Gazetarja Laura Konda e njohur si një ndër figurat kryesore të Zërit të Amerikës, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Një jetë në fluturim”, libër të cilin vetë e ka përgatitur.
Libri u promovua në librarinë Dukagjini nga Laura Siliqi Konda, e bija e Drago Siliqit, që foli për veprimtarinë e babait të saj, prof. Agim Vinca që përmendi elementin që veçonte Dragon, “e reja në letërsi”, si dhe studiuesi Elion Kollçaku që ndër të tjera përmendi edhe letërkëmbimet e Dragos me Dritën, bashkëshorten e tij, veçanti e të cilave ishte diskutimi për letërsinë, si dhe për autorët e mëdhenj shqiptarë si Naimi, Çajupi, Mjedja dhe Migjeni, transmeton ‘epoka e re’.
Drago Siliqi, bir i poetit Bllazho Siliqi dhe nip i rilindësit të shquar Risto Siliqi, në fillim të viteve ’50 punoi në shtypin e rinisë dhe të fëmijëve dhe filloi të botojë vjershat e para.