Me përkushtimin e tij ndaj fesë, atdheut, mendimit të lirë, Aleksandër Lipe spikati si kundërshtar i komunistëve ende pa u instaluar ky regjim, ndaj eliminimi i tij u vu menjëherë në agjendën e tyre. Ia arritën qëllimit në korrik të vitit 1946, kur e ekzekutuan dhe e lanë të ekspozuar për të trembur popullsinë. Kishte nisur koha kur figura e fetarëve përçudnohej me propagandë, ndërsa klerikët ekzekutoheshin dhe meritat e tyre, siç ishin ato të Aleksandër Lipes, themeluesit të një prej shkollave të para shqipe, fshiheshin nga historia. 125 vjet nga lindja, Aleksandër Lipe mban titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ndërsa mbi 74 vjet nga ekzekutimi, nuk dihet nëse eshtrat e tij do të gjenden ndonjëherë…
Në vitet ’30 të shek. XX kur lufta midis fesë dhe komunistëve se kush do të sundonte shpirtin e njerëzve, Atë Aleksandri botoi në revistën fetare “Predikimi” mars-prill 1938 shkrimin me titull “Për ata që adhurojnë materien”. Guximi dhe kurajoja e tij sinjalizoi për gjëmën që po vinte dhe paralajmëroi për ateizmin e egër, goditjen e lirisë shpirtërore dhe bashkë me të edhe lirinë qytetare. Nëpërmjet pyetjes: “A është Krishti komunist?” me një argumentim të bazuar në paravolitë e Zotit Krisht, zbulon falsitetin e komunizmit dhe humnerën që ndan Krishtin nga ideologët ateistë. Me forcën e fjalës argumenton se nuk mund të vendosen në një rang Krishti, Marksi, Lenini, Stalini etj. Ai thekson se: “Krishti është një gur i triçiptë; cilido pra që përpjek kryet në të i thyhet; dhe kujtdo që i bie në krye ia thyen”. Ishte kundër autokracisë e diktaturës dhe të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte në demokraci. Si kalorës i fjalës së lirë i mëshonte idesë se vetëm demokracia dhe regjimi demokratik do të shpëtojnë popullin nga varfëria, vuajtjet, pabarazia dhe padija. Mbi të gjitha ishte një prift patriot, teolog, mësues, publicist, demokrat, që kudo falte besim e dashuri, shpresë e mirësi. Kundërshtoi fuqishëm pushtimin fashist dhe uniatizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me atë Romane. Kjo i kushtoi internim në burgjet dhe kampet fashiste në Ventotenë Itali nga tetori 1940 – shtator 1941. Ishte iniciatori dhe hartuesi i kërkesës që i bëri Papës së Romës në emër të të gjithë të burgosurve për barazi, të drejta njerëzore dhe fjalën e lire, si dhe për lirimin nga kampi i përqëndrimit dhe riatdhesimin e tyre. Pas kthimit nga internimi me iniciativën e tij në shtator 1942 krijoi në Kaludh të parën “çetë neutrale“ për vetëmbrojtje, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe që mbanin rregullin e qetësinë edhe në Rëzë. Gjithashtu u vu në mbështetje të organizimit të rezistencës dhe luftës për çlirimin, duke bashkëpunuar me patriotë e intelektualë përmetarë dhe me të zgjedhurit e Frontit në Përmet. Mitropolinë e ktheu në bazë për strehimin e antifashistëve që ndiqeshin për t’u arrestuar. Gjatë korrik-shtatorit 1943 dera e mitropolisë ishte e hapur për mbledhjet për krijimin e Këshillit NÇ të Përmetit, anëtar i të cilit u zgjodh edhe ai. Pas masakrës naziste në Draçovë-Zhepë më 11 korrik 1943 përfaqësuesit e Frontit e të celulës së PK akuzuan me të padrejtë Papa Aleksin si shkaktar dhe organizator të saj. Pasi e arrestuan në prani të 25 burrave të Rëzës dhe të Përmetit në shkollën e qytetit i bënë gjyqin partizan nga ku doli i pafajshëm. Vetë partizanët ishin