Pyetësori i Prustit/ Aziz Mustafa: Heronjtë e mi janë ata që për atdhe japin çdo gjë që kanë, e për shpërblim nuk kërkojnë asgjë

aziz mustafa

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet Aziz Mustafa, mjek dhe shkrimtar.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Janë dy lumturi, edhe pse asnjëra nuk mund të jetë e përkryer: e para, ajo personale që ka të bëjë me ndjenjën e lumturisë brenda vetes sonë, që është brenda kufijve të trupit dhe mendjes sonë si individ dhe e dyta, ajo universale, që ka të bëjë me bashkësinë që i përkasim, duke filluar nga familja, shoqëria, kombi, shteti, komuniteti fetar a shoqëror deri te njerëzimi si tërësi e ekzistencës së llojit njerëzor.
Të dy këto koncepte ndërlidhen edhe me definicionin e shëndetit që e ka dhënë OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e cila definon se shëndet nuk është vetëm mungesa e sëmundjes, por mirëqenia e përgjithshme trupore, mendore dhe sociale.
Mes rreshtave të këtij definimi ndërlidhet edhe lumturia si fenomen që nënkupton ndjenjën e të qenit i shëndoshë fizikisht dhe psiqikisht, mundësinë e pasjes së ushqimit, veshjes dhe strehës dhe raporteve paqësore dhe të mirëkuptimit në bashkësinë të cilës i përket.
Prandaj, në planin personal lumturia e përkryer është nëse jemi shëndoshë e mirë, fizikisht dhe mendërisht dhe në atë universal lumturia e përkryer është mundësia e sigurimit të ushqimit dhe strehës si dhe marrëdhënieve të shëndosha në familje, shoqëri dhe kudo në botë, që nënkupton mundësinë e punës dhe dhënies së kontributit në bashkësi, që duket se është një lloj utopie, por që njerëzimi e ka përherë në agjendën e tij.

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe është fundi e botës, kataklizmi, kiameti.  Nga njëherë mendoj se ndoshta nuk do ta përjetoj në të gjallë timin, por ndjehem keq kur e mendoj se do ta përjetojnë fëmijët tanë, nipat tanë, stërnipat tanë. Fundin tim si qenie njerëzore e marr si diçka normale dhe të mirëqenë, por fundin e një vazhdimësie miliona vjeçare të një jete që ka funksionuar në mënyrë gati perfekte nuk mund ta paramendoj dhe nuk mund ta pranoj dhe vërtet ndjehem keq kur e kujtoj, ndjehem i pafuqishëm dhe i kurrëqyshëm që nuk mund të jap një ndihmë shumë simbolike në parandalimin e tij.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Nuk e admiroj askënd në kuptimin e ngushtë të fjalës. Adhurimi i takon vetëm një fuqie supreme. Kam në mendje shumë personalitete që i çmoj dhe respektoj, jeta dhe vepra e të cilëve më frymëzojnë. Janë njerëzit që kanë sakrifikuar gjymtyrët e trupit, kanë derdhë gjak e djersë për të mirën e përgjithshme, pa marrë në këmbim asgjë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Personalitet i tillë është mjeku vjenez Adam Politzer (1835-1920), themelues i otologjisë moderne, personalitet që ka dhënë shumë në kohën e zbulimeve të mëdha shkencore, kur mjekësia nga një zanat është shndërruar në shkencë.  Po ashtu, dy shkrimtarë të mëdhenj rusë A.P. Çekhov dhe Mihail Bullgakov që kanë qenë mjekë të njohur të kohës, janë dy personalitete që identifikohem me ta sepse kanë ecur si trena në dy binarë: mjekësi e letërsi.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

E para është ngutja. Kam menduar se jam ngutur vetëm kur kam qenë i ri, por ngutja qenka një veti që qenka si duket e vulosur në gjene dhe nuk po mundka të hiqet.  E dyta është se besoj shumë, deri në naivitet. Nuk jam dyshues.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Dembelia, nëse duhet të përmend vetëm një. Nëse mund të numëroj edhe tipare të tjera, atëherë në listë hyjnë: mosmirënjohja, rrena, mungesa e sinqeritetit, pafytyrësia, dyfytyrësia dhe veset tjera. Por, dembelia për mua është themeli i të gjitha të këqijave, prej saj burojnë edhe rrena edhe veset tjera.

Në cilat gjëra e teproni?

Nuk di diçka për të cilën shquhem që e teproj. Kohëve të fundit po mundohem të kem kujdes të mos e teproj me ushqim. Kam shumë oreks dhe po mundohem ta mbaj një mend se nuk duhet ta teproj, por e kam vështirë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Mbrojta e jetës njerëzore në përgjithësi dhe më të afërmeve të mi në veçanti. Edhe sipas mësimeve fetare për raste të tilla, gënjeshtra nuk është mëkat.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

I dua shumë udhëtimet. Udhëtimi në Japoni para 6 vitesh ka qenë i veçantë dhe i paharruar, por edhe në SHBA, Stamboll, Amsterdam, Shtutgart, Sarajevë, Zagreb, Gjirokastër, Butrint e Ulqin rrugëtoj me kënaqësi. E kam qejf edhe hikingun, pushtimin e majave. Deri tash e kam ngjitur Gjeravicën dy herë, majën e Lubotenit, Liqenatin dhe disa ecje të paharruara me Klubin alpin “Gjilani”.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

