fushë të kardiologjisë. Një kohë qe dhe shef i kadedrës së mjekësisë interne dhe kryeshef i kardiologjisë.
Mjerisht, edhe kësaj here idila do të zgjasë shkurt. Ndërkohë ndodhën demonstratat e njohura studentore të vitit 1981, të cilat u shuan me gjak dhe me dhunë të paparë, duke shpaluar mirëfilli fytyrën e vërtetë të diktaturës së pispillosur titiste. Kjo ngjarje do ta trondisë nga themelet ngrehinën komuniste të sllavëve të jugut, ku shqiptarët shërbenin vetëm sa për të hapur kanalet dhe themelet e gradaçelave, uzinave dhe infrastrukturës së shtetit jugosllav, vetëm sa për t’bartur qymirin e sa për t’sharruar drunjtë e padronëve të tyre, vetëm sa për ta bërë më të rehatshme sefanë e pafundme të kastës së mbretërve modernë që mbaheshin në pushtet në sajë të gënjeshtrave që ua bënin shteteve të varfra aziatike dhe kredidhënësve perëndimorë që asokohe e konceptonin Jugosllavinë si shtetin më liberal të lindjes. Ngjarjet e Prishtinës i bënë pushtetarët që ta ndjejnë tundjen e kolltuqeve, po u dhanë dhe pretekstin për t’u lëshuar si të tërbuar pas gjuetisë së shtrigave. Ata donin me çdo kusht të zbulojnë ideatorët e mirëfilltë të projektit të rrënimit të Jugosllavisë dhe i shenjuan si të tillë profesorët e Universitetit të ri të Prishtinës dhe studentët e tyre. Kësisoj dëshironin të realizojnë dy qëllime: të eliominojnë nga skena shoqërore e Kosovës ata që guxuan të ngrihen kundër sajesës artificiale të sllavëve të jugut dhe ta lënë të pakokë kombin shqiptar, pa intelektualët dhe mendjet e ndritura që mund t’i prinin në situata udhëkryqesh e rreziqesh serioze. Ndër viktimat e para të kësaj beteje antishqiptare u bë edhe doktor Jusuf Rexhepi. Gazetat serbe e maqedonase nuk reshtinin së botuari fotografitë e tij me uniformën e ushtarakut të batalionit “Luboten”. Ai ishte argumenti më i madh për denoncuesit e çartur, që gërvalleshin me patetizëm: Ja kujt ia kemi lënë ta edukojë brezin e ri të shqiptarëve…Botimet e njëpasnjëshme të atyre fotografive me të cilat dëshirohej të njollosej doktori sërish e arritën efektin e kundërt dhe sakaq mjeku u bë i mirënjohur edhe për ata që gjer atëherë nuk kishin dëgjuar fare për të. Ndër gjërat që i hidhëronin akoma më shumë pushtetarët dhe sigurimsat e UDB-së jugosllave ishte edhe e dhëna se dr. Jusuf Rexhepi nuk u frikësua fare nga pasojat e mundshme dhe, në dallim prej shumë intelektualëve të kohës që, në njëfarë mënyre “pendoheshin” për udhët e ndjekura më herët, ai nuk iu kthye kurrë me denoncime periudhës kur kishte qenë i veshur me uniformën e ushtarakëve që në kapelet e tyre mbanin kokardat e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Doktori e kishte pasur fatin dhe fatkeqësinë që t’i përjetojë me moshë të vetëdijshme të dy pushtetet dhe tani më mirë se kurrë e kishte të qartë se nga i vinte rreziku më i madh kombit të tij.
Periudha e diferencimeve dhe largimeve masive nga puna, persekutimet dhe maltretimet çnjerëzore të ushtruara mbi intelektualët dhe atdhetarët shqiptarë do ta bindin përfundimisht doktorin se asnjë mirëqenie tjetër nuk mund të barabitet me të mirat që sjell liria e atdheut. Këtë e ndjeu me thellësitë më të papërkufizueshme të shpirtit gjer në ditën e rrënimit të diktaturës bolshevike. Koha i dha të drejtë bindjes së tij se në mes fashizmit dhe bolshevizmit stalinian nuk kishte kurfarë dallimi.
