Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare u promovua romani “Kusari” i shkrimtarit nga Katari, Abdulazis Al Mahmud.
Romani i botuar nga “Buzuku” u përkthye në shqip nga Ejup Ramadani, ndërsa provimi u bë në bashkëpunim me Institutin për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë.
“Kusari” është romani i parë arab që ka tematikë shqiptare. Ai motivohet nga ngjarjet e shekullit XIX në vendet e Gjirit, përfshirë edhe luftën e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Aliut kundër lëvizjes vehabiste në Arabi.
Autori Abdulaziz Al Mahmud u filloi së pari në gazetari, derisa u bë kryeredaktor i gazetës më të vjetër arabe në Katar (al-Arab). Si kryeredaktor tregoi interesim për Pavarësinë e Kosovës më 2008 duke ia kushtuar kësaj ngjarje historike dy shtojca të gazetës. Madje, ai erdhi në Kosovë në qershor 2008 dhe realizoi një intervistë ekskluzive me presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu e cila ishte e para për shtypin arab. Më vonë, A. Al Mahmut iu përkushtua letërsisë duke botuar “Kusarin” më 2011 dhe romanin “Veli i shenjtë” më 2016 etj.,për çka mori më 2019 Çmimin e Shtetit për Letërsi.
Në promovimin e romanit “Kusari” foli edhe poeti Fahredin Shehu, i cili në fjalën e tij u ndal në specifikat strukturore, narrative e ideore të romanit.
Në vazhdim mund ta lexoni recenzionin e Shehut për romanin “Kusari”:
Pakkush kishte mundur të pres nga një njeri i trajnuar në inxhinieri nga Clarkson University dhe gazetar që të krijoj beletristikë, përkatësisht roman që do të bëhet bestseller i të gjitha kohërave, i botuar nga një autor nga Katari. Abdul Aziz Al Mahmoud ka punuar edhe si redaktor përgjegjës për mediumin më të fuqishëm në Lindjen e mesme, Al Jazeera. Pas suksesit të jashtëzakonshëm si autor i këtij romani që sot po promovohet edhe në gjuhën shqipe ai ka udhëhequr edhe punëtori për shkrim kreativ, më saktësisht për shkrimin e romanit.
Në intervistën e tij të dhënë për Time of Doha, intervistuar nga Jessica Davey Quantick autori thotë:
“Mendoj se është më lehtë t’i mësosh njerëzit që të bëhen dentist se sa të jenë shkrimtarë, qëllimi im ishte që të jap udhëzim se si të flasësh për njerëzit, si të përshkruash vendet, si të kalosh nga përshkrimi në dialog si ta tërheqësh vëmendjen se si të shtosh informacion në secilin kapitull me qëllim që njerëzit të jenë të tërhequr në lexim, se si ta bësh me reale etj…”
Falë përkthyesit Prof. Ejup Ramadani dhe Botuesit më të njohur për ne, Buzuku, romani Kusari nga Abdul Aziz Al Mahmoud, i ofrohet edhe lexuesit shqiptar si një dritare për ta parë dhe kuptuar më mirë një pjesë të gjeografisë së globit, e cila pothuaj asnjëherë nuk ishte pa ndikime të jashtme dhe pa trazira.
Ideja që të shkruhet një roman për një kusar dhe një periudhë plotë trazira në shekullit XIX, e shtyu autorin që të hulumtoj në dokumentat arkivore të Anglisë koloniale, pas interesimit të tij për historinë dhe situatave politike në Gjirin persik dhe gjetjen e dorëshkrimeve të vjetra dhe librit nga shekulli XIX, “Ishulli i piratëve”, në bibliotekën e Lincolnshire të Mbretërisë së Bashkuar e cyti që me urgjencë të filloj të hulumtoj historinë e Gjirit persik dhe e tërë puna e shkrimit të romanit Kusari i mori plotë 11 muaj.
