“Puno se ta morëm shpirtin”/ Historitë tronditëse të vitit 1948 dhe torturat brenda kampit të Kozare: Varrmihësi mori tregtarin e vdekur dhe…

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta,  (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.

Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.

E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.

Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falënderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

   -Kampe-burgjet e punës së detyruar, kudo nëpër Shqipëri-

                                                         (1945-1991)

Rrugë të lara me lot

Rrugët e burgjeve dhe të kampeve me punë skllavëruese, u lanë me lot, për gjysmë shekulli, nga nënat dhe motrat tona të mira. Të kërrusura me trastat mbi shpinë, udhëtonin drejt Maliqit, Bedenit, Tërbufit, Burrelit, Bulqizës, Spaçit, Qafë Barit…! Dhe ecnin dhe ecnin pa u ndalur. E ku nuk shkeli këmba e tyre?! Ato duruan me nofulla të shtrënguara ofendime, kërcënime, poshtërime nga djajtë me yll të kuq në ballë, por nuk u frikësuan dhe nuk u tërhoqën kurrë.

Ato nuk u zmbrapsën as nga tufanet, as nga rrebeshet, as nga acari i dimrit dhe vapa përvëluese e verës.

Shpesh herë udhëtonin në këmbë, se shoferët zbatonin urdhrat e sigurimsave, për të mos i marrë në makina, nënat dhe motrat e “armiqve të popullit”. Lëmshin e dhimbjes së mbledhur në gjoksin e tyre, e shfrynin me lotët e syve në rrugët e burgjeve.

Ato ndanin kafshatën e gojës, për të na i sjellur neve, në vendet e vuajtjeve. Vuanin shpirtërisht më tepër se ne që ishim brenda hekurave, por i mbulonin dhimbjet e tyre, me buzëqeshje të shtirur dhe me fjalët shpresëdhënëse që na thoshnin. Qëndronin me orë të tëra, me zemrat të drithëruara para dyerve të hekurta të burgjeve dhe shpesh gdhiheshin deri në mëngjes, duke pritur, pa mbyllur sy.

Kur ktheheshin, ishin më të helmuara se kur vinin dhe i lanin përsëri me psherëtima dhe me lot, rrugët e mallkuara të burgjeve. Sot shumë prej tyre, nuk jetojnë më.

Ato vdiqën të përmalluara, që s’i kishin pranë djemtë dhe vëllezërit e tyre, për t’iu dhënë bekimin dhe për t’iu thënë amanetet. Sa herë që udhëtoj nëpër atdhe, më shfaqen vizionet e nënave dhe të motrave tona, që më duken të lagura nga lotët e tyre. O nëna të mira shqiptare! Sa shumë keni vuajtur, në vitet e ferrit komunist.

A. Kampi me punë të detyruar i Kozarës

I burgosuri politik Muhamet Hoxha, tregon për kampin e Kozarës. “Ishte pranvera e vitit 1948. Ndodhesha i dënuar me 10 vjet privim lirie, në burgun e Gjirokastrës. Një mëngjes, më herët se zakonisht, na çuan nga gjumi me potere të madhe.

Na rreshtuan për një, nga të dy krahët e korridorit dhe na lidhën me pranga e zinxhirë. Të kaluarit nga mosha, i lanë në burg.

Të rrethuar me dhjetëra policë dhe ushtarë të armatosur, na nisën për te sheshi i Çerçizit. Aty na prisnin makinat, ku me zor u ngjitëm në to. Ku po shkonim?! Askush s’e dinte! Nuk mund të pyesje policët, se si përgjigje mund të merrje, ndonjë dru kokës.

Kur na nisën, nuk na lejuan të kryenim as nevojat personale. Disa të burgosur mundoheshin të tregoheshin të përmbajtur, por nuk mundnin të duronin gjatë. Filluan të kryenin nevojat në mbathje.

Era ishte e padurueshme. Mbas një rruge torturuese, arritëm në kampin e Kozarës. Kampi kishte formën e një katrori, të rrethuar me tela me gjemba tri metra të lartë, me karakolle mitralozash dhe prozhektorësh, me shtrate dyshe të bëra me dërrasa të pa zdrukthuara, me një pus uji të hapur, afër vijës së ndaluar, në një skaj të oborrit dhe 15 m. larg, një gropë në formë paralelepipedi, me disa trarë të hedhur mbi të, që do të shërbente si nevojtore.

