“Ne gjithmonë na pëlqen të dalim pak nga vetja, të udhëtojmë, kur lexojmë.”
Nga Shqiponja Duro
Para një dekade, në një nga takimet me shkrimtarë e me me kolegë krijues flisnim me zell për Marsel Prustin. Unë në heshtje u rëndova nga injoranca ime dhe kritikova veten ‘po ky si më ka shpëtuar pa e lexuar’. Pyeta për ortografin e emrit të autorit dhe kryeveprën e tij dhe mbajta me një laps shënim në bllokun “Ex-Libris” që e mbaj gjithmonë me vete si një “enciklopedit autodidakte”. Ky është një kriter elaburues disi i sjellë nga koha kufizuar për të njohur pafund autorë të njohur përmes veprës së tyre më të mirë, por profesor “K” u përgjigj:
“Ah, këtu kemi një problem cilësor apo le të themi në gjuhën popullore ‘luksoz’, pasiqë çdo gjë e shkruar nga ai është kryevepër.” Në gjuhën e heshtur unë këmbëngula logjikisht se duhet të ketë pasur edhe për të një fillim, zhvillim dhe pikë referuese; ose rënie si shpesh ndodh me shkrimtarë të tjerë që për arsye ekzistenciale edhe rishkruajnë ndonëse janë të vetëdishjëm se çfarë kishin për të dhënë e thënë u hodh në letër.
Deri atëherë kisha lexuar relativisht shumë, por gjithmonë më rëndonte një boshllëk i madh si një re e zezë që më bënte hije e unë përhumbesha në errësirën time. Kisha përjetuar momente leximi nga më ekstazë sikurse novelat e Stefan Cvajg “Letër nga një e panjohur” apo “24 orë nga jeta e një gruaje” e kështu e kisha renditur Cvajg në shkrimtarët e mi ‘dada’ sikurse Anton Cehov, Dostojevski, Tolstoi…ura bënte harkun e natyrshëm te ajo letërsi që formoi disi mendimin tim dhe i dha nuancë shikimit lexues te unë: letërsia franceze duke filluar nga Flober, Didëron (La réligieuse)…Volter…: për arsye modestie këtë linjë të gjatë në renditje po e kufizoi me përshkrimin e një treni të gjatë sikur që pëshkruan përditë fushën e kujtesës sime e lë mbrapa një tym gri ku unë përsëri si në mjegull pranoj e heshtur se nuk e njoh tërësisht. Fundi i fundit edhe unë kam të drejtën time të mos di gjithçka. Mund të them se kam filluar vonë të lexoj, ose kur kam lexuar e re nuk i kam kuptuar e nuk kanë lënë gjurmë. Një faj më rëndonte gjithmonë “mbarova studimet për gjuhën frënge por nuk e njeh letërsinë e shkruar në këtë gjuhë të bukur’, prandaj fillimi im ka qenë i vetëdijshëm disi për të zbuluar letërsinë franceze.
Kurioziteti për të zbuluar Marcel Proust më çoi te biblioteka « Riche Claire » në Bruksel. Në dialogun e parë me nëpunësen e bibliotekës kuptova se bëhej fjalë për një seri romanesh si koncepti ‘triologji’ por në rastin në fjalë ‘shtatologji’ nëse mund ta thoja kështu. Rreth 2600 faqe krijim që fillon me fjalën ‘longtemps’ e mbaron me fjalën ‘temps’ : ‘kohë e gjatë’ që Prust do e titullonte këtë perlë në tërësinë e saj me « Në kërkim të kohës së humbur » (à la recherche du temps perdu )…
Në dorë mora për herë të parë « Dashuria e Suan » (Du côté de chez Swann). Fillova ta lexoj me ëndje dhe me nje nerv disi të pashpjeguar. Fakti që profesor « K » më pati thënë se çdo krijim i tij është kryevepër më kishte ndikuar pritshmërinë e leximit dhe në faqet e para ndjeja një habi por edhe një lloj « zhgënjimi ». Ose nuk po e kuptoj unë-kritikoja vetveten. I rikthehesha përsëri nga fillimi.