Në atë territor dhe atë kohë puqeshin interesat e ndryshme tregëtare të Perandorisë Angleze, betejat për dominim përzërja e Portugezve, më pas edhe e Holandëzëve, tregëtia me Indinë dhe Kinën, betejat mes fuqive lokale për dominim në Gjirin Persik dhe Pirateria e ndërsjellë në vecanti pirati legjendar nga ajo zonë i njohur si Erhame ibn Xhabir e bëjnë romanin shumë interesant.
Anglia dërgon një ushtarak me origjinë aristokratike që të shkatërroj kusarinë dhe në të njejtën kohë aktivizoj Persianet the Omanin në luftën kundër Vahabizmit Saudik, i cili po gllabëronte fshat më fshat në këtë mënyrë duke e rritur ndikimin e vet, nderkaq Kusari legjendar Erhame Bin Xhabir kishte agjendën e vet, e luftonte kushëririn e vetë dhe e hedh pamëshirshëm Bishrin, të birin e tij në det sepse e preu në besë të jatin për shkak të një shjpate tepër të cmuar nga sundimtari Anglez i Indisë e që duhej t’i dorëzohej Ibrahim Pashës si dhuratë në mënyrë që të bindej në luftën kundër Vahabive.
Po ashtu edhe sfida e të birit të Kusarit, Bishrit për t’u martuar me Selvën dhe ndalesa për arritjen e saj, një dashuri e ndaluar, nga ana e të atit tek lexuesi shkakton melankoli, por njëkohësisht zbulon zakonin e Erhames, Kusarit dhe vendimet e tij të prera, si në rastin se asnjëherë nuk theu marrëveshjet dhe asnjëhere nuk sulmoi anije me flamurin anglez.
Interesim dhe kërshëri të madhe te unë zgjoi një kapitull, kapitulli 38, i cili flet për Mehmed Ali pashën sundimtarin dhe themeluesin e Egjiptit modern si dhe delegimi i të birit të tij Ibrahim Pasha për t’i luftuar Vahabitët në territorin e Nexhdit, në Sujdhesën e Arabisë. Ibrahim Pasha kishte kalorës Shqiptarë, Arnaut (të cilët e kishin edhe slloganin qe nuk guxojnë të kthehen si humbës (këtu autori artikulon trimërinë e shqiptareve dhe njëkohësisht si autor serioz nuk tregon anshmëri për asnjë palë, por thjeshtë e shkruan një roman, i cili lexohet me lehtësi dhe me një realizëm të shquar e bindës pavarësisht se romani është fiksion epik, historik. Si dhe personazhet janë karaktere reale, gjë që, e bën romanin më interesant për ata, të cilët duan të kuptojnë pjesë nga historia faktike, për interesat e perandorisë angleze dhe zhvillimi rapid i ndikimit në jetën e njerëzve në Gji.
Editorët e Festivalit të Librit në Edinburg shkruajnë: njëra nga fuqitë e mëdha të Al-Mahmoud si autor qëndron në aftësinë e tij që të artikuloj ndeshjen e kulturave me të njëjtën simpati për të dyja palët.
Në roman është vështirë të veçohet një protagonist, kush hero e kush patriot, sepse mbi të gjithat dominon lufta për pushtet, namë dhe pasuri. Ngritja e fuqisë Vahabiste në Arabine Saudike dhe jeta e njerëzve në një shoqëri të ndarë.
Kapërcimi i lehtë dhe mjeshtëror nga narracioni në dialog duke përshkruar skena dhe detaje realiste lexuesin e lë të mësoj për jetën, traditën, betejat, tregëtinë, dominimin, zakonet, luftën për pushtet etj.
Një roman i këtillë lehtë me një skenar të bukur mund të shndërrohet edhe në film në mënyrë që edhe vizualisht të komunikojë me audiencën.
Përgëzoj autorin dhe ne veçanti përkthyesin dhe botuesin dhe të gjithë ata që kontribuan që ky libër të komunikoj edhe shqip./ ObserverKult