Ishte viti 1989 kur doktorin e dëbuan nga puna dhe e pensionuan para kohe. Ai u kthye në Tetovën e tij, ku mbretëronin kushte pak më të relaksuara për jetë normale dhe vendosi që, bashkë me të birin e tij, gjithashtu specialist të kardiologjisë, të hapë një ambulancë private, ku vinin e gjenin trajtimin dhe shërimin e duhur paciantë nga të katër anët e viseve shqiptare.
Ishte kjo periudhë vlimesh të mëdha shoqërore që nuk mund ta linin doktorin të rrijë duarkryq karshi tyre, ndaj, më 1993, ai do të gjendet në krye të një partie politike shqiptare – PARTISË DEMIKRATIKE POPULLORE, i gatshëm për të dhënë ndihmesën e tij në zgjidhjen e drejtë të çështjes sonë. Mjerisht, idealet e tij nuk përkonin me ato të pjesës dërmuese të aktivistëve e liderëve të tjerë të këtij subjekti politik, ndaj ai u tërhoq mënjanë, duke dashur, siç shprehet dhe vetë: “… Të jem rehat, që prapa shpinës sime mos të bëhen dallavere, sidomos të tilla që nuk mua t’i duroj me moshën time të shtyrë…”
Më 2002 do t’i thotë lamtumirë profesionit human të mjekut dhe, më në fund, do t’u qaset përsiatjeve dhe meditimeve të një udheje të gjatë e të mundimshme jetësore. Do jenë këto vite të rekapitulimit të një të shkuare të bujshme, që shpesh shndërrohej në debate të gjalla e polemizuese mes tij dhe bashkëkohanikëve që kishin zgjedhur të tjera ideologji dhe të tjera udhë që shpienin në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në debate të tilla vinin në shprehje idetë origjinale dhe të pjekura të doktor Jusufit, i cili kishte një epërsi ndaj bashkëbiseduesve të tjerë. Këtë ia mundësonte njohja e disa gjuhëve botërore, mbamendja perfekte e ngjarjeve të kohërave të ndryshme, paluhatshmëria në bindje dhe autoriteti i pakontestueshëm i fituar në jetë dhe profesion. Për karakterin e tij të fuqishëm e stabil flet edhe e dhëna se ai kurrë nuk i ndërroi bindjet e veta. Doktor Jusufi i pikasi 50 vjet para të tjerëve marifetet bolshevike. Për nga bindja qe dhe mbeti antikomunsit i përbetuar edhe në periudhën kur të ishe i tillë nuk ishte fare e lehtë. Ai kishte vizion të pastër evropian dhe nuk bënte pjesë në rradhët e atyre që shanin komunizmin jugosllav dhe pispillosnin imazhin e komunizmit shqiptar. Ai e njihte këtë sistem me themel, dhe, tamam si Faik Konica dikur, tërhiqte vërejtjen e pasojave të përkrahjes së kësja ideologjie. Ndoshta këtë e bënte pse vinte e imponuar nga sllavët, ndoshta pse për dr. Jusuf Rexhepin, ngjashëm si edhe për Naimin e madh, dielli lindte andej nga perëndon. Të gjitha këto e bënin të jetë i adhuruar edhe nga kundërshtarët ideologjikë. Ndaj, deklaratat e veçanta plot konsideratë e respekt, të thëna nga personalite të jetës politiko-shoqërore, ditën e vdekjes së doktorit, më 28 nëntor të vitit 2005, ishin me vend. Atë ditë kremtesh të mëdha kombëtare, Tetova kishte zi të vërtetë. Ajo kishte mbetur pa njeriun e saj emblemë, pa personalitetin që i dha vulë kohë-hapësirës së vet, pa njeriun që u bën nder të gjithë banorëve të Pollogut e të Malësisë së Sharrit, pa intelektualin që vdiq ashtu si jetoi: i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.

Tetovë, 23 prill 2006

(Parathënia e veprës “Autobiografia – dr. Jusuf Rexhepi”, 2006)

ObserverKult