
Nga Gilles Deleuze dhe Claire Parnet
Ne jetojmë në një botë mjaft të pakëndshme, ku jo vetëm njerëzit, por edhe pushtetet e vendosura kanë interes të na komunikojnë afekte të trishta. Trishtimi – afektet e trishta janë të gjitha ato që e zvogëlojnë fuqinë tonë për të vepruar. Pushtetet e vendosura kanë nevojë për trishtimet tona për të na bërë skllevër. Tirani, prifti, grabitqarët e shpirtrave, kanë nevojë të na bindin se jeta është e vështirë dhe e rëndë. Pushtetet kanë më pak nevojë të na shtypin sesa të na ankthiojnë ose, siç thotë Virilio, të administrojnë dhe të organizojnë frikërat tona të vogla intime. Ankesa e gjatë universale që është jeta…
Mund të themi sa të duam “le të kërcejmë”, por nuk jemi fort të gëzuar. Mund të themi sa të duam “çfarë fatkeqësie është vdekja”, por do të duhej të kishim jetuar për të pasur diçka për të humbur. Të sëmurët, si të shpirtit ashtu edhe të trupit, nuk do të na lëshojnë, vampirë, për sa kohë që nuk na kanë komunikuar neurozën dhe ankthin e tyre, kastrimin e tyre të dashur, mllefin kundër jetës, ngjitjen e ndyrë. Gjithçka është çështje gjaku.
Nuk është e lehtë të jesh njeri i lirë: të ikësh nga murtaja, të organizosh takime, të rritësh fuqinë për të vepruar, të prekehesh nga gëzimi, të shumëfishosh afektet që shprehin maksimumin e afirmimit. Ta bësh trupin një fuqi që nuk reduktohet në organizëm, ta bësh mendimin një fuqi që nuk reduktohet në vetëdije.
Përktheu: Agron Tufa
ObserverKult






