Pse Ismail dhe Helena Kadare nuk e presin më “Nobelin”?!

Sërish Akademia Suedeze , nuk përzgjodhi për çmimin “Nobel” për letërsi, shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare. Por, pse çifti Kadare ka reshtur së prituri çmimin do ta rrëfente vetë Helena tri vite më parë për mediet

Në kafenenë që frekuenton zakonisht, dje shkrimtari Ismail Kadare ishte në praninë e Helenës, krahas miqve të tjerë.

Për mediet, përsëritën se nuk kanë qëndruar në pritje të “Nobelit në Letërsi”, ndërsa për fituesen, franceze, shkrimtaren Annie Ernaux, nuk kishin asnjë koment të veçantë, pasi nuk e njihnin.

Ndonëse është një çmim, që çdo shkrimtar do ta lakmonte, Helena do të rrëfente tri vite më parë për mediet se pse nuk qëndrojnë më në pritje të verdiktit të Akademisë Suedeze të Nobelit:

“Jua them me sinqeritet, se prej vitesh ne nuk e presim më. Kjo sepse përgjatë më shumë se tridhjetë viteve rresht në orën 12, ndodhte që na kontaktonin gazetarë nga e gjithë bota. Donin të dinin se ku do të ishte Kadare gjatë orës 13.00, kur ndodh edhe ndarja e çmimeve.

Ishte një “hall” i madh, pasi përpos telefonatave, nga të gjitha anët vinin dhe prisnin vendimin në shtëpinë tonë. Madje edhe kur kemi qenë tri herë në Tiranë, gazetarët me kamera rrinin poshtë shtëpisë.

Mirëpo në Francë, kjo ishte më e dukshme, pasi interesi vinte nga e gjithë bota. Përsëritej i njëjti ritual. Në orën 13.00 telefoni ynë nuk pushonte së rëni. Pas shpalljes së rezultatit, heshtje…

Pushonte si i prerë me thikë. Sepse natyrisht, e kishin mësuar lajmin dhe nuk kishin më interes. Për këto, edhe ne prej tre vitesh nuk e presim më. Edhe pse, për mendimin tim që e ndajnë edhe shumë dashamirës të Ismailit, ai duhet ta kishte marrë atë çmim prej kohësh.

Fakti që nuk e ka marrë nuk përbën ndonjë gjëmë. Edhe pse do të ishte diçka shumë e mirë edhe për vendin tonë”, u shpreh në atë kohë Helena Kadare.

—————————————–

Lexo edhe:

VJEN REAGIMI NGA ISMAIL E HELENA KADARE: KUSH ËSHTË KJO SHKRIMTARE QË FITOI NOBELIN?

ObserverKult