Përpiqesha të gjeja figuracione, diçka « wow efekt », por me kot nuk me ngjiste. Me krijonte një nervozizëm. Vendosa të lija ca ditë për të zgjedhur një moment më të qetë. Te rikojtoja çfarë kisha lexuar. E rimerrja ditën në vijim për ta lexuar ‘shtruar’ e zhveshur nga pritshmëria e përsosmërisë, të ngjitesha me kuptimin e shkronjave dhe ashtu sikur leximi filloi të ec si një tren në shinat e tij teksa jashtë bie shi dhe të gëzon e ngop ndjesia që je i mbrojtur brenda, në ecje duke vëzhguar romantizmin e rënies së flokëzave të shiut nje ndjesi plotësuese më pushtoi. Mund ta krahasoj këtë me kënaqësinë që të lë në sy një pikturë e bukur apo një foto e një dashurie të hershme. Një ngrohtësi sikur filloi të kaploj shpirtin e përvuajtja e Suan për gruan që donte filloi të më prek shpirtin. Ja kjo mund të jetë mendoja shpesh kur shkëputesha pakëz nga shkëlqimi i shkronjave apo kur mbaja shënim fjalë të reja në frëngjisht që leksiku im i kufizuar nuk i integronte dot në kuptimin e fjalive të gjata. Nuk ishin vetëm fjalët e reja që shkaktonin moskuptimin e menjëhershëm të një fjalie të gjatë tipikie prustiane, por ishte edhe arti i ndërtimit të fjalive me togëzime të zhdrejta që të impononin ose një përqëndrim stoik ose nervozizëm dhe braktisje të leximit. Në vëllimin e IV “Sodome et Gomorrhe” do të gjejmë një mjeshtëri të stilit analitik dhe mbase nga më të përsosurat në letërsinë botërore, përveç ushtrimeve të stilit, romaneve në një fjali…, do të gjejmë aty fjalinë më të gjatë që përmban 847 fjalë. Përsa i përket tematikave të larmishme, narratori në vetën e parë “unë” do t’i gjenim në vëzhgimet dhe interpëlimet e “propos” botës së mendimit konceptual mbi njeriun e kohës që fal universalitetit të mjeshtërisë së tij artistike ngelen aktuale e do i rezistojnë përjetësisht kohës. Tematikat e botës shpirtërore të personazheve dalin në pah në fragmentin e mëposhtëm:
“Dashuria kështu shkakton kryengritje reale gjeologjike të mendimit. Në atë të M. de Charlus i cili, pak ditë më parë, i ngjante një rrafshi kaq uniform, saqë në një distancë nuk mund të kishte perceptuar një ide në nivelin e tokës, papritmas kishte ngritur vetveten, i fortë si guri, një varg malesh, por male kaq të skalitura sikur disa statuja që në vend që të mbanin mermer, e kishin djegur atë në vend dhe ku ishin shtrembëruar, në grupe gjigande dhe titanike, tërbimi, xhelozi, kuriozitet, zili , urrejtje, vuajtje, krenari, frikë dhe dashuri. »
Kompleksiteti i formës strukturale të fjalisë e bënë lexuesin “punëtor mendjeje dhe durimi”. Eh, sa herë i kam hedhur e rimarrë në dorë librat e tij sa mund të them që nga ndjenja e fajit kur e rimerrja librin e ledhatoja kopertinën, i mbaja erë dhe pastaj e puthja lehtëz. Një dashuri inkoshiente filloi të merrte jetë për stilin e tij psiko-analitik. Më dukej sikur nuk ishte Prust që shkruante por zemra e Suan, Albertine… e ngulur thellë në zemrën time. Sikur isha unë. Thjesht unë në brendi të personazhit kryesor. Dhe jo vetëm, një ironi e hollë, sarkazëm artistike për shoqërinë mondane që rrethonte personazhin kryesor më bënte të qeshja; të qeshja me zë. “Proust pour rirë”; marë në aspektin komik. Nëse do të pyesja një lexues cilësor të veprës së Prustit medoemos do citonte : “J’ai vu une vache rentrer dans mon salon …Je reconnais qu’elle n’a pas l’air d’une vache car elle a l’air de plusieurs.” (e pash një lopë të hyjë në sallon…pranoj që ajo nuk i ngjan një lope sepse ajo i përngjan disa prej tyre) dhe para të shfaqet një siluetë gruaje e metamorfozuar me disa koka lope. Nuk di dhe pse më tingëllonte sikur ndjeshmëria me të cilin Prusti përshkruan botën e brendshme të personazheve duket sikur vjen nga një ndjeshmëri e hollë gruaje. Mos ndoshta kishte kjo të bënte me faktin që ai ishte homoseksual? Një butësi humane, një çiltërsi fëminore, një botë e pasur, një sinqeritet origjinal që do e quaja një “hyrje nën lëkurë” të çdo personazhi. Në pozicionin e ndjerë si lexuese të krijohet përshtypja se nuk ke më pritshmëri se çfarë do ndodhi me personazhin pasiqë ‘intriga’ shkrihet me një kolorit të ri të papriturash me botën e personazheve: me botën shpirtërore; me atë çfarë ndjejnë, mendojnë e parashikojnë ata se do ndodhë. Segmenti kohor po ashtu të shkrihet; nuk të interson më të dish; kur, në çvend, në çfarë rruge jetojnë personazhet pasiqë koha kthehet në një nocion relativ dhe vendi të shndërrohet në rrugën ku ti si si lexues, kudo në botë je duke lexuar me librin e Prust në dorë. Ai kthehet në një ‘Universium’: një mozaik universal. Narracioni është një “chemin innconu” : një rrugëtim i panjohur. Ai të merr për dore dhe të shëtit në një kopësht pafund: e lakuriq. Epokat e kohës kryqëzohen, por ngelen përjetësisht aktuale pasi që dashuria është e pavdekshme në çdo kohë.
