Nga Engjëll Serjani
Në kuadrin e pervjetorit të parë të ndarjes, u promovua libri “Në emër të Noes”, i Fatos Baxhakut.
Njohuritë e historianit dhe talenti e mjeshtëria e reportazhistit, në stilin ala-Baxhaku që përqafon atë të kronikave të Mesjetës, shkrihen për të na dhënë ndoshta librin më të mirë të tij. Bëmat e lundërtarëve e luftëtarëve arbër i flasin edhe të tashmes sepse, si shumë shqiptarë sot, ata mbijetojnë, luftojnë e njihen në botë duke krijuar identitete të tjera mbi atë të vendlindjes, pasi rreshtohen me Turkun e Madh, Venedikun, Papatin ose Spanjën.
Si dje edhe sot, u dërgojnë para familjeve në vendlindje, luftojnë edhe kundër njëri-tjetrit dhe shohin se të ardhmen e atdheut e vendosin fuqitë e mëdha, por gjithmonë mbeten të bindur se kanë një rol për të luajtur në fatin e tyre, të vendlindjes së tyre dhe “më gjerë”, siç shtonte me humor Tosi.
“Në emër të Noes”, libri i ri i Fatos Baxhakut, ka nisur rrugëtimin për te lexuesit e tij, të cilët mund ta gjejnë tashmë në libraritë kryesore ose ta porosisin atë tek librarët e tyre më të afërt apo në platformat on line (Adrion, Shtepia e librave, Bukinisti..)..