Një monografi për piktorin, Jakup Keraj, është promovuar në Tiranë. Studimi i Suzana Varvaricës, sjell të plotë portretin e artistit që u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare në vitin 1987. Në promovim, ajo e solli përmes kujtimeve të Ksenofon Dilos, që e ka njohur atë.
“Ai mbetet mjeshtër i trajtimit të figurave duke theksuar jo vetëm tiparet, por duke vërejtur me kujdes, anën psikologjike të veprës. Ndodh që autorë të shquar të mbeten jashtë vëmendjes, sepse kritika jonë, aq sa është mbetet subjektive, e njëanshme dhe hera-herës pikas më lehtë, se sa vlerat e heshtura, por të vërteta të çdo trajte qofshin ato”, tha Varvarica në emër të Dilos.
Mbi mjeshtërinë e veprave që la pas u ndal profesor Gazmend Leka. “Peneli i Jakupit nuk ishte një zgjatim i dorës së tij, nuk ishte një zgjatim i qenies së tij, por ishte piktura mu në qendër. Ishte sikur piktura po fliste vetë, sikur Jakupi ishte një instrument për t’u shfaqur”, -tha ai.
Botuesja Anila Bisha, rrëfeu anën personale me familjen e Jakup Kerajt, që më në fund hoqën një peng. “Ky botim është shumë personal me mua sepse ka të bëjë me marrëdhënien që unë kam me të bijën e piktorit, Albanës. Ajo dhe bashkëshorti i saj besoj sot kanë realizuar një nga ëndrrat e hershme për të sjellë një botim siç e meritonte ati i tyre”, -tha ajo.
Botimi mbi Jakup Kerajn, mbush boshllëkun që la pas ikja e tij në gati katër dekada dhe i jep jehonë, një arti të lënë në harresë./BalkanWeb