Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet profesori i filozofisë politike Blerim Latifi.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Nuk ka lumturi të përkryer në botën në të cilën na ka rastisur të jetojmë; përfytyrimi i një lumturie të tillë i përket vetëm rrafshit të imagjinatës, qoftë asaj artistike, qoftë asaj mistiko-religjioze.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Frika se mund të humbim atë që e arritëm si shoqëri në vitin 1999 dhe 2008.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Ismail Kadarenë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Kam një dilemë për këtë. Dilema është midis Nolit dhe Konicës.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Më ndodhë si shpesh të rrëmbehem pa nevojë.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Cinizmin.
Në cilat gjëra e teproni?
-Në cigare dhe kafe.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Nga pikëpamja kantiane duhet gjithmonë ta themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Por bota është pak më e ndërlikuar se koncepti moral i Kantit. Për të shpëtuar nga e keqja një të pafajshëm, do të gënjeja pa m’u dridhur qerpiku.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Në Romë, Paris dhe Jerusalem.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Në këtë kontekst.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Përfshirja e shkurtër në jetën partiake.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Në rrafshin social, familja ime; në atë intelektual, filozofia.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Hahah. Pyetje e vështirë psikologjike. Më duhet të vetëekzaminohem, duke përdorur instrumentet e filozofisë.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Jam në paqe me veten.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Mendoj se është herët për të bërë bilancin.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-E kam një peng nga rinia e hershme: pasionin për letërsinë, të cilin e pata braktisur kur ma mori mendjen filozofia.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Ky që jam.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Do të përgjigjesha, nëse do ta kisha të qartë se çfarë kuptoni me frazën “gjënë më të shtrenjtë”. Sepse koncepti i të shtrenjtës është relativ dhe polisemantik.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Injorancën e veshur me autoritet.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Përveç Kosovës, do ta zgjidhja Romën.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Mendoj shumë e flas pak. Urdhër i filozofisë, të cilën e kam mishëruar në veten time.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
-Bindjen e vërtetë se është i barabartë me gruan.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
-Guximin e patundur për ta demonstruar faktin se është e barabartë me burrat.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Për trajtimin e temave filozofike, Kundera; për mënyrën e të rrëfyerit, Hemingway. Nuk mërzitem asnjëherë duke i lexuar e rilexuar.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Njerëzit që jetojnë e punojnë të udhëhequr nga koncepti i ndershmërisë dhe i drejtësisë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Talentin e rrëfimit letrar.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Si baba im: në qetësi dhe në këmbë.
Cila është motoja juaj?
-Ajo që na e ka mësuar Kanti shekuj më parë: ki guxim të mendosh me kokën tënde!
ObserverKult
Lexo edhe:
RIELNA PAJA: THEM ATË QË MENDOJ EDHE ME KOSTON SE DO TË HUMBAS NJERËZ, POZICIONE…