Kur lexon Prustin të duket sikur shikon një album me ‘souvenirs’ me kujtime sensuale që flasin për jetën tonë në kuptimin e brendshëm; thellësisht të brendshëm, të ndjenjave humane. Ndonëse arma e tij më e madhe teknike ështe ‘fraza’, ai të tërheq si një kal i bardhë drejt një galopimi në çdo kohë. Ai të detyron, të stërmundon të koncentrohesh, të ndiesh, të kuptosh, të lirohesh nga skemat gjykuese për tjetrin dhe një gjë është më se e sigurt, ai të edukon edhe të duash më bukur edhe të elaborosh vizionin me ‘ouverture d’esprit’. Të ndiesh thellë qënien njerzore me gjithë dritëhijet e tij. Po ashtu, Prusti theu tabutë e të menduarit ndryshe, e të dashuruarit ‘ndryshe’; ai trajtoi me një natyrshmëri dhe origjinalitet fenomenin e dashurisë ’inter-gender’; biseksualizmin, homoseksualizmin…Dashuritë e fshehta; të jetuara nën errësirë e mentalitetit të shoqërisë që fillonte të ndryshonte drejt zhvillimit . Personazhet e Prustit hapin dritaret e të ardhmes dhe i paraprijnë kohës. “Proust c’est moi lorsque je lis “ A l’ombre des jeunes filles en fleurs” do shprehej Margarite Duras (Prust jam unë kur lexoj Prust ). Të njëjtën gjë do thonte edhe Borges per Shekspirin : « Shekspiri nuk egziston ; ai jam unë kur lexoj Makbethin, Hamletin, Otello…: Shekspiri është i shkrirë me lexuesin e tij.»
Ai, narratori; si kult surreal të shfaqet ndonëse i padukshëm dhe të shkrihet në brendi të zemrës së lexuesit. Si e tillë që pretendoj se relativisht jam, pasi që Prusti nuk kuptohet apo nuk mbahet mend në tërësi të veprës së tij letrare për ‘fabulën’, por të cilësisë përshkruese të personazheve dhe shoqërisë me brendi të karakteristikave psiko-analitike, sociale e filozofike. Unë nuk do pretendoja të bëja analizën e të gjitha librave të tij që për arsye autontike do i renditja kronologjikisht; “Du côté de chez Swann” (Dashuria e Suan), “à l’ombre des jeunes filles en fleurs” (në hije të vajzave me lule), “Le côté de Guermantes” (Në anê të Gurmantes), “Sudome et Gomorhe”, “La prisonnière” (e burgosura), “Albertine disparue” (Zhdukja e Albertinës), “Le temps retrouvé” (rigjetja e kohës), pasi që nuk ndihem kompetente në lëmin e analizës letrare, por si lexuese e tij mund të konkludoja se kemi të bëjmë me një Shkollë të Re: Shkolla Prustiane. 5 vjet kohë që unë i kam dedikuar leximit dhe relativisht kuptimit të krijimtarisë prustiane: kjo perlë e letërsisë botërore është baza dhe boshti i një formimi letrar, dhe jo vetëm. Ai të imponon respekt human. Aq shumë “il m’a marqué” (më ka lënë gjurmë në shpirt) sa kam dashur të di më shumë për jetën e tij ; pse jetoi e shkroi në vetmi, si vdiq, kush ju ndodh afër…
Mund të themi se Prusti të krijon një personazh të ri në vetëvete që të çon drejt vetënjohjes. Po, ai të ndihmon të njohësh vetëveten. Ai shkrin në botën shpirtërore të personazheve edhe atë të mendimit. Personazhet të kujtojnë pyetjen esenciale të Dekartit “cogito ergo sum” (mendoj, pra ekzistoj)», Sokratin e lashtë grek, i cili konsiderohet themeluesi i filozofisë perëndimore me «Njih vetveten. Unë di aq sa nuk di asgjë!», zgjidhjen e Kamysë ndaj problemit filozofik si të njohësh dhe të përqafosh absurditetin e jetës, egzistencializmin e Sartrit me « Egzistenca e tjetrit e dezintegron egzistenën time! Ferri janë të tjerët…» apo “L’existence précède l’essence“ (egzistenca i paraprin thelbit : esencës). Po ashtu këndvështrimi neutral i narratorit me zhveshjen e njeriut nga dogmat morale : imoralitetin dhe ‘vdekjen e Zotit’ : ateizmin e Niçes. Ndërkohë personazhet nuk ‘filozofojnë’ në mënyrë aktive ata shpalosen « nën lëkurë » të trupit dhe unit të tyre. Lakuriq.
Lexuesi (sja) ; unë si e tillë ; në zbulim të jetës së Prustit u familjarizova me Selestin ; një imazh gruaje (jasht veprës) që më shumë se një shërbëtore në shtëpinë e Prustit, ajo që e shoqëroi me humanizëm e përkushtim Prustin deri në frymëmarrjen e fundit (18 nëntor 1922). Ajo e përshkruan shkrimtarin si një fëmijë në një botë aq të lumtur edhe të dhimbshme. Një mëngjes Prusti do i thoshte tërë dashuri familjare si një fëmijë i lumtur që kishte parë një ëndërr të bukur:
« Selest, këtë natë ka ndodhur diçka e mrekullueshme, aq madhështore sa edhe e papërshkrueshme. Këtë natë shkrova mbi letër ‘fund’. Tani le të vdes. » Lumturia e tij fëminore ishte konfirmimi që jetoi për të shkruar dhe më në fund mund të shkonte i qetë dhe i mbushur nga një ndjesi lumturie « nihiliste» e ekzistencës së tij si individ. Ai jetoi vetëm për të shkruar. Ai punoi e krijoi me bukurinë dhe shpejtësinë e shpërndarjes së dritës. Edhe në errësirën time ai solli me erudicionin e tij dritë. Ai la kreveprën e tij brenda një decenie. Sot lexuesi nën mesataren njeh « Pyetësorin e Prustit » ; ai i mesatares njeh relativisht vetëveten duke lexuar Prustin, ndërsa lexuesit cilësor duke lexuar Prustin del përtej vetëvetes dhe i lind dëshira ta rilexoj e të shkruaj. Po, leximi i veprës së Prustit kultivon kulturën e të shkruarit me artin e fjalës, teknikave të frazës dhe shpirtit të fjalëve.
Nëse lexuesi(sja) ; unë si e tillë nuk do kisha lexuar Prustin nuk do isha kjo që di relativisht kush jam, por pse jo rastësisht, falë edhe profesor « K », e lexova pa pretenduar se e kuptova në tërësi Prustin ; kuptova ekzistencializmin e mozaikut psiko-analitiken në qenien njeri me ‘trup dhe ndërgjegje’ që punojnë të dyja në kahe të kundërta por që mbajnë në ekuilibër harmonik botën shpirtërore dhe mendore e të qenit real si fenomen psiko-socio-filozofik.
Prusti do duhej të ishte në librarinë e letërsidashësve si një relikë, si një flakë e ndezur në dhomën e errësirës që me kujton Wirginia Woolf në vetminë e dhomës së saj me fjalët : «E dua vetminë në dhomën time për të depozuar aty në paqe çfarë posedoj.» Falë lëngut të kësaj lloj letërsie hyhet lehtaz në universin e shpirtit e lexohet aty edhe ana errët që përditë e fshehim me maska; e duke e pranuar sa e errët është hija jonë ; aq më shumë bie dritë mbi anën e mirë të të qenit si njeri me « trup që punon » e ndërgjegje që na dallon nga të qenit kafshë a-sociale. Falë çfarë Prustit të lë të kuptosh, të lind edhe dëshira të udhëtosh. Udhëtimi më i gjatë, ai rreth e rreth e brenda vetvetes sikurse vet Prusti do e përshkruante : “On aime toujours un peu à sortir de soi, à voyager, quand on lit “Na pëlqen gjithmonë të dalim pak nga vetja, të udhëtojmë, kur lexojmë.”/ ObserverKult