Promovohet libri ‘Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919’ i autores Teuta Toska

Akademia e të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka organizuar promovimin e librit “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” të Teuta Toskës.

Veprimtaria u mbajt në mjedisin e jashtëm të Akademisë së Shkencave me praninë e autores, dhe të folësve: Valentina Duka, Elsa Demo dhe Mikaela Minga dhe u moderua nga Andi Rëmbeci.

“Pas diplomimit në kolegjin Amerikan të Vajzave në Stamboll në vitin 1904, Parashqevi Qiariazi i bashkohet motrës Sevastisë për të ndihmuar me mbarëvajtjen e Shkollës së Vashave. Në vitin 1908 ajo merrë pjesë në ngjarjet e Kongresit të Manastirit në krah të të vëllait, Gjergj Qiriazit, dhe dokumenton mbledhjet dhe diskutimet e rëndësishme që zhvillohen aty. “, -tha Rëmbeci

Historiania Valentina Duka, vlerësoi në mënyrë të veçantë punën e autores dhe rëndësinë e librit. 

“Botimi i ditarit të Parashqevi Qiriazit është një ngjarje e rëndësishme për historiografinë shqiptare, sepe studiuesit shqiptarë tani kanë mundësi të njohin konferencën e paqes edhe nga perspektiva e një prej intelektualeve më të shquara shqiptare të shekullit të 20-të. Dorëshkrimi i ditarit ndodhej që në vitin 1946 në Arkivin e Shtetit Shqiptar, kur arkivi i familjes Dako-Qiriazi u sekuestrua nga komunistët, sepse patriotët e shquar Sevasti Qiarizi, Kristo Dako e Parashqevi Qiriazi u akuzuan si agjentë të Amerikës”, -tha Valentina Duka.

Mikaela Minga dhe Elsa Demo, në dy këndvështrime të ndryshme, e vlerësuan librin e Teuta Toskës për interpretimin e detajeve që funksionojnë në mënyrë paralele me ngjarjet historike.

Në pamundësi të ishte i pranishëm sipas programit historiani i njohur David Hosaflook, në referatin e dërguar për t’u lexuar në këtë veprimtari shkruante se: “Vepra e Teutës paraqet mendimin e Parashqevisë, e rikthen zërin e saj, një zë që frymëzon, qorton, profetizon dhe jep receta për mirëvajtjen e kombit, jo vetëm për vitin 1919, por edhe për vitin 2021 e në vazhdim.”

Teuta Toska punon si drejtuese e departamentit të gjuhësisë në Universitetin e Elbasanit dhe që nga viti 2017 është edhe anëtare e Akademisë së të Rinjve, pranë Akademisë së Shkencave./shqiptarja.com

LEXO EDHE: Rrëfimi i studiueses për ditarin e Parashqevi Qiriazit