Pse u burgos Mitrush Kuteli në vitin 1947?

Më 13 shtator të vitit 1907 lindi Dhimitër Pasko, i njohur prej publikut të gjerë me emrin e artit Mitrush Kuteli. Nisi edukimin në qytetin e lindjes, në Pogradec, për ta vazhduar më pas në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1928 nisi studimet në Rumani për shkenca ekonomike, por njëkohësisht ndoqi kurse të ndryshme letrare dhe gjuhësh të huaja.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin e Bukureshtit. Por, Pasko njihet fare pak për veprimtarinë e tij në sektorin bankar, ku shërbeu si konsulent teknik i Bankës Qendrore Shqiptare që prej vitit 1943.

Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit.

Mbrojti të drejtat e Rumanisë në kundërshtim me interesat e aleatit gjerman dhe për pasojë e mobilizuan në ushtri dhe e dërguan ne frontin e Lindjes.

Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij.

Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

U largua nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.

Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.

Popullaritetin e fitoi nëpërmjet penës së spikatur në letërsi, në gazetari dhe në përkthim.

Po ashtu, Kuteli ishte mbledhës i folklorit shqiptar të shpërndarë në shekuj e vise.

I spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, ai nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës.

Burgoset në vitin 1947 me akuzën armik i popullit me 5 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e kreu në kampin e Vloçishtit në Maliq.

Do të lirohej nga burgu më 1949, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë.

Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t’i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi. Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim. Disa prej veprave të tij do të konfiskoheshin dhe do të humbnin përgjithmonë. Mitrush Kuteli ndërroi jetë në moshën 60- vjeçare, më 4 maj 1967, duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm.

Akademia e Shkencave i akordoi titullin e lartë “Nderi i Akademisë”, për trashëgiminë e pasur që i la qytetërimit shqiptar.

Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përrallëtar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika.

Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja./panorama

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E AVOKATES SHQIPTARE QË VUAJTI NË BURGUN E BURRELIT DHE PËRFUNDOI SI…

Shkollimi në një prej universiteteve më të mira të Francës, fejesa me avokatin e njohur francez. Dhe fundi tragjik në regjimin komunist

Sapo ishte diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Aix-en-Provence dhe kishte marrë “Licenciee en Droit”. 

Erifili Bezhani ishte një vajzë nga Vlora. Ajo po i ngjiste me shpejtësi shkallët e karrierës në Francë. Kjo falë rezultateve të shkëlqyera në universitetet franceze. Pas dy vitesh në profesion, ajo do të kthehej në një prej avokateve të spikatura në Francë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult