Pse i duhen poetat nji vendi?

dashunia jonë poezi nga gjergj jozef kola

Nga Gjergj Jozef Kola

ELEGJI E LETRAVE SHQIPE

ESSE – Për festivalin ndërkombtarë të poezisë në Kosovë.

1.

Ma parë se me u ba shtet, Gjermanija lindi njiherësh Goethen e Schillerin, të cilët me vargje ndërtuen ADN-ën e kombit. Fryma e këtij kombi e mbushun me afshin e poetëve, hapi rrugën e nji nga shteteve ma të fuqishëm të kohëve moderne.

Për analogji historike, ishin pikërisht poetët e rilindjes së shekullit 19 që pregatiten strukturat e kombit ku kishte me lindë në fillimshekullin e 20 shteti shqiptar, falë edhe Hebames Habsburge në Vjenë..

30 vjetët e parë të pamvarësisë së Shqipnisë e mbushen çdo qytet me poetë të mrekullueshem, a thue se  qiella që kishte qenë e mbyllun për 5 shekuj i libroi  engjujt pendëflakë e ata u sulen në bregun e Adriatikut…

Kishte qytete si Shkodra, ku ranë aq shumë engjuj pendëflakë saqë në çdo rrugicë kishte nji poet e në çdo derë nji shkrimtar…Pashko Vasat, Ndoc Nikajt, Gjergj Fishtat, Ndre Mjedat, Ernest Koliqët, Millosh Nikollet, Ndre Zadejet, Lazer Shantojet, Vincenz Prendushat, Arshi Pipat shtriheshin mbi muret e nalta të kohes si lulevilat e pranveres…

Me vendosjen e diktaturës në 1944, fantazma osmane doli nga „lampa e Aladinit“ e u vesh me kostumin komunist. Me tanë urrejtjen shekullore patologjike të ali pashës së tepelenes, mutacioni komunist iu vërsul kulturës shqiptare dhe e rrafshoi me gjak e hekur, tue e lanë vetë fantazmën osmane me gojë haptë.

Shqiptarët e Kosovës u quejtën „miq e komshi“, ndërsa serbët vëllezër nga diktatori komunist i zonës së parë operative. (?)

Jo vetëm shpirtat e bukur kanë etje për poezi, porse edhe zompit janë të etun për gjak, si nji luftë e përhershme të së mirës me të keqen. Ky mutacion osmano-komunist arriti deri aty saqë dhunoi vorrin e poetit te kombit At Gjergj Fishtes e askush ne demokraci nuk u ndëshkue për ket krim, madje ata që e dhunuen vazhdojnë me u dekorue nga establishmenti postkomunist…

Për 45 vjet diktaturë nuk u lind asnji poet e kombi i fshehu gjenite siç ban dimni me rranjën e luleve. Në kët përpjekje të përbindshme për me lindë diçka, diktatura shterpe komuniste krijoi standartin e 72, nji  gjuhe mushke, siç pati paralajmerue Fishta i madh, as kalë e as gomar, as gegnishte e as toskenishte, ne fakt shume toskenishte e pak aspak gegnishte…

Si pasojë e kesaj, ndalimi i gegnishtes me ligj e shtremnini i toskënishtes po me ligj, nuk lindi asnji poet ma. Brezat e lindun nën diktaturë lexojshin me kënaqësi sublime poetet e lejuem të kombit, Mjeden, Nolin, Migjenin, Poradecin e sidomos te ndaluemit, Fishten e Koliqin, porse neveritshin poetucet skllevër të diktaturës, të ashtuquejtunit: realsocialistë. Në moçalin e tyne realsocialistet mbytën çdo specie poetike, rrafshuen çdo individ e si pasojë për çdo poezi apo prozë kishte vetëm nji stil: stilin standartas.

Jo pa lidhje, në Kinën e lashtë fëmijve valltar u vendosnin këpucë drunit që mos me iu rritë kurrë ma kambët, e realsocializmi u vendosi poeteve po këto këpucë e sot duken te tanë njilloj. Standarti, ky akt kriminal që bani belbacuk kombin tonë lindi njiherësh me revolucionin monstruoz kulturor maocedunist.

Kombi shqiptar ishte shprishë në atë mënyrë tragjike, saqë kur erdhi liria me 1992, shumica e popullit kërkonte me ikë sa ma parë jashtë shtetit. Të parët që ikën ishin realsocialistat, nga frika se revolta popullore kishte me i linçue për krimet që kishin ba, porse lumi i historisë shqiptare u kanalizue në njiqind përrej të vegjël e nuk u vendos kurrë drejtësija e meritueme.

Asht kjo mungesë e vetpastrimit, e asaj që Frojdi quen, „shtypje e neurozës“ që e vazhdon ende sot krizën e Identitetit të kombit shqiptar: shkurt, frenon lindjen e poetëve që riformojnë kombin.

Nëse njeriu lexon sot gjenitë e botës në poezi apo prozë e dallon menjihere Autorin prej stilit të tij, porse edhe nji njohës i letrave shqipe e njef stilin e gjenive të poeteve shqiptar të pamvarësisë, Fishtës, Mjedës, Poradecit, Kutelit, Konicës, Cajupit, Nolit, Frashërit, Koliqit, Migjenit…

Ndërsa nji poezi apo prozë në standart nuk të lejon njohjen e autorit sepse aty mungon stili: standarti si artific e mbyt stilin. Shumë qytetnime jane zhdukë për arësyen e vetme se kanë mbytë poetet me gurë ose i kanë zhvarrosë ata e u kanë hjedhë eshtnat në lumin e harresës.

Në Babilon njerzit nisen me ngritë nji kullë deri në fronin e Hyjit, porse ata nuk e ndërtuen kurrë sepse gjuha u ngatërrue rrugës dhe qëllimi final u shkërmoq bashke me kullën. (Standarti i 1972 ka kët mision shkatërrues kundra kombit shqiptar e deritash ja ka dalë me sukses, mjerisht.) Prej aty njerzit ndërtuen qytetnime te tjera, kombe të tjera me poetë të rij. Kështu nën diktaturën neverhoxhiste u rriten stilet e poetët jashtë sistemit realsocialist, mbijetoi nën diktaturë Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli në universin e tyne të mbyllun, në toskërishten e lëvrueme me mjeshtëri, njashtu si Arshi Pipa në USA apo Ernest Koliqi në Itali, me gegnishten e tyne aq të natyrshme e mjaft të pasun.

 Natyrisht majen ma të naltë e përban Martin Camaj, që në vetminë e Lenggries nga 1970-90 krijon edhe stilin ma unik në poezine shqipe, të perfaqsueme nga gegnishtja.

Në premierën e dramës MARTIN CAMAJ – POETI I VIZATUEM, në Lenggries të Gjermanisë, bashkshortja e tij, Frau Erika Camaj na tha se Martinit i asht dashtë nji jetë me latue e limue stilin e tij origjinal. Të mendosh se sot letrarët shqiptar mendojnë se tue lexue nji libër arrijnë nji stil origjinal.  Nëse lexon nji poezi të Camajt, e njef menjiherë autorin, gjaqë nuk mund të thuhet për të tjerë, poetë realsocialistë, të cilët ngjajnë si pika ujit në stile.

Me Martin Camajn në 1992 u mbyllë edhe diktatura komuniste, si nji paradoks historik, se në fakt Martin Camaj i „pau dhambët e amshimit tue u mbyllë“ per të fizikisht, e fatlumnisht tue u hapë për kombin shqiptar e për poezinë shqipe.

Ky asht fati i poeteve te nji kombi në kristalizim e siper, si nji diell në lindje, përgjakë horizontin perballë…

Jam i lumtun që në kët festival ndërkombtar të poezisë asht e ftueme edhe poetesha shkodrane Ledia Aleks Dushi, si vazhdue e denjë e poezise Camjane, si shenjë e vazhdimsisë.

2.

Që të jena të qartë që në fillim: Kombin shqiptar nuk e formojnë oligarkët politiko-fetaro-tregtarë, sepse ata janë të parët që e braktisin Kullën e Babilonit, porse poetët, sepse ata janë fjala, ADN-ja që e mban kullën në kambë.

Me rritë nji poet në tokën shqiptare asht si me hapë nji pus me gjylpanë e kjo ndodh qëkur ishim arbnorë. Ka 5 shekuj që shkrimtari ma i randsishëm, bestselleri i vetëm i shekullit të 16, arbnori Marin Barleti ende nuk e ka të rindërtuem vendin ku shkroi kryeveprat e letrave shqipe: Bazilikën e kalasë së Shkodrës, respektivisht: Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Skanderbegut.

Kanë kalue 30 vjet demokraci e gjendja nuk asht aspak e kandshme, as për poetët e as për kombin shqiptar. Në dy shtete i ndame, me pakica në dy të tjerë, kombi shqiptar drejtohet nga politikanë me formim postkomunist e jo nga poetë me formim universal – human, që janë të vetmit që munden me ringjallë kombin shqiptar në Ballkan.

Mbeshtetja që bota po u ban „klounëve politike“ shqiptar, kallxon edhe nji herë seriozitetin që ka bota e qytetnueme ndaj nesh e tragjikomikja qindron në atë që këto politikan po e losin rrolin e tyne me shumë seriozitet tue lan Sanço Pançon e don Kishotin me gojë haptë. Këtu për poetin e kombit nuk e ka asnji shancë mbijetese.

Reminishencat osmano-bizantine, respektivisht turko-greke sot, kanë qenë historikisht dy helme në frymëmarrjen e kombit shqiptar prandaj flirtet politike me këto dy vende që janë në anmiqësi të thellë më njeni tjetrin, vetem sa e thellojnë edhe asfiksinë e Shqiptarëve.

Rranjët arbnore janë e vetmja forcë e mirëfilltë që lulëzon pemën e kombit shqiptar. Fundja falë kësaj rranje kombi shqiptar i qindroi asimilimit 5 shekullor turko-greko-serb.

Pozitive në demokraci asht ajo që poetët gegë u ringjallën menjiherë, njashtu në universin e tyne të strukun në mjegullnajë. Penda që kishin shkrue në „letërsinë e heshjes“ si Zorba, Lazer e Jozef Radi apo Primoja, nisin me e zbukurue pranverën e kthyeme të poezise shqipe, bash si zambaket e borës  që nxjerrin kryet me kallxue se stina e luleve nuk asht lerg. Mjaft poetesha të reja shqiptare gege, si Ledia Dushi, Arjola Zadrima, Ledri Kurti Kraja, Donika Dabishevci, Manjola Brahaj, Lindita Ahmeti, Diana Toska, Kaltrina Uka, Mira Nikolli, Vlora Ademi, Desantila Qerimaj, Eljona Kodra etj, zbuluen vallen poetike të shtojzovalleve: SHTOJIZOTVALLET!

Nga ana tjetër disa poetë gegë, madje të talentuem, nuk gjetën forcë me dalë mbi standartin, apo nuk deshën me hjekë monopolin e tij e kjo solli atë që shumë prej tyne vazhdojnë me shkrue në stilin e stilisteve të pastilë, porse të afirmuem të diktaturës.

Poeti i kombit At Gjergj Fishta shkruen para  100 vjetësh, 5 vjet mbas pamvarësisë: „Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka letrarë“… Shqipnia sot në 2021 asht i vetmi vend në botë ku letrarët botohet prej njohjeve politike e jo për hir të stilit e talentit poetik.

Politika  e përkeqesoi plagen e gjuhës e të poezisë saqë të vjen me çitë vner kur shef se si letrarë pa asnji stil mbajnë kunorën e larit mbi krye.  Si askund në botë  vazhdojnë me u frye letrarët e pastil të diktatures, njashtu siç kerkon njeriu me kthye jetën normale tek nji zombi perçudnues. Rezultati njihet, sot nuk kena asnji veper dinjtoze, shperthyese gjeniale, as poetike e as prozaike nga këto pseudostiliste.

Sepse fundja duhet me ra dakort që: STILI ORIGJINAL ASHT AI QË PËRCAKTON LETERSI, POEZI E ART!

3.

Arti e letersia si shumëçka tjetër në shoqninë shqiptare asht marrë peng nga politika e nga oligarkët analfabetë në poezi. Establishmenti kujdeset perditë që të mos kalojnë kush rrethin vicioz e gjithçka të konsumohet në vetvedi.

Në asnji shtet të botës nuk ndodh absurdi shqiptar, ku drejtues të naltë të shtetit ndajnë urdhena shtetnore pseudoartistave të realsocializmit, në mënyrë që ata të marrin nji pension të dyfishtë në kohën e demokracisë, të cilën tanë jetën e kanë sha e shilue.

Askund në botë nuk ka ndodhë, vetëm nën rilindjen e Eduin Ramës që të mbahet Kuvendi i poetëve të Diasporës e të ftohen shkrimtarucët që jetojnë në Tiranë me drejtue panelet e me folë për letërsinë në Diasporë!? Korrupsioni e tallavaja nuk mund të ketë fytyrë ma monstruoze se kjo!

Porse nga ZONA E PARE OPERATIVE nuk mund të pritet gja tjetër, ajo e ka për mision shkatërrimin e kulturës e të kombit shqiptar të ndërtuem me aq mund e dashuni nga Rilindasit e nga Habsburgët.

Na duhet me u ba të vetëdijshëm se ishin poetët e kombit, Gjergj Fishta në Gegni e Naim Frashëri në Toskëri që e ngjizën kombin shqiptar ne fillim shekullin e XX e sot në fillim shekullin e XXI ata mungojnë tmerrësisht. Kjo ndodh jo se kombi jonë asht shterbë e nuk ka forcë me lindë poetë, porse establishmenti postkomunist përkujdeset që ata me i mbytë që në lindje.

Realsocialistet kanë marrë peng botimet e ndodh siç i ngjau romanit bestseller në Amazon„TIM AUTIST“, për të cilin Autorit, nji nga shpitë ma të mëdha botuese në Tiranë i kërkoi ta sillte në standart prej gegnishtes, se ndryshe nuk mund ta botojnë e nuk e botuen: APARTHEIDI VAZHDON!

Keshtu cerberusat e politikës kujdesen që edhe nese nji Autor  fiton papritmas nji konkurs drame me Juri të ndershme, të pakompromentueshme, siç ngjau edhe me dramën NANE TEREZA NE SHKODER vijne menjihere osmano-bizantinet nga kryqyteti e ta hjekin e ja japin vedit, të pastileve, për 30 asprat biblike.

Aktualisht në Shqipni nji poet – autor, që me mundimin e nji jete ka ndërtue nji stil të vedin në poezi apo prozë nuk e ka asnji shanc me dalë në siperfaqe, edhe nëse shkruen 200 „Elegji Duine“ apo 10 „Komedi hyjnore“  njiheresh. Ministria e kulturës ne Tiranë as që e ka në agjenda krijimin e „shpirtit te kombit“ nëpërmjet poetëve, porse vetëm pasunimin e pafre të titullareve te saj, siç shifet edhe nga deklarimi i pasunive në shtypin shqiptar, prandaj unë nuk habitem që  për projektin poetik apo dramatik të rradhës, ata as denjojnë të përgjigjen, sepse nuk kanë as pikën ma të vogël të edukatës e kulturës, çmos kush në botën e madhe, të qytetnueme të perendimit, Europës ku dojnë me shkue e me ardhë. Ministritë shqiptare konsiderohen si „Selbstbedienungsladen“ thonë gjermanët e jo si drejtuese të kombit me forcën e shtetit.

Unë u jam jashtëzakonisht mirnjoftës poetëve shqiptarë të Kosovës e veßanarisht poetit te afirmuem ne botën e poezise e te vlerësuem në mbarë kontinentet, z. Fahredin Shehu  që më afruen kët platformë dinjitoze festivali botnor me folë për atë që nji poet ka për zemer: shpirtin e kombit të vet. Në Amazon, platformën e vetme demokratike që nuk kërkon as lidhje politike e as ideologjike e as fetare, porse përcakton bestsellerat në bazë të shitjes së librave, unë jam i prezantuem me 50 drama e 10 romane e 4 poema në shqip e gjuhë të hueja, në stilin që kam ndërtue tash nji jetë letërsi.

Flirti i pështirë që rilindja ne Tiranë po ban me serbosllavët e Ballkanit duhet të jetë nji shtysë kundravepruese e shqiptarëve të Kosovës e te mbarë Gegnisë për kundrapërgjigje.

Unë i lëshoj klithmën e shqipes Kryemnistrit të Kosovës z. Kurti për me ja ba tana nderet emnit të tij shqiptar ALBIN dhe me e nxjerre TE JASHTLIGJSHME NE KOSOVE  STANDARTIN STALINIST te zonës së parë operative! Ne vend të tij me kthye STANDARTIN që ishte ndër shekuj me të cilin u shkrue edhe kryevepra e kombit shqiptar: LAHUTA E  MALECISE!

Bajeni ket për kombin tone zotni Kurti, njashtu siç e bani edhe Ernest Koliqi për ket komb kur hapi me qindra shkolla në Kosovën e librueme nga serbet. Ju e keni rastin me hi në kujtesen e kombit si legjendë, si Muji e Halili e si Gjergj Elez Alija me kët akt të madhënishëm.

Dhamb për dhamb e sy për sy me të keqen që na ka marrë peng kombin – thërret poeti biblik!

Na si komb kena mungesë të madhe ne forcën e pastrimit nga e keqja historike, njashtu sic ka nji fëmijë mungesë nga vitamiina D kur nuk e shef diellin për nji kohë të gjatë. Kështu gjuha shqipe përditë e ma shumë po bastardhohet me fjalë të hueja sepse standarti nuk asht i aftë për vetpërtërimje e dalëngadalë „vena nuk mban ma ujë“. Më duket se jena nji sirenë në breg te detit që mbulohet me cdo barishte që hjedh koha e ket fenomen kameleoni askush nuk e vuen ma shumë se gjuha, sepse ajo nuk lejon kameleonizma, porse vetpastrohet.

Drama „Musine Kokalari“ e shkrueme në toskënishten e Musinesë e ne Gegnishten e Autorit, nji bestseller shqiptar në Amazon kallxon se keto dy dialekte rriten së bashku si identitet i letrave shqipe, lerg artificit të standartit të imponuem e antishkencor të diktatures komuniste.

Pa paskajoren që hoqi me dhunë diktatura komuniste, nuk ka gjuhe shqipe.

Shtetet e forta qëndrojnë mbi kombe të forta e këto kombe të forta u formuen prej poeteve, prandaj edhe i prijnë qytetnimit. Shqipnia shtrihet në dy shtete jo të forta, sepse nuk asht ende nji komb i plotë e për me u ba i tillë i duhen poetët, poetët antikonformiste e jo ata postkomunistë.

Jena i vetmi komb në botë që nuk kena nji poet, prozator apo dramaturg si pikë referimi, si institucion, njashtu siç kena pasë në politikë Presidentin Rugova apo në kulturen e paqes, Nanë Terezen. Kjo kallxon se shoqnia shqiptare asht vetmarrë peng si akrepi i rrethuem nga zjermi e pret ditën e kamikazes në vetëdije e identitet, njashtu siç e don anmiku, shkruen Fishta i madh gati nji shekull ma parë…

Vllaznit siamez, gege e toske duhet te vazhdojne me u rritë njilloj së bashku, se përndryshe njeni ka me ia marrë shëndetin tjetrit, ka me marrë gurin e Kainit në dorë, siç vepruen komunistat toskë nën 45 vjet diktaturë, ose kanë me pasë fatin kirurgjikal të binjokëve siamez.

Prandaj na duhen poetat me krijue kombe prej mermerit e jo shtete prej kartuçit.

Poeti dikur i panjoftun gjerman Frederik Shiller braktisë karrierën e mjekut ushtarak në moshë të re për me iu përkushtue dramës e poezisë, të cilat vitin e parë e çojnë në greminën e luftës për egzistencë, derisa nji mecen i artit e letërsisë e zbulon atë dhe falë tij rritet nji gjeni i mbarë njerzimit.

Mos i leni poetët e ri të kombit shqiptar me humbë në luftën për egzistencë, se kombi jonë ka sot ma nevojë se kurrë për to.

Në kët festival unë gëzohem me u paraqitë me poemën e pabotueme: ROZAFAT, prej së cilës më lejoni me afrue disa rreshta:

Rozafat,
ti fat i drandofiles!
Me të shtërngue ty në dorë
mbushen gishtat me gjak 
e bahen penda dashunije,
se gjaku jot mban lidhë themelet
Ku rrëmojne ende sot
Hijenat me feçkat e përgjakuna.
E ti aty perditë vdes
E ata përdite majmen, tue ndryshue pamjen
Herë çakall e herë zagar:
Kunetënit, kumbarë të vdekjes,
porse ti je dashuni
në vetpërsosje…

Vjenë, 01.08.2021