Nga Lutfi Dervishi
Finlandezët janë populli më i lumtur dhe shqiptarët ndër popujt e palumtur. Ky është përfundimi i një ankete që organizohet çdo vit.
Po të analizosh me vëmendje kriteret e përdorura duhet të ishte e kundërta.
Si mund të jenë të lumtur finlandezët në një vend kur nuk ndodh asgjë, jeta është monotone, koha gri dhe …Zot na ruaj, ka gjithmonë stabilitet politik?
Si mund të jesh i lumtur në një vend ku konsiderohet skandal ardhja me vonesë e trenit 1 minutë dhe ky fakt ushqen gazetarinë investigative me javë dhe muaj të tëra?
Kjo është më shumë se për të qeshur. Çfarë duhet themi ne që… nuk kemi tren fare?
Si mund të jenë të lumtur finlandezët që kalojnë gjysmën e kohës në natyrë? Po ku ka më mirë se të kalosh gjysmën e kohës në kafe si ne shqiptarët?
A është arsye të jesh i lumtur se pse ke shërbim shëndetësor të mirë dhe falas, arsim të mirë dhe falas në të gjitha nivelet, ujë të pijshëm 24 orë, transport publik?
Po si mund të jetosh i lumtur kur njeriu i ka të gjitha dhe të gjitha në cilësi të mirë?
E ka treguar historia jonë dhe e vendeve të tjera se ai që i ka të gjitha bëhet dembel. Dembelizmi të çon në pesimizëm, pesimizmi në depresion dhe depresioni në rritje të numrit të vetëvrasjeve.
Po flasim me fakte. Kush ka më shumë vetëvrasjeve Finlanda apo Shqipëria?
Po pse nuk i ka mundësitë Shqipëria që të ketë arsim falas, shëndetësi falas, transport publik falas? I ka, por pikërisht për ta bërë jetën më sfiduese dhe interesante- ka kaluar në modelin, falas, por që kushtojnë pak.
“Finlandezët punojnë më pak, dhe pushojnë më shumë”. – po të ishte për këtë kriter, ne duhet të kishim zënë vendin e parë në renditje, duhet të kishte 50 vende bosh dhe pastaj të vinte Finlanda.
Një nga arsyet që finlandezët janë shumë të lumtur është se Finlanda ka shumë pyje dhe liqene. Arsye është kjo? Edhe ne kemi pyll orbital, por nuk jemi mburravecë që e përflasin poshtë e përpjetë.
Shqipëria ka plazhe të mrekullueshme, liqene magjikë, male madhështorë, histori mijëravjeçare, ka stabilitet politik më të fortë se Finlanda se kemi 10 vjet e kusur që nuk e ndërrojmë qeverinë. Dhe është e vështirë të kapërdihet fakti që ne nuk jemi më të lumtur.
Megjithatë, ne lipset të gjykojmë mbi raportet ndërkombëtare dhe duhet të pranojmë që shqiptarët janë gjithnjë e më pak të lumtur, por jo për arsye të brendshme,
Po të ishte zgjidhur problemi i ngrohjes globale, pandemisë, terrorizmit, luftës në Ukrainë, emigrantëve që kalojnë la Manshin në Britani, kriza Indi- Pakistan, demokracia në Maynmar, lufta civile në Siri, konflikti Palestinë- Israel, dhuna në Etiopi, demokracia në Afganistan dhe Irak a nuk do të ishin shqiptarët më të lumtur?
Sigurisht që po, por ngaqë ne mendojnë për të tjerët, ndaj edhe vuajmë për të tjerët. Kaq është e gjitha.
ObserverKult
——————————————————————————-
Lexo edhe:
LUTFI DERVISHI: 4 KËSHILLA SI TË BËHESH MILIONER!
Këshilla në fakt është standarte jo vetëm për Shqipërinë, por për këdo që ka ëndërr të bëhet milioner, këshilla vlen për kohë normale, por edhe për kriza si kjo që po kalojmë.
Mos merr borxh.
Gjëja e parë që duhet të kesh parasysh është të qëndrosh larg borxheve. Nuk duhet të ndjekësh shembullin e disa milionerëve shqiptarë që kanë miliarda borxhe nëpër banka dhe individë të tjerë. Borxhi të duket i ëmbëll në fillim, por fundin e ka të hidhur.
Kursim, kursim, kursim.
Milionat nuk bëhen duke kursyer miliona, por duke kursyer qindarka. Gjithmonë ka hapësirë për të kursyer. Nëse ke ngrënë deri dje dy kafshata bukë, mjaftohu me një kafshatë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult