Hierarkia shtetërore dhe veprimtaria e objekteve monumentale e njëzet e tre qyteteve ilire është shpalosur në udhëpërshkrimin e publicistit Gani Mehemetaj, vepër kjo që u promovua në bibliotekën “Pjetër Bogdani”.
I vendosur në rolin e cicëronit, publicisti Mehmetaj, në vëllimin më të ri letrar, ka sjellë gjurmët e njëzet e tre vendbanimeve shqiptare që kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme.
Gjatë dy vjetëve të fundit, drejtori i “Kosova filmit” ka udhëtuar në “qytetet ilire”, ku ka përmbledhur kronika të para dymijë vjetëve, rrëfime të vendasve dhe ilustrime me fotografi.
Ngjarjet që tregohen në veprën e Mehmetajt, konsiderohen se tejkalojnë parametrat e një studimi historik.
Përshkrimi i qyteteve në këtë libër nis nga Gjakova, Nishi dhe zbret në Pazarin e ri, Artanë, Ulpianë, Rudinë e Prizren, Shkodër dhe Guci.
Në promovimin e librit u përmend edhe fakti se Gani Mehmetaj, ditë më parë, mori kërcënime serioze për shkak të qëndrimeve të tij politike.
Sidoqoftë, Mehmetaj, me këtë vëllim, u tha se prezanton peshën kulturore të popullit të lashtë të Gadishullit Ballkanik./ktv