Uji, i të ashtuquajturit pus, ishte plot me mikroorganizma, bile dhe me krimba. Marrja e ujit nga pusi, bëhej me gaveta të lidhura me spango.

Me siguri, që ujërat e zeza të nevojtores, filtronin nën tokë në ujërat e pusit. Fakt për këtë ishte diarreja, që s’na u nda, përsa kohë që qëndruam në kampin e Kozarës. Puna ishte mbi një orë larg nga kampi. Fillimisht të burgosurit punonin, megjithëse komanda e kampit, caktoi norma të larta pune.

Çdo i burgosur duhet të gërmonte 10 m.3 dhé, ose t’i transportonte ato me karrocë dore, disa dhjetëra metra larg. Me kalimin e ditëve, fuqia e të burgosurve binte nga rraskapitja, kurse normat e punës rriteshin. Po të qëndroje edhe dy sekonda pa punuar, polici të godiste nga mbrapa kokës dhe i burgosuri rrëzohej për tokë.

Shoku nuk guxonte të të ndihmonte, se e pësonte më keq se i rrëzuari. Terreni ishte kodrinor dhe kanali arrinte gjer në 10-12 metra thellësi.

Gjatë verës, etja ishte e jashtëzakonshme. Të burgosurit në punë, për të shuar etjen, pinin dhe ujët e turbullt të kanalit, me çfarëdolloj pisllëqesh brenda.

Ushqimi ishte shumë i keq. Në mëngjes një ujë i zier me pak sheqer, që e quanin çaj, në drekë dhe në darkë, një supë, ku kokrrat e orizit ose të groshës, mund të numëroheshin lehtë. Racioni i bukës ishte 600 gram bukë misri, e gatuar si për derra.

Gjatë punës, duke u fshehur nga sytë e policëve, të burgosurit hanin ca rrënjë të bardha, që i gjenin gjatë gërmimit të tokës.

Kampi ishte krejtësisht i izoluar nga jeta e jashtme. Nuk lejohej as takimi me familjet, as marrja e pakove dhe e parave, as hyrja e gazetave.

Uji i pusit të kampit, një ditë u skuq nga gjaku i një djaloshi dibran, i vrarë nga roja e karakollit, mbasi kishte guxuar të mbushte ujë, nga ana tjetër e pusit, që ndodhej afër vijës së ndaluar. Në drekë, kur u rreshtuam për të marrë supën, komisari i kampit na u drejtua me këto fjalë:

 “Sot, një shoku juaj, tentoi të kalonte telat. Ai mori dënimin që meritonte. Ky fat i pret të gjithë ata, që do të tentojnë një gjë të tillë, ose do të guxojnë të shkelin rregullat e kampit”! Jeta në kampin e Kozarës, ishte një torturë e vazhdueshme.

Punë e rëndë rraskapitëse, rrahje të përditshme, uri e vazhdueshme, pisllëk i papërshkrueshëm, sëmundje të çdollojshme, lëngime pa asnjë ndihmë mjekësore, izolim i plotë nga jeta e jashtme. Më kujtohet Foto Tomidhi, një ish-tregtar nga Delvina.

Filloi të humbiste forcat fizike, sa s’kish më fuqi për të ecur. Bashkë vuajtësit e merrnin në krahë, për ta çuar në punë. Kur venin tek vendi i punës, e linin në tokë. Ai s’kish fuqi të ngrihesh. Ishte shndërruar në një kufomë të gjallë. Policët i binin me shqelma, duke i bërtitur: “Çohu mor qen! Puno, se ta morëm shpirtin”!.

Ai i vështronte në fytyrë me një shikim që të këpuste shpirtin. Ata vazhdonin ta qëllonin me shqelma, gjersa ai humbiste ndjenjat. Kur mbaronte puna, shokët e merrnin përsëri në krahë dhe e çonin në kamp.

Kjo punë vazhdoi disa javë, gjersa i shkreti Foto dha shpirt. Komanda e kampit, e përdori si simbol atë gjysmë të vdekur, për të frikësuar të burgosurit e tjerë. Varrmihësi i kampit, ishte caktuar Elmaz Libohova, një djalë fisnik, i kulturuar dhe me plot virtyte. Detyrën e varrmihësit, e kishte suplementare, përveç punës së rëndë, që bënte së bashku me bashkëvuajtësit. E merrte kufomën në krahë dhe i shoqëruar nga 2-3 policë të armatosur, e çonte disa qindra metra larg kampit.

Aty ai hapte një varr të cekët, sipas urdhrave të policëve dhe vendoste kufomën, duke e mbuluar me pak dhé. Shumica e varreve, zbuloheshin natën nga çakejtë, që ishin me shumicë në atë zonë.

Një ditë Elmazin, e lidhën te shtylla para mensës, duke e mbajtur për 24 orë nën një shi dhe breshër, që çau dhe katramatë e kapanoneve. Të gjithë i humbën shpresat se do ta gjenim gjallë të nesërmen. Për habinë tonë, Elmazi mbeti gjallë se gjallë. I hoqën bidonin 20 kilogramësh nga qafa, i zgjidhën duart nga telat me gjemba dhe e nisën për punë, pa racionin e bukës.

Shokët e mbanin nga krahët. Atij ju pre të ngrënët dhe shumë prej nesh menduam se Elmazi do të shkonte së shpejti, tek ata që i kish varrosur. Forca morale dhe mosha e re, e shpëtuan atë nga vdekja e sigurt. Kur ndonjë i burgosur vdiste në punë, oficerët urdhëronin që ta varrosnin në tabanin e kanalit. Më kujtohet Baba Shehu i Picarit.

Ishte i biri i Sheh Ahmet Shkodrës, i vendosur në Teqen e Picarit të Gjirokastrës. U dobësua jashtë mase, por goditjen e fundit, ja dha diarea. Nuk e mbante dot barkun dhe fëlliqej në shtrat dhe në oborrin e kampit, duke vrapuar për në nevojtore. Pastrohej me rreckat që kishte veshur.

Mbas ca ditësh, i kish konsumuar të gjitha rreckat dhe mbeti lakuriq, si njerëzit e egër të xhunglave të Amazonës. Askush s’e tallte, askush s’e ofendonte. Vetëm gardianët gajaseshin së qeshuri, kur e shihnin në atë gjendje. Vdiq mbas disa ditësh. Ashtu, lakuriq, e mori në krahë Elmazi dhe e varrosi tek të tjerët. Por kish dhe nga ata, gë e sfiduan vdekjen.

Një i tillë ishte çifuti Tovi Jamtovi, nga Delvina. Ishte i shëndoshë dhe mbante një palë syze me skelete të trashë.

Sa herë që e goditnin policët me shqelma, nga tronditja, syzet i binin në tokë. Nuk mësoi kurrë të përdorte ashtu si duhet kazmën dhe lopatën. Megjithëse lodhej më shumë nga të tjerët, jepte më pak rendiment nga të gjithë.

Për këtë, ishte kthyer në një poligon qitjeje, për shqelmat dhe hunjtë e policëve. U dobësua aq shumë, sa lapa e barkut, ju shndërrua në një këmishë që i varej poshtë gjunjëve.

Me gjithë torturat që pësoi dhe dobësimin fizik, ai mbeti gjallë. Atyre që iu binte të fikët në punë, policët i shtynin me shqelma gjatë skarpatës, gjersa përfundonin në tabanin e kanalit. Ata që s’përmendeshin kur mbaronte orari i punës, i mbulonin me dhe.

Për shkak të ujit të papastër dhe të mungesës së higjienës minimale, dizenteria mori shumë jetë të burgosurish. Kishte ndodhur që të vdisnin dhe nga 2-3 veta në ditë. Ndoshta diarreja qe kthyer në kolerë, por për habinë tonë, kur ne i kishim humbur të gjitha shpresat, se do të mbeteshim gjallë, ajo u zhduk nga një dorë e plotfuqishme dhe e padukshme, që askush s’mundi ta shpjegonte. Sa vdiqën në kampin e nëmur të Kozarës?

