Pse populli shqiptar po e shikon “me ethe” Big Brother?

Nga Silvana Kola-Loka

Disa parime psikologjike të cilat garantojnë shikueshmërinë e Big Brother dhe kotësia e “fitores”.

Në përgjigje të pyetjes “Pse njerëzit e shikojnë me ethe Big Brother?” do të ndaj me ju disa parime psikologjike mbi të cilat është ndërtuar BB:

Parimi 1: Njerëzve iu pëlqen të dinë për të tjerët. Qenia njerëzore ka një interes të lindur për tjetrin. Kurioziteti për të ditur çfarë bëjnë të tjerët, çfarë hanë, çfarë pijnë, madje edhe çfarë bëjnë në dhomën e tyre të gjumit është një prirje e të gjithëve ndaj le të mos bëjmë puritanin. BB iu ofron njerëzve të kënaqin pikërisht këtë ‘oreks’ të natyrshëm.

Parimi 2: Njerëzve iu vjen e natyrshme të gjykojnë gjithë kohën gjithçka dhe gjithkënd. Qenia njerëzore rritet duke mësuar të ketë një qëndrim dhe gjykim për gjithçka e rrethon, sidomos për sjelljet e të tjerëve. BB iu ofron njerëzve një ushqim të përditshëm për të gjykuar parreshtur sjelljet e disa njerëzve që ‘të zënë si në çark’, janë të detyruar të ndërveprojnë gjithë kohën.

Parimi 3: Njerëzit identifikohen me të ngjashmit dhe vendosen në opozitë me të ndryshmin me veten. Qenia njerëzore është një qenie sociale, që i jep kuptim vetes duke e menduar veten si pjesë të një grupi njerëzish të ngjashëm me të. Dhe, sapo shikon njerëz që kanë tipare të ngjashëm me të, fillon dhe funksionon mbi parimin ‘brenda grupit-jashtë grupi’. Kështu bëjnë tifozllëk për të ngjashmit dhe iu ‘vërsulen’ të tjerëve. BB ofron larmishmëri karakteresh ndaj është mundur që secili të gjëje dikë të ngjashëm dhe të ndryshëm.

Si këto, ka edhe shumë parime të tjera mbi të cilat shikueshmëria e BB është e garantuar sepse ngrihet mbi ‘ushqimin e orekseve krejt njerëzore’.

Pyetja që shtroj për diskutim është “Cili është roli i vërtetë i publikut?”
Përgjigja mund të mos ju pëlqejë, por unë po e them për t’i qëndruar e vërtetë vetes.
Publiku i BB pandeh se nga rehatia e kolltukut po argëtohet duke ‘bërë tifozllëk’ për jetët e të tjerëve. Se, medemek, ata që janë brenda shtëpisë së BB janë kaviet dhe publiku është ai që vendos për kaviet.

Në fakt, publiku është kavia e vërtetë. Produksoni i BB dhe emisioneve të ngjashme si ai, e dinë se si funksion mendja e publikut. Gjithçka për të cilën kanë nevojë, është të ndërtojnë një lloj labirinti krejt primitiv (ca njerëz të detyruar të bashkëjetojnë). Dhe të argëtohen me publikun-kavie që shkon sa andej-këndej. Publiku-kavie mendon se me tifozllëkun e tij është ai që lëviz fijet e BB, ndërkohë nuk kupton se ai vetë po drejtohet pambarimisht nga fijet e paperceptueshme të orekseve financiare të medias dhe dëshirës për famë pa pikë përmbajtje të atyre që marrin pjesë në të…
Dhemb kavia që mendon se është Zot!!!

ObserverKult


Lexo edhe:

BIG BROTHER IA KALON ÇDO TELENOVELE MEKSIKANE APO TURKE!