Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në shtypin e shkruar australian. Mbi 10 gazeta kanë protestuar në një mënyrë të pazakontë kundër cenzurës, duke “nxirë” faqet e para të gazetave.
Daily Telegraph, The Australian, Financial Review e të tjera u shfaqen me shkronja të mbuluara me të zezë dhe me një vulë të kuqe ku shkruan “sekret”.
Protesta e gazetave vjen pas fuqizimit të ligjeve të sigurisë kombëtare, për të cilët gazetarët, sipas mediave ndërkombëtare, thonë se kanë bllokuar raportimin, duke krijuar një “kulturë fshehtësie” në Australi.
Qeveria është shprehur se mbështet lirinë e shtypit, por “askush nuk është mbi ligjin”.
Në qershor, policia sulmoi Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) dhe shtëpinë e një gazetari të News Corp Australia, duke krijuar një reagim të madh.
Organizatat mediatike kanë thënë se bastisjet janë kryer për shkak të artikujve që janë mbështetur në të dhëna nga informatorët dhe publikimit të disa lajmeve që implikonin forcat speciale të Australisë me krime në Afganistan.
Autoritetet shtetërore u shprehën se ishte cenuar siguria kombëtare.
Lidhur me protestën e të hënës, Drejtori i ABC David Anderson është shprehur se: “Australia rrezikon të bëhet demokracia më e fshehtë në botë”.
Ndërsa të dielën qeveria australiane përsëriti se ishte e mundur që tre gazetarë mund të përballen me ndjekje penale.
Michael Miller, shef ekzekutiv i News Corp Australia, postoi në Twitter një imazh të ballinave të zeza, duke pyetur, mes tjerash: “Çfarë po përpiqen të fshehin prej meje”?
Që kur është miratuar legjislacioni i ri kundër spiunazhit vitin e kaluar, mediat kanë lobuar që për gazetarët dhe informatorët të bëhen përjashtime, në mënyrë që ata të raportojnë informacione të ndjeshme.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha se liria e shtypit është e rëndësishme për demokracinë e Australisë, por shtoi se “sundimi i ligjit” duhet të mbështetet.
Fushata të hënën u mbështet edhe nga disa televizione, radio dhe ueb-faqe lajmesh. / ObserverKult