Askush s’e di me siguri, përveç Elmazit, po ai s’jeton më dhe numri i atyre fatkeqëve do të mbetet i panjohur. Do të mbetet një “iks”, si shumë “iksa” dhe “ipsilon” të tjerë, në dramën gjysmë shekullore të regjimit gjakatar komunist. Nga mesi i nëntorit, erdhën kamionët për të na çuar nëpër burgje. Të paktë ishin ata, që kishin forca të ngjiteshin në to. Nuk ishim më ata që kishim ardhur para shtatë muajve, por hijet e tyre. Autokolona u nis. Rrinim të menduar kokë ulur sikur po shkonim në mort. Kur zbritëm te “Sheshi i Çerçizit”, nuk ishim në gjendje të ecnim, po zvarriteshim këmbë e duar, në rrugët e gurta të qytetit.

Para se të arrinim te porta me hekura e burgut, dy veta dhanë shpirt. Mbas një jave na lejuan ushqime dhe takime me familjet.

Ata nuk na njihnin dhe lebetiteshin kur na shikonin. Kaq shumë ishim transformuar brenda shtatë muajve.

Në themelet e veprave të bonifikimit, të ndërtuara me gjakun dhe me djersën e dhjetëra mijrave të burgosurve, në periudhën më të zezë të historisë së kombit tonë, kanë mbetur me qindra skelete njerëzish të pafajshëm. Mbi atë mund, mbi atë djersë, mbi atë gjak, mbi ato eshtra, Enver Hoxha dhe kasta e tij, ngritën lavdinë e tyre të paturpshme dhe satanike”

Gjeniu i torturës, “Gjenerali i zi”, Nevzat Haznedari

Nevzat Haznedarin, e njihja si fytyrë qysh më 1947-ën, kur ai, si prokuror ushtarak, ishte bërë i llahtarshëm në gjyqet që zhvilloheshin në Kinema “17 Nëntori” të Tiranës, ndaj të ashtuquajturve “grupe armiqësore”.

Më ishin ngulur në kujtesë koka e tij e madhe, si e sllavëve të vjetër, trupi i tij i fortë, por pak i kërrusur, sytë e tij ngjyrë çeliku, që ç’bironin edhe betonin dhe duart e tij, si putrat e ariut siberian.

Me kishin thënë se rridhte nga një familje bejlerësh të rrënuar të Leskovikut. Babai i tij, gjatë viteve tridhjetë, bridhte kafeneve të Korçës, në gjendje të mjerueshme, derisa vdiq në rrugë dhe e varrosi bashkia.

Nevzati në atë kohë, vazhdonte “Normalen” e Elbasanit, me bursë shteti. Në “Normale”, shokët e thërrisnin me nofkën “egërsira”. Literatura e tij e preferuar, ishin romanet me tortura. Më 1938-ën, mbasi mbaron “Normalen” e Elbasanit, emërohet mësues në katundin Postenan të Leskovikut.

Ish-nxënësit e tij, tregojnë se atyre u shpëtonte shurra, kur mësuesi i kërcënonte edhe për gabimet më të vogla. Mbasi s’bëri dot karrierë në Partinë Fashiste, gjatë periudhës 1939-‘42, hoqi këmishën e zezë dhe veshi këmishën e kuqe, duke u bërë një nga krerët e Lëvizjes Komuniste në nënprefekturën e Leskovikut, së bashku me Kiço Kasapin dhe Ali Glinën.

Në pranverën e 1943-shit, ai pushkaton në grykën e Postenanit, Gaqi Tashon, së bashku me të birin, Petraqin dhe Petro Tashon, për të vetmin faj, se ishin distancuar nga Lëvizja Nacionalçlirimtare, kur kishin kuptuar se atë e drejtonte dora e komunistëve. Në fund të 1944-ës, ekzekutohet Muharrem Rusi, ish-kryetar i Bashkisë së Leskovikut, njeri i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën.

Fill mbas vendosjes së diktaturës komuniste, Nevzatit, iu caktua detyra e Prokurorit Ushtarak të Qarkut te Korçës, ku bëhet i famshëm për bëmat dhe gjëmat e tij. Merr pjesë në ekzekutimin e grupit të inxhinierëve të Maliqit në nëntor të vitit 1946, duke u hedhur me dorën e tij litarin në fyt, Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit. Zoti Ali Selenica, jurist, vdekur në burgun e Burrelit, më 1963, gjatë vuajtjes së dënimit me të, më tregonte se në fillim të vitit 1945, kur ai punonte si avokat në qytetin e Korçës, gjyqi ushtarak komunist, me prokuror Nevzat Haznedarin, jepte çdo ditë “në emër të popullit”, 10-15 dënime me vdekje. Shumica e të dënuarve, ishin intelektualë dhe fshatarë analfabetë, që kishin shkuar me forcat e Ballit Kombëtar.

Gjyqi, s’bënte asnjë dallim midis fajtorëve të vërtetë dhe të pafajshmëve! Shpata e diktaturës komuniste në dorën e kriminelit Nevzat, binte mizorisht mbi kokat e njerëzve të pafajshëm. Merreshin nëpër këmbë dhe normat më të thjeshta juridike.

Të tilla gjyqe, nuk zhvilloheshin as në kohën e inkuizicionit dhe jo e jo në kohën e sundimit otoman. Sado i duruar dhe frikacak që të ishe, revoltoheshe nga kjo “drejtësi” e përdhunuar mizorisht. “U revoltova – më tregonte z. Selenica, – kur Nevzati kërkoi dënimin me vdekje, për një ballist nga fshatrat e Devollit, që ishte memec.

Ai e akuzonte, midis të tjerash, se devolliu ballist, kishte zhvilluar propagandë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Zoli Ali, si avokat i të pandehurit, thoshte se akuza kundër klientit të tij, ishte sa absurde, aq edhe qesharake, mbasi i akuzuari ishte memec dhe s’kishte mundësi ta kryente krimin e agjitacionit. Nevzati e kishte fyer avokatin me fjalët më të ndyra dhe e kishte akuzuar se kishte qenë fashist dhe për këtë arsye i mbronte me zjarr armiqtë e popullit.

Zoti Ali Selenica, replikon me prokuror Nevzatin, duke i thënë se fashist kishte qenë ai, gjë, që ishte e njohur nga gjithë qarku i Korçës. Kapiten Nevzati, tërbohet nga zemërimi dhe kërkon pezullimin e seancës gjyqësore. Zoti avokat Selenica, mbas një ore, e pa veten me pranga në duar, në një qeli të errët të Sigurimit të Korçës.

Mbas tre muaj torturash, të bëra personalisht nga Nevzati, zoti Ali u dënua me burgim të përjetshëm si; “armik i popullit”, kurse dy djemtë e tij, për t’u shpëtuar persekutimeve, u vranë duke u përpjekur të kalonin kufirin shqiptaro-grek. Brenda 11 vjetëve (1945-‘56)’ duke çuar me qindra njerëz në botën tjetër, xhelati Nevzat, arriti gradën e gjeneralit, duke u bërë simbol i krimit shtetëror. Nuk kishte të arrestuar për çështje “armiqësore” që Nevzati të mos e kishte marrë në pyetje dhe të mos e kishte “ledhatuar” me putrat e tij.

Nuk kishte të burgosur që të kishte shpëtuar pa u gjakosur nga takimi me të. Edhe xhelatët e vegjël nëpër zyrat e hetuesisë, nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit, qëndronin para tij, si pula të shushatura.

Ai kaloi nëpër duart e tij, me mijëra viktima, që nga fshatarët e thjeshtë, gjer tek intelektualët e shquar, ministra, gjeneralë dhe anëtarë të Byrosë Politike, duke e mbyllur karrierën, me “grupin” e Beqir Ballukut.

Më 1954, kur të burgosurit politikë në Kampin nr. 4 në Tiranë, u përpoqën të hapnin një tunel, për të shpëtuar nga ferri komunist, “drejtësia enveriane”, ra pa mëshirë në krenat e atyre fat këqijve, që deshën të fitonin lirinë e grabitur padrejtësisht. Mbi 20 veta u dënuan me burgime të rënda dhe 4 prej tyre: Abdulla Bajrami, Mark Zefi, Isuf Velçani dhe Zyhdi Mancaku, u ekzekutuan në qelitë e burgut të vjetër të Tiranës, nga xhelati Haznedar, duke u çarë kafkat me levë hekuri.

Takimin personal me këtë “Luçifer”, e pata në një dhomë të hetuesisë së burgut të Tiranës, në prillin e vitit 1962. Ishte i shoqëruar me 3-4 oficerë madhorë, që qëndronin gatitu mbrapa tij.

I lidhur me pranga, më ulën në karrigen e betonuar të të pandehurit, ndërsa gjeneral Nevzati, me një vizore në dorë, më pyeti se çfarë kisha biseduar me baxhanakun e tij, mësues Fatmir Beratin. I thashë se me Fatmirin, kisha qenë koleg në shkollën “50-vjetori”, të Kombinatit të Tekstileve, dhe s’kisha aq afri me të, për të biseduar çështje politike. Filloi të bërtiste me të madhe dhe u kthye nga oficerët, duke u thënë se ne duheshim linçuar, po ç’t’i bënte shokut Enver, që thoshte të zbatohej ligji.

“Këta surretër, deshën të riformonin Partinë Social-Demokrate, atë që s’e bëri dot Musine Kokalari, më 1946-ën dhe do ta pësojnë më keq se ajo”.

Me një të hapur të krahëve, sikur do të çante dru, ma veshi me vizore në kokën e qethur zero. M’u errën sytë dhe i mbuluar me gjak, rashë nga karrigia pa ndjenja. Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në qelinë time, me një leckë të ndyrë të lidhur në kokë. Kapter Koli, që shquhej për butësi midis gardianëve të qelive, më solli një shami të lagur me ujë, për të fshirë gjakun e ngrirë në fytyrë dhe në rrobat e trupit.

E dija se Fatmir Berati, ishte baxhanak me Nevzatin, por ky i fundit, nuk fliste me të dhe deshi ta fuste brenda, mbasi Fatmiri e kish origjinën nga një familje e prekur nga pushteti komunist.

Ky qe takimi i parë dhe i fundit me krye-xhelatin e diktaturës enveriane, “Gjeneralin e zi”, Nevzat Haznedari. Më 1959, Nevzati rimonton “Grupin e Leskovikut”, me persona që kishin shpëtuar të gjallë mbas vuajtjes së dënimit, prej “Grupit të Leskovikut”, të vitit 1947, duke i shtuar dhe fatkëqij të tjerë, për të plotësuar numrin standard; 20.

Kësaj radhe, operacionin e kryente zëvendësministri i parë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mihallaq Ziçishti, me ndihmësit e tij, Rexhep Kollin e Nevzat Haznedarin. Vangjel Stefan Cini, që ka mundur të shpëtojë gjallë nga “Grupi i Leskovikut”, më ka treguar me zë të dridhur dhe fytyrë të ngryrosur, për atë ditë të tmerrshme torturash.

Arrestimet u bënë në orën 02.00 të 30 marsit 1959. U arrestuan 19 veta brenda 1 orë, mbasi numri 20 në listë, Kolaq Kozmai, kishte vdekur dhe për këtë i hoqën vërejtje të rëndë mikroxhelatit Tare Isufi, Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Kolonjës, që s’kishte njoftuar me kohë dikasterin për zëvendësimin e tij.

“Më torturuan në mënyrën më çnjerëzore. Më lanë vetëm mbathjet, më lidhën këmbë e duar me pranga dhe me një zinxhir në qafë. Tare Isufi, më tërhiqte rrëshqanë në dyshemenë e një dhome torturash, ndërsa Nevzati, me takat e çizmeve, më godiste me sa mundte, gishtat e duarve dhe të këmbëve.

Më binte të fikët, më hidhnin kova me ujë për t’u përmendur dhe, kur unë përmendesha, Rexhep Kolli me Nevzatin, më thoshin të pohoja se; isha agjent grek, përndryshe do të ma merrnin shpirtin pak e nga pak.

Mbasandaj Nevzati, ndërronte torturën, më shtrëngonte fytin dhe në sekondat e fundit të frymëmarrjes, ma lironte, duke më hedhur në gojë tym duhani, që më shkaktonte një kollë të tmerrshme, që s’kam për ta harruar sa të jem gjallë.

Mbas 3 ditë torturash, më çuan në lumin e Starjes, ku kishin hapur një varr rreth 50 cm. të thellë. Më futën brenda dhe Nevzati më drejtoi “Smithin” e bardhë me mulli, në lulen e ballit. Instinktivisht mbylla sytë, dhe ai qëlloi në ajër, pastaj urdhëroi të më nisnin për Tiranë, ku do të ma hiqte mishin me pinca.

Mbas 10 muaj torturash, kur ne pranuam çdo gjë që na servirën hetuesit, si mbas skenarit të gjeneral Nevzatit, na nxorën në gjyqin ushtarak, me përjashtim të Thanas Lulës, të cilin nuk e thyen dot dhe i trembeshin, se ai do të hidhte poshtë me përbuzje akuzat e sajuara, gjë që mund t’u jepte zemër dhe shokëve të tjerë të grupit.

Gjatë seancave gjyqësore, Nevzati, në sy të gjyqtarëve, na kërcënonte vazhdimisht, duke na thënë se kokat tona, do t’i dërgonte me tepsi në Leskovik, si kokën e Shën Joan Pagëzuesit. Mbas katër seancash gjyqësore, u dënuan me vdekje; Mihal Cini, Thoma Buda, Janaq Ruçi, Hajredin Gega, Shahin Hajdari, Kiço Kuqoshi dhe Thanas Lula (në seancë të veçantë), të cilët u ekzekutuan mbas disa ditësh, ndërsa Xhevat Zerja dhe Musa Shemja, vdiqën në duart e xhelatëve hetues.

Tre të tjerë, vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit dhe gjithë të tjerët, kanë vdekur mbasi u liruan nga burgu, me përjashtimin tim, që arrita të shoh lindjen e demokracisë dhe të nxjerr në dritën e diellit, krimet e diktaturës komuniste”.

Për çdo grup “armiqësor”, që do të arrestohej në Shqipëri Nevzati do të shpikte diçka të re në torturat e tij. Për “komplotistët” e Teme Sejkos, vuri në përdorim “kosheret e bletëve”, për grupin e Devollit, “dollapët e hekurt”, atyre që do të pushkatoheshin, më parë u thyente kafkat me leva hekuri.

Kripën në plagët e hapura, ampulat me vajguri, futjen në gropa të fekaleve, korrentin elektrik, shtrydhjen e organeve gjenitale, futjen në fuçi me copa akulli, varjen nëpër çengela kokëposhtë, fryrjen me pompë nga anusi, i quante jashtë mode, dhe të konsumuara prej tij. E kishin dërguar për përvojë në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, por thuhet se “shokët” kinezë, i la me gojë hapur, nga përvoja e tij shqiptare.

Ata thanë se; s’kishin çfarë t’i mësonin këtij gjeniu, në lëmin e torturave dhe e falenderuan, duke i dhuruar në shenjë mirënjohjeje, një libër me skica torturash, që përdoreshin në kohën e dinastisë Min.

Më 1974-ën, diktatori Enver Hoxha e thirri Nevzatin nga Elbasani, ku kryente detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, për t’u bërë hetuesinë “deshve të ushtrisë”. Shpirtrat e Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, e dinë se çfarë kanë hequr nga ky satana, deri dje shok dhe mik i tyre.

Flitet se ndaj tyre, ka përdorur torturat e Dinastisë Min, të përpunuara ashtu siç dinte ai. Me këtë hetuesi, e mbylli karrierën e “lavdishme”, që ka nxjerrë kombi shqiptar. Diktatura i dha si shpërblim, një vilë në rrugën “Tefta Tashko” dhe pension special.

Vdiq papritur dhe njerëzit flasin se e helmuan me urdhër të diktatorit, për të zhdukur një arkiv të gjallë krimesh. Me siguri shpirti i tij ndodhet në rrethin e nëntë të Ferrit./Memorie/

ObserverKult


Preç Zogaj

Lexo edhe:

A KISHTE DORË RAMIZ ALIA NË RRËZIMIN E SHTATORES SË ENVER HOXHËS? 20 SHKURTI I 1991 SIPAS ALBANOLOGES RUSE…

Ramiz Alia, kishte dorë apo jo?

20 shkurti ka hyrë në histori si dita e “rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës” nga sheshi në qendër të Tiranës.

Gjatë viteve kanë dalë të dhëna të shumta se rrëzimi pa viktima i komunizmit në Shqipëri ishte një teatër i dirigjuar.

Historiania Nina Smirnova, në librin e saj “Historia e Shqipërisë Përgjatë Shekullit XX”, rrëfen vendimin për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës.

Ajo thotë se ka qenë vetë Ramiz Alia. Ai ka urdhëruar rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult