Protestë para shtëpisë së Agollit: A mund të quhet muze kjo gërmadhë?

Në 88-vjetorin e lindjes së poetit të madh, Dritëro Agolli, shoqata “Devolli” dhe klubi i shkrimtarëve dhe artistëve “Miqtë e Dritëroit” kanë protestuar para shtëpisë së tij, në fshatin e lindjes në Menkulas të Devollit, duke kërkuar që shteti të vërë dorë dhe ta kthejë atë në “shtëpi muze”.

Ata kanë kërkuar që qeveria të mbajë premtimin dhe të fillojë ndërtimin e shtëpisë së shkrimtarit dhe poetit të njohur, Dritëro Agolli, duke shtuar se kjo gërmadhë nuk mund të quhet muze. 

Në foton e publikuar në rrjetet sociale, në mesin e personave që kanë protestuar, janë edhe përkthyesit e verpave të Agollit në Kinë. 

“Ne 88 vjetorin e lindjes se Dritero Agollit, përveç ditës festive, shoqata “Devolli”, dega e Tiranës dhe klubi i shkrimtareve dhe artisteve “Miqte e Driteroit” protestuan para te ashtuquajturën shtëpia muze e D.Agollit ne Menkulas.

Është një turp i turpshëm për politiken shqiptare qe per nje personalitet kaq te madh te letrave shqipe, ta lenë ne këtë fare feje kete ndertese. Turp, turp i pafund”, është mesazhi i tyre.

Disa prej veprave të shkruara nga Agolli, si referencë frymëzimi kanë pasur vendlindjen e tij, fshatin Menkulas të Devollit.

Pos krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politike, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste.

Poeti dhe shkrimtari, Dritëro Agolli ndërroi jetë në vitin 2017, duke lënë pas shumë vepra dhe poezi të njohura./shqiptarja