Pse ishte zhvarrosur Salvador Dali?

Çmenduritë njerëzore s’kanë kufij. Plot 36 vjet pas vdekjes, eshtrat e piktorit të madh surealist spanjoll, Salvador Dali, janë zhvarrosur në vitin 2017, vetëm për t’i bërë një test ADN që lidhej me trashëgiminë e tij. Dali vdiq nga një infarkt në moshën 84-vjeçare në vitin 1989, por, Maria Pilar Martinez, një grua spanjolle, 64-vjeçare nga qyteti i Gironas pretendonte që ishte vajza e artistit, pasi nëna e saj kishte punuar disa kohë guvernante në shtëpinë e tij në kohën kur ajo kish lindur. Ajo ngriti një padi në gjykatën e Katalunjës dhe pas 10 vjetësh seancash të vazhdueshme dhe këmbëngulëse e bindi gjykatën të zhvarrosë eshtrat e piktorit për t’i bërë atij testin e ADN-së, për të vërtetuar që ishte vajza e tij. Por, gjithçka ka përfunduar si një flluskë sapuni: Përgjigjet e analizave patën përfundim zhgënjyes, sepse rezultuan negative. Kampionët e ADN-së marrë nga eshtrat e piktorit vërtetuan që Martinez s’ishte vajza e Dali, çka e bënë gjykatën që të mos e njohë ligjërisht si vajzën e tij. Ç’është më e rëndësishme, lidhet me faktin që Salvador Dali nuk ka asnjë fëmijë dhe pasuria dhe pikturat e tij të famshme janë nën pronësinë e fondacionit me të njëjtin emër në provincën e Gironas, rreth 2 orë larg Barcelonës në Spanjë. Gjatë përpjekjeve maratonë të Pilar, fondacioni nuk i rreshti protestat e tij për të penguar zhvarrosjen e Dali, pa ia arritur gjithsesi qëllimit.