Publikohet dokumenti i plotë i mbrojtjes që i bëri At’ Anton Harapit në “Gjyqin e Regjencës” në shkurtin e vitit 1946

Anton Harapi

Publikohet dokumenti i plotë të mbrojtjes që i bëri At’ Anton Harapit në “Gjyqin e Regjencës” në marsin e vitit 1946, avokati i tij, Dr. Spiro Stringa, i cili që në atë kohë dhe më pas, nga kolegët e tij avokatë e jurist të njohur që ishin diplomuar në universitetet më të prestigjoze të Perëndimit, është cilësuar si një nga mbrojtjet më brilante që mund të jenë bërë në të gjithë gjyqet e vëndeve komuniste të Europës Lindore, ku u gjykuan dhe u dënuan “kolaboracionistët dhe armiq e popullit”.

E gjithë fjala e mbrojtjes së avokat Stringës, i cili pasi i bëri një “pasqyrë” të plotë të gjithë jetës dhe veprimtarisë fetare, atdhetare e politike të Patër Antonit, publikoi aty edhe disa deklarata dhe dëshmi që ai u’a kishte marrë disa emrave të njohur, si profesor Gabriel Meksit, Age Grudës, etj., të cilët hidhnin dritë mbi të kaluarën atdhetare e patriotike të Harapit, si dhe ndihmën e madhe që ai u kishte dhënë komunistëve në periudhën e pushtimit gjerman të vëndit, duke nxjerrë nga burgu apo u falur jetën shumë prej tyre.

“Patër Anton Harapi, nji emën i njoftun në këtë Shqipëri të vogël dhe pra nuk ka nevojë me ju a paraqitë, sepse ay njihet si nji Shqiptar i kulluar dhe idealist. Kush ka pasë mundësinë me kuvendue me Patër Anton Harapin, asht largue me kujtimet ma të mira se ka pasë përpara syvet nji burrë në plotkuptimin e fjalës, siç e përfytyron katundari, malsori dhe qytetari. Kush nuk asht prekun, Zotrinj Gjyqtarë, nga zëri i Patër Anton Harapit, kur ky, pa droje, ka ngritur zërin për mbrojtjen e të drejtave Shqiptare, atëhere kur Shqipnija ishte një utopi, një andërr, nji meteora. E, mirë Zotrinj Gjyqtarë, këtë andërr, këtë utopi, këtë meteora, e brumosi Patër Anton Harapi së bashku me atdhetarët e tjerë në kohna ma të vështira, dhe e bani realitet të dukshëm dhe të prekshëm, dhe bani që emni SHQIPNI të ndigjohet an’ e mb’anë. Kjo Shqipni, e përbuzur, e lanun mbas dore, mjet tregtimi e fuqive të hueja, të bahet objekt bisedimi, dhe ma së fundit të ndigjohet zëri arbnuer. Nuk mund të gjykohet, Zotrinj Gjyqtarë, askush pa u dijtur e kaluemja e tij, këtë e lyp ekiteti i së Drejtës naturale dhe pozitive. Nuk mund t’a marrim Patër Anton Harapin, ashtu siç e paraqit akuza, sepse do t’ishte mëkatë, do t’ishte nji përdhuni ndaj së kaluemes së tij. Patër Anton Harapi, nuk ka për emblem ‘divide et impera’, nuk asht nga ata që kanë ardhun me valiçe në krah, dhe me rastin ma të volitshëm, me hik nji ditë”.

Kështu shprehej në mes të tjerash avokat Dr. Spiro Stringa, në mbrojtjen që i bënte klientit të tij, Patër Anton Harapit në “Gjyqin e Regjencës” në marsin e vitit 1946, ku ai po gjykohej si “armik i popullit”. Po kush ishte avokat Dr. Spiro Stringa dhe si e mbrojti ai Patër Anton Harapin? Lidhur me këtë na njohin dokumentet origjinale që na i ka dhuruar familja e avokat Stringës dhe Memorie.al publikon të plota duke filluar nga ky shkrim.

Kush ishte Padër Anton Harapi?