“Mirë”, “në rregull”, “nuk ka problem”, edhe pse kjo e fundit është problematike, sepse pikërisht aty ku thuhet shpesh “nuk ka problem”, ka problem…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Jam penduar që e kam bërë publike matjen e I.Q. Nuk ka nevojë ta dinë as njerëzit sa i mençur, as sa budalla je. Nëse je, je për vete. Thjesht e bën dhe nuk ia tregon askujt. Nuk është e nevojshme të posedosh një certifikatë e t’ua tregosh njerëzve kur mundesh me punën, dijen, sjelljen dhe të arriturat tua ta tregosh atë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Nëse pyesni për persona, është një: familja, gruaja dhe tre fëmijët e mi; ndërsa në planin e gjerë, në jetë dy kanë qenë dhe janë dashuritë e mia: profesioni im i mjekut dhe letërsia, si leximi ashtu edhe shkrimi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Si duket Prousti te kjo pyetje ia paska huqë pak. Cili njeri me dy kokrra mend thotë se jam keq nga truri? Ai tani duhet të ishte te psikiatri duke u trajtuar, e jo duke u përgjigjur në këtë pyetësor. Por, për kurtuazi, po përgjigjem se kurrë në jetë nuk jam ndier më i qetë, më i relaksuar, më i plotësuar dhe i shëndoshë mendërisht.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Vetëm një? Pse nuk ka më shumë? Hmm, ndoshta duhet të kisha qenë pak më moskokëçarës, më zemërgur, më pak i dhembshëm. Ndoshta, prapë nuk jam i sigurtë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

E arritura ime më e madhe nuk ka arritur ende. Është në ardhje. Por, nëse shikoj prapa, profili im si mjek specialist otorinolaringolog, shkathtësitë e përvoja në profesion janë e arritura ime më e madhe. Por, një burrë i mençur anamoravas, Ramiz Cërnica, kur e kishin propozuar që për së gjalli t’ia ngrinin një përmendore, ishte përgjigjur: “Prisni sa të vdes, se ende mundem me u koritë”. Kjo thënje më rri mbi kokë, si shpata e Demokleut.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Shumë gjëra: do të punoja edhe më shumë, do të lexoja edhe më shumë, do të shkruaja edhe më shumë, edhe më mirë, do të falja dashuri e kujdes edhe më shumë, do rrisja dozën e empatisë në secilin segment të jetës; do të isha munduar ta bëjë veten më të mirë, më të dashur, më të qeshur, më dhurues, më njerëzor.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Një dallëndyshe, që kthehet në çerdhe çdo pranverë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Familja.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Injorancën. “Mos e nënvlerësoni budallallëkun”, ka thënë dikush. Analfabetizmi, mosdija, ky është mjerimi më i madh. Ku ka mjerim më të madh për një shoqëri ku akademiku nuk din drejtshkrim, ku ka mjerim më të madh se mësuesi është pedofil dhe i padijshëm, ku ka mjerim më të madh se mjeku del i papërgatitur, ku sinonimi për politikanin është mashtruesi dhe demagogu; ku ka mjerim më të madh se mediat analfabete, gazetarët e analistë të korruptuar që shiten lirë, estradë pornografike që i këndon drogës dhe dhunës, ku ka mjerim më të madhe se një shoqëri ku mediat i bëjnë model  tipat psiko-patologjikë me elemente skizofrenie?

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në fshatin Malishevë të Gjilanit, aty ku kam lindur. Kam dëshirë t’i vizitoj të gjitha vendet e botës, por askund nuk ndjehem i lumtur pos në vendin tim. Kisha mundur të jetoj nga dy-tre muaj në Ulqin, Shkodër, Gjirokastër, por për përgjithmonë vetëm në vendlindje.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Mendoj se duhet ta thonë tjerët, sepse gjithçka që them për vete mund të më merret si mburrje. Respekti për njerëzit dhe aftësia të përshtatem në cilin do rreth.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Te një burrë vlerësoj integritetin, trimërinë, vendosmërinë dhe sinqeritetin.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Te një grua vlerësoj intelektin, vetëmirëmbajtjen dhe humorin.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Ismail Kadare është i pari, nja pesë vende janë të zbrazëta e pas tij vijnë: G.G. Marques, H.L. Borges, Umberto Eco, Haruki Murakami, Isabel Allende, Xhek London etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ish-ushtarët e UÇK-së, ata që e kanë kryer misionin e vet gjatë luftës dhe nuk kanë plaçkitë pas luftës, gratë e dhunuara gjatë luftës, prindërit e fëmijët e dëshmorëve, qytetarët vullnetarë që dalin e mbledhin mbeturinat që i hedhin të pandërgjegjshmit, tatimpaguesit e rregullt, mësuesit veteranë, nënat vetushqyese dhe të gjithë ata që dalin dhe votojnë si votues të lirë, që nuk e shesin e as e blejnë votën.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të dija të luaja në piano ose kitarë. Di të këndoj, kam vesh muzikor, por nuk kam pasë kohë të mësoj instrumente muzikore.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në gjumë, si baba, gjyshi im dhe stërgjyshi im.

Cila është motoja juaj?

“Punë, drejtësi; tjerat janë rrena”. Për akribi, këtë maksimë e ka thënë Jakup (Zahir) Mustafa, djali i axhës së babës tim, një burrë i pa shkollë, por shumë i mençur. E kur e kujtoj axhën Jakup, më krijohet një se populli ynë ka mbijetuar vetëm falë një mençurie popullore të burrave e grave që edhe pse të pashkolluar, e kanë ruajtur traditën, letërsinë gojore dhe mençurinë popullore prej muzgut të historisë e deri më sot.

ObserverKult

Kliko edhe:

BUQETË POETIKE NGA AZIZ MUSTAFA: LIRIA, A ËSHTË ËNDËRR?

CIKËL POETIK NGA AZIZ MUSTAFA: KREJT ÇKA DUHET ËSHTË DASHURIA

MREKULLIA E LEXIMIT TË LETËRSISË KULMINANTE

TAKIM ME SHKRIMTARIN AZIZ MUSTAFA