shkaktarët e vërtetë se i goditën forcat gjermanët pa menduar për pasojat që mund të binin mbi popullsinë e pafajshme dhe të pambrojtur të krahinës. Pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes rreziku komunist, përçarja dhe vëllavrasja po i kanosej edhe Përmetit. Atë Aleksandri u rreshtua në krah të nacionalistëve të ndershëm, që flisnin hapur dhe nuk u pajtuan me idetë komuniste dhe nuk ndanin të njejtin mendim e veprim për luftën dhe për shtetin pas çlirimit. Kjo i kushtoi shtrenjtë pasi gjatë qershor 1943 – nëntor 1944 drejtuesit lokalë të Frontit e të PK sipas urdhrave nga instancat e larta e arrestuan 2 herë dhe i bënë gjyqin partizan në Zagori, në qendrën e Zonës së Parë Operative. Në mungesë të fakteve për veprimtari armiqësore kundër Frontit, pasi e kërcënuan e këshilluan dhe e lanë të lirë. Në vazhdim të presioneve për t’i “dalë borxhit“ priftit “rebel“ dhe “të pabindurit të Rëzës“ disa ditë para Kongresit të Përmetit, Mehmet Shehu dhe vetë Enver Hoxha e thërritën në takim që të ndëronte rrugë, t’i bashkohej Frontin e të vihej në shërbim të komunistëve. As njeri dhe as tjetri nuk e nënshtruan Atë Aleksandrin. Me fakte e argumente i refuzoi që të dy dhe vijoi rrugën e tij si një klerik nacionalist, patriot dhe kundërshtar i komunistëve. Në fund të shtatorit 1944 tre partizanë nga Qarkori Gjirokastër marrin urdhër për vrasjen e Papa Aleksit. Atentatorët që i shkuan në shtëpi u befasuan nga besa, kultura, zgjuarsia, si dhe nga mikpritja e tij kur u hapi derën shtëpisë. Miqtë mbanin mend fjalët e mençura që u tha se: “komunizmi rus që do të sjellë Nacionalçlirimtarja s’është për ne. Ai do të jetë edhe më i keq se nazifashizmi. Komunistët në pushtet, do të ekzekutojnë ata që punojnë për popullin. Mund të na e marrin edhe ne jetën, por e drejta për të cilën luftojmë dhe e vërteta që mbrojnë s’do të vdesë e zhduket kurrë”. Miqtë dëgjuan këto dhe vendosën të mos ta eleminonin. Ata i brente mendimi se s’vihej kurrë dorë mbi njerëzit e Zotit, se mund të ndodhte që veprimi të kthehej në të kundërt e të kërkonte shpagim. Në prag të çlirimit Shtabi i UNÇ Shqiptare urdhëroi komandat e qarqeve për hartimin e listave me emrat e “reaksionarëve”; kundërshtarë, skeptikë, apo mosbesues ndaj qeverisë së re dhe më pas do të vinin arrestimet, dënimet dhe ekzekutimet. Në këto lista nuk mund të mungonte as Papa Aleksi. Për t’i shpëtuar hakmarrjes pas mesit të nëntorit 1944, ai u largua në Greqi, u strehua në kishën e Shën Gjergjit në Janinë ku nuk u mor me politikë apo aktivitete të tjera. Pasi mori një letër nga autoritetet e Përmetit ku i shkruanin që “kthehu se kërkimi nuk është i një natyre serioze dhe e sigurojnë se nuk do të ketë pasoja”, duke menduar se s’kishte kryer veprimtari armiqësore kundër popullit dhe atdheut, në mes të Janarit 1945 udhëtoi drejt vendlindjes, për të vijuar shërbimin si Zv/Mitropolit dhe mësues në shkollën e qytetit. Por thirrja ishte mashtrim e pabesi, grackë e kurth ashtu siç dinin të bënin komunistët. Sapo shkeli në Përmet, filloi të survejohej e vëzhgohej nga policia dhe ushtarët e Mbrojtjes së Popullit. Nëpërmjet zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945 PK me kandidatët e saj në emër të FD do të dërgonte në Asamblenë Kushtetuese vetëm njerëzit e Luftës e nga radhët partizane. Por demokratët dhe nacionalistët në Përmet si Agathokli Xhitomi, Atë Aleksandër Lipe etj., propagandonin kundër PK e platformës së Frontit për zgjedhjet. Përmetarët që i njihnin mirë ata u bënë me krahë, u doli frika në ato ditë të nxehta politike të Dhjetorit 1945, për ta hedhur votën kundër Frontit. Ata kundërshtonin kandidatët e PK dhe intensifikuan bisedat me njerëzit e me çdo familje qytetare që të votonin kundër Frontit. I gjithë qyteti e kuptoi se e drejta më elementare e tij ishte shpreja e vullnetit të tyre vetëm me votë. Kjo bëri që përmetarët të votonin kundër pushtetit komunist dhe si përfundim 67 % e tyre ishin të zeza. Ky rezultat në zgjedhje ishte edhe në saje të porosisë së Papa Aleksit, që ditën e votimeve “sicili të bëjë pas mendjes së vet”. Të kërkoje në vitin 1945, ashtu siç bëri ai që secili të votonte ashtu si e mendonte, pra në liri të plotë ishte një veprim i guximshëm dhe burrëror. Qëndrimi i tij ndaj zgjedhjeve ishte veprimi i parë i hapur opozitar në Përmet e krahinat e tij dhe 2 dhjetori 1945 ishte shkëndija e parë e simbolit të rezistencës dhe qëndresës antikomuniste të Përmetit.
Mosrreshtimi i Papa Aleksit në krah të Luftës, kundërshtimi për reformat e para komuniste dhe opozita ndaj zgjedhjeve e nxitën policinë të sajonin grupin armiqësor të Përmetit për të justifikuar heqjen “qafe” të tij. S’kaloi shumë kohë dhe një ditë të shtunë në mbrëmje të 9 shkurtit 1946 në kafenenë në qendër të qytetit pranë Shën Mërise së Pazarit disa ushtarë të Mbrojtjes prangosën Zv/Mitropolitin e Përmetit dhe pas disa ditësh edhe 6 të tjerët. Për të ngallur frikë, pasiguri dhe panik të nesërmen me një makinë të hapur ushtarake përmes qytetit e degdisën në burgun e “7 penxhereve“ në Kalanë e Gjirokastrës. Pas një “hetimi” 3-mujor ku nuk mungonin torturat dhe trajtimi çnjerëzor e barbar më 1 qershor 1946 filloi gjyqi ndaj këtij grupi armiqësor. Ashtu siç ishte bërë zakon në gjykatat e atyre viteve edhe “grupin armiqësor të Papa Aleksit” e akuzuan si të lidhur me nazifashistët, anglo-amerikanët dhe monarkofashistët grekë. Gjykata Ushtarake Gjirokastër me vendim Nr. 24 datë 13.06.1946 kryqëzoi Atë Aleksandrin si: “Sabotator të Luftës NÇ, për veprimtari spiunazhi kundër interesave të nalta të atdheut, për veprime sabotazhi kundra Pushtetit tonë Demokratik dhe propogandë kundra intergritetit tokësor të Shqipërisë”. Sipas dokumenteve të AMB akuzat s’ishin gjë tjetër veçse sajesa të Sigurimit për të fundosur dhe eliminuar përfundimisht Atë Aleksandër Lipen. Duhet thënë se arsyeja e vërtetë që ai dhe “grupi“ i tij u paditën ishte se kishin nxitur popullin të mos votonin Frontin dhe sidomos rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 1945. Edhe në gjyqin kundër Atë Aleksandrit sipas traditës së gjyqeve komuniste kishin mbledhur shumë njerëz jashtë sallës së gjyqit që bërtisnin “poshtë armiqtë e popullit”, “kriminelët në litar” etj, bile edhe me kova të mbushura me ujëra të zeza që t’ua hidhnin mbi kokë e trup “armiqve” të popullit. Këtij veprimi në seancën e fundit Atë Aleksandri deklaroi se: “kot lodheni me ne dhe kështu do të lodheni gjithë jetën tuaj. Po ta dini mirë se mali që ka dëbore, nuk fëlliqet me këllirë”. Por Gjykata Ushtarake Gjirokastër në kundërshtim edhe me atë që kërkoi prokurori sipas porosisë direkte të Enver Hoxhës “Prifti të pushkatohet, të tjerët me burgime të rënda” vendosi që Atë Aleksandër Lipe të dënohet me vdekje me pushkatim. Atë mbrëmje të 4 korrikut 1946 aty rreth orës 21-21:30 Atë Aleksandrin ashtu siç qe i lidhur këmbë e duar me zinxhirë nën shoqërimin e gardianëve dhe skuadrës së pushkatimit me një makinë të hapur ushtarake dolën nga porta e kalasë burg në drejtim të “vendit të caktuar” ku u merrej jeta të dënuarve. Ndaluan te Gorica pranë varrezave të qytetit, i cili ishte vendi që lahej me gjak, treste jetë njerëzish, por jo shpirtrat e tyre. Duhej pushkatuar edhe një prift, një njeriu i Zotit, duhej pushkatuar edhe Atë Aleksandër Lipe në “Poligonin e vdekjes”, aty ku edhe më parë ishin ekzekutuar partizanë, nacionalistë e patriotë të pafajshëm. Papa Aleksi kundërshtoi dhe nuk pranoi të pushkatohej nga prapa krahëve. Pasi u rebelua u kthye me fytyrë nga ekzekutorët dhe u thotë: “Ju që po më merrni jetën do të vijë një ditë që do të bëheni hi së bashku me komandantin tuaj”. Pastaj u tha prerë dhe pa iu dridhur qerpiku: “Qëlloni more katila, more vrasës, pse keni frikë! Trimat vriten dhe e presin plumbin nga kraharori, ballazi dhe jo nga prapa krahëve”. Pas pak hoqi kamillafin dhe e mbajti me dorën e majtë, u kthye me fytyrë nga lind dielli dhe bëri lutjen e kryqin për të madhin Zot. Për të ngjallur frikë e terror, pasi e pushkatuan, e lanë të shtrirë në anë të xhadesë nën ruajtje të forcave ushtarake ashtu siç ishte i veshur me uniformën e priftit, me kryq në qafë e i mbytur në gjak. Duke qëndruar si ngadhnjimtar për mbi 24 orë te “vend pushkatimi” pranë varreve në Gjirokastër, përpara trupit të tij të dobësuar nga vuajtjet, torturat dhe të mbytur në gjak fytyra e tij e keqtrajtuar dhe shpërfytyruar, për kalimtarët e banorët e qytetit shprehnin pabesinë, të panjohurën, lemerinë e ardhshme, lemerinë komuniste që e priste popullin tonë. Pastaj e groposën cekët në zhavorishten buzë Përroit të Zinxhirëve apo në Buduk, që kur të vërshonin ujrat nga shirat e rrëmbyeshëm të vjeshtës apo dimrit, bashkë me zhavorin të merrnin edhe trupin apo eshtrat e tij. Kemi studiuar dosjen gjyqësore dhe si për të gjithë të dënuarit me vdekje, pra edhe për Atë Aleksandrin, skuadra e pushkatimit dhe vendi i varrimit është mbajtur sekret. Në regjistrin e burgjeve shkruhej: “skuadra e pushkatimit siç është përcaktuar” dhe “vendi i varrimit në vendin e caktuar“. Akoma dhe sot Atë Aleks Lipes nuk i është gjetur varri për t’a nderuar pas vdekjes, për t‘i ndezur një qiri apo çuar një tufë lule në shenjë respekti. Atë Aleksandri në jetën e tij 51-vjecare u dënua nga tre regjime: regjimi fashist, gjyqet partizane të Luftës NÇ dhe regjimi komunist. Disa herë e vunë në fije të perit e në buzë të varrit, bile edhe kur e çuan në ferrin e burgjeve fashiste e komuniste ai s‘u dorëzua. Jeta, aktiviteti dhe figura e Papa Aleksit mbeti e pacënuar në gjyqin farcë të ideuar dhe dirigjuar nga ata që instaluan terrorin e kuq e kundërta e besës së burrit dhe e fjalës së premtuar në traditën e Rëzës dhe atë Përmetit. Komunistët e shpërblyen idealizmin e tij duke i ndërprerë jetën dhe marrë atë në moshën më të mirë për punëra në shërbim kishës, të besimtarëve ortodoksë dhe jo vetëm. Ata i mohuan kontributin, përkohësisht ja njollosën emrin dhe i përdhosën shtëpinë. Familjen ja shuan e i shperndanë gjithandej, ndërsa farefisin e të afërmit i bluajti ne mokrën e luftës së klasave. Persekutimi e përçudnimi përfshiu gjithë fshatine tij të lindjes, Kaludhin, e deri Krahinën e Rëzës.
Më 12 janar 2021 mbushen 125 vjet nga dita e lindjes. Në moshën 51 vjeçare e pushkatuan. Ai rrojti pak, por jetoi shumë. I fikën qiririn e jetës, por jo shpirtin, emrin, bëmat, historinë. Dhuna barbare e largoi nga jeta në moshën kur mund të kontribonte më shumë për Fe, Atdhe, Paqtim e Vëllazërim. Atë Aleksandri është Martiri i Parë i Kishës Ortodokse të pas Çlirimit te vendit.
Kush ishte Aleksandër Lipe
Atë Aleksandër Lipe (Asimaqi para hirotinosjes) lindi më 12 janar 1895 në Kaludh të Rëzës së Përmetit. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ndërsa në Strëmbec në vitin 1913 përfundoi shkollën plotore në gjuhën greke. Varfëria dhe vdekja e të atit kur ishte vetëm 17 vjeç e detyruan të emigronte në Greqi. Krahas punës në vitin 1917 studioi në gjimnazin e Vella-s për mësuas-prift e më pas edhe në Seminarin Teologjik te Selanikut, që e përfundoi në vitin 1922. Kthehet në Atdhe dhe në shtator Mitropolia e Korçës e emëron prift në kishat e Kaludhit e Gjinkarit dhe më pas në Radovë të Leskovikut. Enoria e Përmetit në Kishën e Shën Kollit në vendlindje organizoi cermoninë për hirotinosjen prift me emrin Aleksandër. Që nga ajo kohë prift Asimaqi njihet me emrat; Papa Aleksi, Atë Aleksi, Atë Aleksandri apo edhe emrin e fshatit e të krahinës nga vinte si: Prifti i Kaludhit, Rëzës, Leusës dhe vite më vonë kur u emërua Zv/Mitropolit i Përmetit, me emrin Prifti i Përmetit. Kur u titullua prift, veshi rason, vuri kryqin e u betua se do t’i shërbejë të Madhit Zot, ortodoksisë dhe besimtarëve. Përgatitja e lartë teologjike, korrektësia, përkushtimi dhe mirësia nxitën KOASH-in t’a emërojë në maj 1925 klerik në kishat e Beratit dhe mësues në shkollën teologjike për përgatitjen e klerikëve të rinj. Ai nuk e harroi vendlindjen, dhe në vjeshtën e vitit 1927 hapi për herë të parë me shpenzimet e veta shkollën shqipe, ku vetë jepte mësim. Pranvera e vitit 1929 Atë Aleksandrin e gjen klerik në kishat e Leusës dhe të Përmetit, ku vijoi traditën e Nolit për meshimin shqip në shërbesat dhe ceremonitë fetare. Krahas detyrës si ZV/Mitropolit organizoi dhe drejtoi korrin kishtar dhe grupet e katekizmit, ndërsa nga marsi 1938 – shkurt 1946 punoi edhe mësues i lëndës së besimit ortodoks në shkollën e qytetit.
Përgatitën: Lekë Tasi, Irakli Thanasi
Kujto.al