Padër Anton Harapi u lind në fshatin Shirokë të Shkodrës në vitin 1888. Mësimet e para i mori në qytetin e Shkodrës dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Vienë për Teologji e Filozofi. Pas shugurimit si meshtar ai shërbeu si famullitar në fshatin Grudë që asokohe përfshihej nën Principatën e Malit të Zi. Më pas Padër Antoni u kthye në qytetin e tij të Shkodrës, ku shërbeu për disa vjet si drejtor i Kolegjit Françeskan. Pas kësaj, Padër Antoni punoi dhe si drejtor i gjimnazit “Illyricum” ku jepte lëndën e Filozofisë. Gjatë viteve 1941-‘43 Padër Antoni u emërua si Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të vitit 1944, në mbarimin e luftës. Pak ditë pas pushtimit gjerman të Shqipërisë, Padër Antoni u thirr dhe pranoi postin e regjentit në Këshillin e Lartë të Shtetit, ku përveç tij, bënin pjesë dhe Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Fuat Dibra. Pas mbarimit të Luftës dhe me ardhjen e komunistëve në fuqi në nëntorin e 1944, Padër Antoni nuk u largua nga Shqipëria, por u fsheh në malësitë e Shkodrës për t’ ju shpëtuar ndjekjeve të komunistëve. Nga fillimi i vitit 1946, ai u arrestua në shtëpinë ku fshihej dhe doli në gjyq para Gjykatës Speciale në Tiranë, e cila me vendimin nr. 9 të dt. 19 shkurt të vitit 1946, e dënoi atë me vdekje me pushkatim, duke e cilësuar si kriminel lufte. Po cila ishte e kaluara e Patër Anton Harapit dhe ku konsistonte aktiviteti i tij, fetar, publicistik, politik etj., që komunistët e dënuan me vdekje. Lidhur me këtë aktivitet të tij, bënë fjalë mbrojtja e famëshme dhe briliante që i bëri avokati i tij, Dr. Spiro Stringa, në atë gjyq që filloi më 11 shkurt të vitit 1946 në sallën e Kinema “Kosova” në Tiranë, (dokumentin origjinal të mbrojtjes na e ka dhuruar i biri i tij. Z. Pandi Stringa) dhe atë mbrojtje po e botojmë të plotë në shkrimin e mëposhtëm, duke e publikuar në versionin origjinal, ashtu siç është shkruar prej tij, ku vetëm nëntituj janë redaksional të Memorie.al, të nxjerra integralisht nga teksti i saj.

Fjala e mbrojtjes e avokat Dr. Spiro Stringës, në gjyqin ndaj Padër Anton Harapit

Gjykoeni, Zotrinj Gjyqtarë, një emën i së kaluemes shqiptare. Gjykoheni Zotërinj Patër Anton Harapin, për atë që asht dhe jo për atë që mund të supozohet. Asht me komocion të math, Zotrinj Gjyqtarë, që unë marr fjalën në mbrojtjen e të pandehunit Patër Anton Harapi; asht nji trishtim që sundon shpirtin t’em, trishtim njerzuer dhe jo i avokatit, i qytetarit dhe jo i mbrojtësit, i mejtueshëm mbi çka jeni thirrur. Zotrinj Gjyqtarë, me i’u përgjegj akuzës Publike. Asht nji trepidacion i thellë për fuqitë e mija modeste profesionale, përpara akuzave të randa dhe të tmerrshëme që i vërtiten Patër Anton Harapit, dhe sidomos për hijen e randë që sundojë këtë sallë gjatë zhvillimit të gjykimit, ku ngjante se çdo za njerzie s’kishte ma vend.

Zoti Kryetar, më lejoni me Ju drejtue përshëndetjen t’ime të stimës që, me aq mjeshtri dhe pa-ansi, drejtuet këtë proçes të randë dhe të vështirë, përshëndetje që njikohësisht i shtrihet edhe përfaqësuesit të së Drejtës Botnore. Detyra e mbrojtësit asht nevojë shoqnore, dhe konditë ‘sine quanon’ e mirë-vajtjes së çdo Kombi, dhe prandaj unë sot së bashku me kolegët e mijë, ndodhemi këtu për me prue fjalën skjaruese rreth çështjes për të cilën gjykohen të pandehunit, në këtë sallë që, siç theksonja dhe në Gjyqin Special, ka marr në këto çaste, solemnitetin e nji faltoreje, në të cilën nuk janë drejtue vetëm sytë vëzhgonjës të familjarëve të të pandehurve, por asht e gjithë Shqipnija pa dallim, dhe sidomos bota e jashtme, e cila ka me çmue pjekmeninë t’onë politike, njerzinë t’onë, vllazërimin t’onë, lirinë e opinionit dhe sidomos mëshirën kundrejt të mundunit.

Avokat Stringa: Pse e mbroj Padër Antonin?

Në çdo gjykim, duhet të mbretnojë Drejtësija, dhe kësajë t’i leri vendin çdo ndjenjë tjetër njerzore. Gjykoni, Zotrinj Gjyqtarë, pa prekoncepte, keni për princip ‘fiat justitia pereat mundus’, emblem për çdo Gjyqtar t’urtë dhe të xhveshun nga çdo animozitet, virtut kryenaltësie që nderon çdo Shtet. Gjyqtari ka për detyrë të respektojë ligjën, por edhe t’a zbatojë me butësinë ma të madhe, dhe kur i mbrrihet këtij qëllimi, çdo qytetar me kënaqsi mburret për institucionin e Drejtësis që aplikohet në vendin e tij. Dhe në këto principe, u bazova dhe sidomos ma tepër në ndjenjat njerzore të pa-shterrueshme e të mëshirës së Popullit Shqiptar, kur mora përsipër mbrojtjen e Patër Anton Harapit.

Patër Anton Harapi, nji emën i njoftun në këtë Shqipëri të vogël, dhe pra nuk ka nevojë me Ju a paraqitë, sepse ay njihet si nji Shqiptar i kulluar dhe idealist. Kush ka pasë mundësinë me kuvendue me Patër Anton Harapin, asht largue me kujtimet ma të mira se ka pasë përpara syvet nji burrë në plotkuptimin e fjalës, siç e përfytyron katundari, malsori dhe qytetari. Kush nuk asht prekun, Zotrinj Gjyqtarë, nga zëri i Patër Anton Harapit, kur ky, pa droje, ka ngritur zërin për mbrojtjen e të drejtave Shqiptare, atëhere kur Shqipnija ishte një utopi, një andërr, nji meteora. E, mirë Zotrinj Gjyqtarë, këtë andërr, këtë utopi, këtë meteora, e brumosi Patër Anton Harapi së bashku me atdhetarët e tjerë në kohna ma të vështira, dhe e bani realitet të dukshëm dhe të prekshëm, dhe bani që emni SHQIPNI të ndigjohet an’ e mb’anë.

Kjo Shqipni, e përbuzur, e lanun mbas dore, mjet tregtimi e fuqive të hueja, të bahet objekt bisedimi, dhe ma së fundit të ndigjohet zëri arbnuer. Nuk mund të gjykohet, Zotrinj Gjyqtarë, askush pa u dijtur e kaluemja e tij, këtë e lyp ekiteti i së Drejtës naturale dhe pozitive. Nuk mund t’a marrim Patër Anton Harapin, ashtu siç e paraqit akuza, sepse do t’ishte mëkatë, do t’ishte nji përdhuni ndaj së kaluemes së tij. Patër Anton Harapi, nuk ka për emblem ‘divide et impera’, nuk asht nga ata që kanë ardhun me valiçe në krah, dhe me rastin ma të volitshëm, me hik nji ditë.

Në Patër Anton Harapin, Zotrinj Gjyqtarë, nuk ka folur egoizmi meskin, por se në personin e tij ka gjetë vend altruizmi. Patër Anton Harapi, akuzohet randë, Zotrinj Gjyqtarë, dhe pra meriton të ndigjohet, të gjykohet me gjak-ftohtësi, me dinjitet, ashtu siç e lyp Drejtësia, piedestali i çdo Kombi. Patër Anton Harapi, lindi, u rritë dhe u zhvillue në këtë Shqipni, pasioni i tij. Nuk bani akrobacina, për të fitue metelikë, tituj, por u lodhë për me kontribue në të mirën e përgjithëshme, mbasi në dejt e tij lëviz gjak Shqiptari; nuk pasurohet, nuk përfiton nga pozita e tij, por qindron me ato sandale të fjeshta, me litar në brez: pasuni e vetme e tij.

E tash, të vështrojmë për çka akuzohet Patër Anton Harapi, gjatë okupacioneve të hueja. Përças i elementave fetare, anti-Shqiptar, pregatitës i datës 7 Prillit, bashk-puntor i ngushtë i okupatorit, propagandist në favor të tezës s’armikut; ja akuzat q’i vërtiten Patër Anton Harapit në radhë të parë. Patër Anton Harapi, nuk ka mbjellun grindje midis elementave të ndryshëm këtu në Shqipni, asht përpjekun si nji Bari i mirë me i bashkue në të mirën e përgjithëshme, e ka shfaqun opinionin e tij me kjartësinë ma të madhe në Hyllin e Dritës. Ja çfar thekson Patër Anton Harapi në Rivistën Hylli i Dritës, në Nr.5 vjeti i VI-të Maj 1930, në artikullin: “Tri zanamare ose armonia ndër elementat e ndryshëm në Shqipni”, në faqen 262, midis të tjerave:”… Pra nuk asht nji utopi me kujtue, se elementat fetare në Shqipni, munden me rrnue në pagje shoq me shoq; pengimet njimend janë të forta, por nuk janë të pamuejtuna, e m’at mëndyrë sikurse Germanët, Inglizët, Amerikajt, me gjithse kanë ndryshim të fortë besimi, rrnojnë në pagje, nji për nji besimet t’ona nuk na pengojnë të rrnojmë si shokë e vllezën, mjaft që na të duem”.

Ja, kështu predikon Patër Anton Harapi mbi vllaznimin e elementave, dhe nuk mbjellë ferra dhe gjemba nëpër kambë të Shqiptarit. Dhe nuk mund t’ishte ndryshe, sepse do të çnderonte vehten e tij, kulturën, pra akuza në këtë drejtim mbetet pa vend, dhe zhduket. Por, ka dhe ma, Zotrinj Gjyqtarë, nga ku rezulton se Patër Anton Harapi nuk ka qenë kurr pengues i bashkimit t’elementave këtu në shqipëri, përkundrazi ay e ka dashtë këtë bashkim, dhe ka theksue:”A e duem nji Shqipni me të gjithë Shqiptarët? të marrin fund nji herë e përgjithmonë fjalët dhe frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët anti-Shqiptarë! Orthodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht Muhamedanë, Orthodoksë e Katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi Muhamedanë, Orthodoksë e Katolikë vërte Shqiptarë; të vlertë e të mëdhej, por as Muhamedani nuk ka arsye të rrij sherbes, as Kristiani nuk do t’a kujtojë vehten të marrun nëpër kambë. Me gjak të vet e sigurojë lirinë e Atdheut Katoliku, Orthodhoksi e Muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë nji në mendim e në vendim, në vepër e në vdekje.

Ata e kryen detyrën e vet, tue vulosun me gjak ata çka qen; ne na mbetet t’a vulosim me bashkim ata çka jemi: vllezën njij gjaku”. Dhe këtë besim të pa-tundun në bashkimin e elementave e ka theksue ma tepër e ma mirë, në fjalimin që ka mbajtun mbi eshtrat e dëshmorve të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, Ja çka shprehun ai në këtë rast: “Ndaluni! ku veni burra? Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me Jue Shkodra Kreshnike këtu në logë të Kuvendit, para se të ndaheni. Doni t’a leni Shkodrën, e të shkoni atje ku së parit patë t’amblat rrezet e Diellit, ku si filiza të shëndoshtë gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnija u çiti dhe u ndriti. Le të lavdohen, po për Jue Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku Ju u lindët por grimë ma pak s’do të gëzohet me Jue Shkodra, vendi ju Ju nuk vdiqet por u lindët për Atdhe. Nuk po Ju pyes kush jeni as kah po veni. Kudo shkojshi të bardhë qofshi; ku ndejshit, flori ndritshit. Ideali i Juej më tregon se kush jeni. Nuk marr parasysh se ç’krahinë kjet e ç’besim patët, mjafton të dijë se besuet në nji Zot e si kristal i kulluet rrodh ndër dejt t’Uej gjaku i Shqiptarit. Zotrinj të Ndritshëm. Por, para se të niseni eni këtu e mbi këta eshtna, symbol ideali, force e bashkimi, t’ia shtrimë dorën shoqi-shoqit, toskë e gegë, Muhamedanë e Kristianë, e me besën e burrave, me besën Shqiptare, të lidhemi për t’ia mbajtë Shqiptarit të pa-prekun nji Zot të vërtetë, nji atdhe të lumtun për të ba Shqipninë e re të fortë e të dejt për Skënderben. T’i diftojmë po botës, se Shqiptarët janë nji-mend burra, se mund të jenë toskë e gegë, Muhamedanë e Kristian, e njiherit Shqyptarë të vërtetë”.

Patër Anton Harapi, punon në heshtje për këtë Shqipni, për të cilën sot akuzohet se e ka trathtue, se i ka ba varrin, duke pregatitun ditën e zezë të 7 Prillit. Asht nji akuzë e randë që në vet-vehte të shtyp, për atë që ka pak cipë, për atë që ka nji dinjitet, për atë që ka shkri çka ka pasë në dorë, çka ka mundun, në dobi të çështjes Shqiptare. Asht fakt i pa-kontestueshëm dhe i pa-mohueshëm se e din jo vetëm populli kreshnik i Shkodrës por se e gjithë Shqipnija, që më 1918 Patër Anton Harapi çon në kambë Hot, Grudë dhe Triepsh, dhe me ta bie në Shkodër ku bajnë demostrata Kombtare me gjithë kundërshtimet e autoritetve franceze t’asaj kohe. Ngren së bashku me Franceskanët e tjerë më 12 Qershuer 1913, Flamurin Kombëtarë në Kumbanoren e tyne; proteston së bashku me të tjerët pse Evropa don të mbajë Shkodrën të shkëputun prej Shqipnis. Ja, ky asht anti-patriotizmi i Patër Anton Harapit; ja, si nuk e don Shqipninë Patër Anton Harapi.

Harapi, shok i Gurakuqit e Nolit

Asht Patër Anton Harapi ay që ban të dali në shesh trathtija e madhe e marrveshjes “Titoni-Venizellos” me hollsitë e saja, n’opinionin publik Shqyptar, i cili mëson me detajet ma të mëdha se si e qysh dërgata e jonë e asaj kohe e luftojë atë marrveshje. Këndoni, Zotrinj Gjyqtarë, Hyllin e Dritës Nr.5 të muejit Maj të vjetit 1934, faqe 219. Pra, po t’ishte se Patër Anton Harapi, t’ishte nji nga pjestarët e pregatitjes së terrenit për 7 Prillin, nuk ka se si kuptohet demaskimi që i bahet traktatit në fjalë nga an’ e Patër Anton Harapit. Ky demaskim prodhojë nji protestë energjike të Konsullatës së Shkodrës, por pa dobi, për arsye se Patër Anton Harapi ishte i pathyeshëm dhe nuk lypinte ç’ka villte. Pra akuza q’i bahet në këtë drejtim, zhduket dhe nuk len asnji gjurmë. Përkundrazi, Patër Anton Harapi, Zotrinj Gjyqtarë, ka luftue me mish e me shpirtë regjimin zogollian dhe korrupsionin e sistemet e vjetra dhe të ndryshkura, dhe bahet anti-sinjan i nji koheje ma njerzore dhe ma të drejtë, ashtu siç ishte i brumosun që nga voglija me ndjenjat altruiste.

Asht lidhun ngushtë me Luigj Gurakuqin, nji nga Pionerët e parë të Rilindjes Kombtare, nji nga bashk-puntorët ma të ngushtë t’Imzot Fan Nolit, dhe së bashku vërsulen kundra regjimit anti-Popullor të Zogut, me anën e Fletores “Ora e Maleve”; pra ku asht shpirti antipopullor i Patër Anton Harapit? ku asht shpirti diabolik dhe gënjeshtar i Patër Anton Harapit? Po, akuzë e Nderuar, asht e vërtetë se në vjetin 1935, djelmnia Korçare ngrinte zërin dhe bante grevën e bukës; i thonte Tiranës së kuqe se mjaft ma me zgjedhjen arbitrare, se populli ka nevojë të lëvizë, ka nevojë për ndihma, të shprehi mejtiin e tij të lirë, dhe neve shohim në Hyllin e Dritës në Nr.11, mueji Nandor, artikullin “BUKE”, dhe ja ç’thuhet: “28 Nandor. Ballkohet e Bashkive t’ona janë plot me njerz. Fjalimet me fjalë të zbrazta, të detyrueshme me u përmend, jehojnë prej zaneve, që nuk njohin unë.

Patër Antoni s’ka pas dijeni për 7 Prillin ‘39

Patër Anton Harapi, vërtetohet se nuk ka pasë dijeni rreth pregatitjes së 7 Prillit, me deklaratat që ka ba i pandehuni tjetër Maliq Bushati, për arsye se ky pohon se, mbasi pati takim me Giron, shkon në Itali dhe i telefonon Bahri Omarit, dhe i nep instruksione që të mirret vesht me Mustafa Krujën, i cili, në bisedimet që ka zhvillue me të pandehunin Maliq Bushatin, i ka treguar hollsisht emnat e personave të jashtëm e të mbrendshëm që ishin implikue në pregatitjen e datës fatale të 7 Prillit, por emrin e Patër Anton Harapit, nuk e zen në gojë. Fakti ma i mirë, Zotrinj Gjyqtarë, se Patër Harapi s’kishte dijeni për 7 Prillin.

Anton Harapi nuk ka pasë gisht në pregatitjen e 7 Prillit, asht edhe se emri i tij nuk figuron në listën e botueme që përmban emrat e atyne që kishin punuar qysh ma parë për datën fatale të nalt-përmendun. Kur ordhitë fashiste t’Italis imperialiste të Mussolinit, vunë kambë në tokën arbnore, zëri i Patër Anton Harapit çau orizonte dhe e kundërshtojë zgjedhën fashiste. Konte Çiano vetë pohon në ditarin e tij çka përmenda ma nalt; dhe ja çka thekson në këtë ditar, midis të tjerave:”Ideja e bashkimit personal, gjenë shumë kundërshtime. Të gjithë janë d’akord për nji princ të Shtëpis Savoia, ose ma mirë, më preferojnë mua. Kam bisedime të gjata me shumë krenë, kokë fortë, prej të cilëve duken ata të Shkodrës, të nxitun nga Kleri Katolik.”Në këtë drejtim, shifni Fletoren Bashkimi Nr.185, dt.2/Gusht/945.

Po të mirrni mundimin, Zotrinj të Gjykatores, me hetue se kush asht ky Kler, keni me gjetë Patër Anton Harapin. Patër Anton Harapi, me kambëngulje e mbrojti përpara Gjyqit të z. s’Uaj këtë aserim, dhe Ju përmendi nji emër që ishte pjestarë në dërgatën e Shkodrës, Z. Zejnel Brojen, të cilin mund t’a pyetni përsa thekson i pandehuni. Po, pse vallë nuk doli ndonji person që bante pjesë nëpër dërgatat e ndryshme e të vinte përpara Gjyqit të Popullit dhe t’akuzonte Patër Anton Harapin për trathtinë që kishte ba kundra Atdheut, sepse shtrembërimi që i bahet qindrimit të fortë të Patër Anton Harapit, nuk asht i vërtetë. Ky fakt, duhet të mjaftojë, Zotrinj Gjyqtarë, me Ju bindë se Patër Anton Harapi protestojë okupimin e Shqipëris. Po, pse vallë nuk e shofim Patër Anton Harapin të bahet Ministër ose Kryeministër gjatë okupacionit italjan? N’atë kohë kur Ministrat u këmbenin simbas dëshirës së Luogotenencës, që vinte vetëm personat që ishin lidhun ngushtë me politikën italjane. Po, pse Patër Anton Harapi, gjatë okupacionit italian, nuk dekorohet, nuk merr ndonji titull, por qindron në heshtje në punën e tij?

Po, pse nuk e shofim Patër Anton Harapin të mbajë ndonji konferencë gjatë okupacionit italian, duke propaganduar për imperon fashiste, ose duke lavdëruar politikën e zaptuesit? Po, pse Patër Anton Harapi nuk mbush xhepat e tija, në kohë që imperoja fashiste zbraste djathtas e majtas të holla, ashtu siç vepruan disa krerë, fatkeqësisht Shqiptarë? Karakteri, edukata, e kaluemja atdhe-dashnia, dhe çka u theksue ma nalt, përgënjeshtrojnë për që Patër Anton Harapi të ketë qenë në marrveshje me Italinë fashiste, para datës 7 Prill 1939, për okupimin e Shqipëris. Okupimin e Shqipëris nuk e pregatiti Patër Anton Harapi; disa pa skrupull, disa në të cilën ndjenja popullore kishte humbur krejtësisht, disa që harruan tradicionin Shqiptar, disa që mohuar sisën e nanës, tue u bashkue me megallomaninë dhe kryeneçësinë e Mussolinit, toleranca e fuqive të mëdha, indiferenca e fqinjve, shkaktuan okupimin e Shqipnis.

Deklarata e prof. Gabriel Meksi: Patër Antoni më ka rezultue patriot i madh

Nuk asht bindja e jeme, Zotrinj Gjyqtarë, për që Patër Anton Harapi ka qenë anti-italjan, por na e vërteton Z. Prof. Gabriel Meksi, nji nga arsimtarët me vlerë që din dhe peshon dishminë, dhe nuk mundet të supozohet se ay ka trumbetue çka dishronte Patër Anton Harapi. Z. Meksi thekson në mënyrë të kjartë në deklaratën e tij të paraqitun se: “Kam pasë gjatë kësaj kohe që prej vjetit 1928 e deri në vjetin 1944, bashk-fjalime të ndryshme dhe shkëmbim mejtimesh me Patër Anton Harapin, nga të cilat më ka rezultue si patriot Shqiptar dhe me ndjenja anti-italjane, dhe gjithnji theksonte nevojën e doemosdoshme të bashkimit të të gjithë elementave, për mirvajtjen e popullit Shqiptar”. Përsa theksova ma nalt, Zotrinj Gjyqtarë, rezulton edhe fakti ma i mirë se Patër Anton Harapi nuk ka ba ndonji herë politikë anti-shqiptare pro Italis, sepse italjanët këtë fakt do t’a kishin spekulue me çdo mënyrë duke e trumbetue me anën e radios, me anën e shtypit për qëllimet e tyne, ashtu siç banë edhe për ngjarje të tjera që u interesonin.

Asht Patër Anton Harapi, Zotrinj Gjyqtarë, ay që, sa do që në vjetin 1941, nuk drejton Hyllin e Dritës, i përgjigjet Cordignanos, me pseudonimin “Criticus”, kështu:… “Mos me u xan besë. E pra ky asht nji fakt që tronditi krej publikun shqiptar. Penda e shkrimtarit të njoftun e qiti shqypnin pa të drejtë eksistence…Nuk kemi nevojë t’a gjykojmë na: Cordignano ka gjykue vedin. Me një cinizëm që të çudit, nuk ka dert se hin dhe prek e prish çka asht vet e ka ma të përzëmërt Shqyptari, e pret të lexohet në publik shkrimi i tij, si me dasht me na thanë: edhe këtë herë mira Ju a bana: na nuk kemi çka thomi tjetër, por bashkohemi me të gjithë Shqyptarët që vërtetë kuptojnë, dijnë, e protestojnë dhe i mbyllin gojën me nji fjalë të vetme artikulli i yt Cordignano, asht nji atentat kundra nji Kombi”.

Këtë vlerë të protestimit, dishmitarët e akuzës publike deshën t’a zvogëlojnë, të mos i apin ndonjë randësi, duke theksue se edhe tradhëtari, bashkëpunëtori i ngushtë dhe i fëlliqur i okupatorit, Ernest Koliqi, ndërhyri me këtë çashtje dhe bani që Cordignano të largohet nga Shqypnia. Po, asht e vërtetë, por se dishmitarët harruen se nuk qe Ernest Koliqi që ndërhyri vullnetarisht në këtë çashtje, por me arsimtarët e Shkodrës, lavdi e nderë Shqypnis, që shtërnguern Ernest Koliqin dhe imponuen vullnetin e tyne për largimin e Cordignanos, kurse Padër Anton Harapi – kaq i lidhur me fashizmin-siç thotë akuza, nuk lau duart, nuk qindrojë spektator indiferent, por e ngriti zërin arbnuer kundra poshtërsis dhe përbuzjes së Cordignanos.

Tash, a mund të sostenohet, Zotrinj Gjyqtarë, me ndërgjegje të plotë dhe me qetësi shpirtnore, se Patër Anton Harapi asht anti-Shqyptar, anti-popullor, trathtar dhe bashk-puntor i fashizmit? Jo, besoj, sepse këtë e kërkon llogjika ma fillestare. E të vazhdojmë tash me akuzën e dytë që i bahet të pandehunit Patër Anton Harapit.

Iniciator për formimin e Komitetit Ekzekutiv t’ashtuquajturës Asamble Kombtare, Antar i regjencës, inspirues, urdhnues, ndihmues i okupatorit ndër vepra kriminale, si vrasje, tortura, shpërngulje të detyrueshme, internime etj., bashkëpunëtor i ngushtë i gjeneralëve gjermanë, inspirues dhe ndihmues i organizatës tradhëtare Balli Kombëtar dhe Legaliteti, formues i Lidhjes së Shkodrës, sabotator i Pushtetit Demokratik, duke ardhun në marrëveshje me Mark Gjon Markaj etj., kryesues i Komisionit për dënimin e Gjysh Gjonit me vdekje, si dhe të 25 militantave të Lëvizjes Nac – Çlirimtare.

Zotërinja Gjyqtarë, çka do të shprehet këtu poshtë, nuk pasqyron, veçse mendësinë e atyne që, mbas kapitullimit t’Italis, morrën ndër duer frenat e Shtetit, kësodore çdo fjalë, espresion, nuk ka të bajë me sisteme ose persona, por i asht drejtue vetëm çashtjes në mënyrë objektive ashtu siç e gjykonin ata në kohën q’i mirrnin barrën e randë t’administratës Shtetnore, dhe kështu, para se me hye e me analizue veprimtarinë e Patër Anton Harapit gjatë kësaj periudhe, e t’i hedhim nji sy gjandjes së mbrendëshme të Shqipnis.

Italia kapitullon, ringjallen shpresat për ni Shqipni të lirë. Të gjithë kërkojnë me ba diçka, pa mejtue se në portat e shqypnis vinte nji armik akoma ma I fuqishëm dhe ma i rrezkishëm se i pari.

Nuk dinin ata që mirrnin përgjegjsina të randa, se nuk do të kishin fuqi me përballue situatën që krijohej, dhe në mirë-besim, ranë në gabim. Mejtuen se do të banin mirë me rrugën që ndiqnin, por se pa-qëllim të keq, e rrënuan Shqipërinë. Kërkonin me pa, duke pasur sytë të mbyllun. /Memorie.al