Pyetësori i Prustit: Elvana Zaimi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet përkthyesja dhe studiuesja e letërsisë, Elvana Zaimi. 

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
 Sapo prek tokën, prishet.

Cila është frika juaj më e madhe?
Ajo më njerëzorja: Frika e humbjes së parakohshme të njerëzve të dashur, fëmijëve, familjarëve. Më kall tmerrin ideja e përballjes me diçka të tillë, aq sa nuk dua ta mendoj!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Cilindo që nuk epet përballë vështirësive, me bindjen e patundur, ndonjëherë deri në idiotësi, se ka për t’ia dalë mbanë diçkaje që gjithë bota i thotë se s’ia del. Dhe që më në fund e arrin qëllimin e tij! Kam admirim dhe respekt shumë të madh për qëndrestarët!

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Do të isha shumë kureshtare të dija si do të kisha qenë po të isha Uinston Çurçill për shembull…

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Nervozizmi i tepruar në situata të caktuara. Ndonjëherë, jo gjithmonë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Tipari që e hasim më së shumti ndër ne: mosmirënjohja. Niveli më i lartë i përballjes me të është shpërfillja.

Në cilat gjëra e teproni?
Me kohën që harxhoj duke menduar (dhe ndonjëherë edhe vepruar) për të tjerët. Zakonisht 70% e tyre nuk e meritojnë – bëjnë pjesë në kategorinë e mësipërme…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Varet nga rrethana, nga gënjeshtra. Nuk dua të bëj hipokriten duke thënë se nuk gënjej asnjëherë. Jo moj jo, gënjej sa shqepem – të tjerët, por sidomos veten, vetëmse janë gënjeshtra pa zarar. Por, do të kishte një arsye shumë madhore që do të më shtynte të dilja vërtet jashtë karakterit tim – fati i familjes sime.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ai që duhet ta bëja më shpesh: rrugëtimi i panjohur drejt vetes. Kërkon guxim dhe zemërgjerësi për të pranuar edhe gjëra që (sidomos) nuk të pëlqejnë gjatë tij…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Moj, je në terezi ti?…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Me vjen keq që nuk kam pasur iniciativë apo vizion për të bërë gjëra që do të më duheshin në përditshmërinë e sotme: mund të isha bërë matematiciene shumë e mirë, duke ndjekur gjurmët e nënës sime, por mbeta thjesht në principatën [pa princër e prijësa] të filologjisë – por kam ende shpresa, kam një jetë përpara.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Si tokësorë që jemi, do u përmbahemi ndjenjave tokësore: dashuria pa kushte për 5 fëmijët e mi, dhe nuk e di pse, një dashuri shumë e madhe edhe për të 6-in që s’ka lindur akoma (dhe që nuk është ngjizur akoma, mos u shtangni).

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Kaos. Kaos. Kaos.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Pak më shumë vullnet.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Atë që vjen pas arritjeve aktuale, pra nuk ka ndodhur akoma – përmbushjen me sukses të misionit të prindit!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Rrotën (tamam rrotë ashtu…) e historisë për Shqipërinë, atë që duhej të ishte Shqipëria në të vërtetë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Jo nëse do të vdes, se sigurisht që do vdes. Por po, kur të vdes, nëse do kisha mundësi, do të bëhesha me shumë qejf një fajkua! Edhe fluturak, edhe grabitqar, do të ishin arritje të mëdha për rimishërimin e një tokësoreje të padëmshme si unë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Ajo që kuptohet sa më sipër dhe që nuk është më e nevojshme ta them. FAMILJA, si koncept dhe si realitet. Edhe diçka tjetër në bashkëpronësi me tim shoq: biblioteka (duke përfshirë edhe librat elektronikë) – një Eden i vogël ngazëllyes për ne.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Refuzimin për dije – është arma më e madhe e shkatërrimit (të vetëdijes) në masë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Shiko, këto teoritë të tipit: sa të jem me njerëzit e mi të dashur, mund të jetoj kudo, edhe në një kasolle me kashtë a ku di unë, janë broçkulla, kokë e këmbë. Shtijani komplet. E di ku do të doja të jetoja unë, të paktën prej 4 vitesh e dua një gjë të tillë? Në një vend ku respektohet shkollimi dhe sakrifica për një jetë të ndershme e me meritë, në një vend ku po të sëmurem, të mos ketë asnjë shans të vdes rrugës duke shkuar në spital dhe të mos jem e detyruar t’i jap infermieres-sekseres (nqs nuk vdes rrugës pra) para për atë që e ka detyrë ta bëjë, në një vend ku fëmijët e mi nuk mësojnë idiotësira dhe gjërat më të padobishme në shkollë, në mënyrën më të përdhunshme të mundshme, në një vend ku të mos përballem me arrogancën e të paditurve që të bëjnë të ndihesh e pavlerë pikërisht se i ke bërë disa klasë shkollë më shumë se ta dhe aq më pak, në një vend ku politikanët të japin llogari gjer më një për veprimet apo mosveprimet e tyre – që nga fakti se pse e marrin të mirëqenë të kenë dashnore e deri te fakti se detyrimisht duhet të vjedhin apo përvetësojnë llokmën që ua mundëson kolltuku. E pra, me sa e kuptuat, ky vendi ku do të doja të jetoja, fatkeqësisht për të, jo për mua, nuk është Shqipëria, ndaj haptas e them, nëse dikujt i bie në vesh se kanë nevojë për një përkthyese, mama me kohë të plotë, diku nga Europa apo kudo të jetë, të më drejtohet mua direkt.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Altruizmi, të cilin e kam të dëshmuar. Vetëironia, të cilën e aplikoj në nivele të pëlqyeshme, mendoj. Më thonë që jam shumë energjike, por nuk ia kam mbushur mendjen akoma vetes.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Aftësinë që të më krijojë ndjesinë që përkas aty ku është ai, që të mos e ndjej kohën kur flas me të. Më ka ndodhur dikur me një njeri, që uleshim e bisedonim në drekë e saora ishte mbrëmje. Ky njeriu është sot babai i 5 fëmijëve të mi. Që atëherë jam betuar se asnjëherë nuk do ia vë veshin asisoj një burri. Ndaj tani një burrë mund të më bëjë përshtypje maksimumi vetëm me humorin ose me vetë/ironinë e tij.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Pak e ndërlikuar – do të isha me fat po të shprehesha siç e kam idenë dhe aq më shumë, nëse do të kuptohesha: femra është e prekur nga një sëmundje patologjike, që quhet “E dua dhe unë këtë!”. Edhe nëse nuk e ka të shfaqur, e ka latente, as që diskutohet. Nuk flas për materializëm këtu, të kuptohemi. Flas për arritje mes llojit. Do të doja që të ishin pak më shumë femrat që nuk e kanë këtë patologji. Femrat që mbështesin femrat (duke iu shmangur çfarëdolloj gjurme feminizmi, të cilin nuk e pranoj, sepse do të bija vetvetiu në pozita inferiore si femër: unë e marr të mirëqenë që mashkulli dhe femra janë të barabartë, nga pikëpamja sociale, se nga ajo antropologjike sigurisht që femra është më superiore dhe në këto pika nuk bëj asnjë lëshim apo negociatë), femrat që i rezistojnë çfarëdo presioni dhe me këmbënguljen e tyre ndryshojnë për mirë diçka në mikrokozmosin e tyre dhe të të tjerëve që i rrethojnë. Pastaj, në terma përditshmërie, janë: vullneti për të respektuar veten së brendshmi dhe së jashtmi deri sa pa u shndërruar në mani, kufiri i hollë që mund të mbajë një femër midis shpërfaqjes dhe misterit…
Mund të shkruaja një libër të tërë çfarë vlerësoj te një femër, pa harruar një atribut që meshkujt në fshehtësi vdesin ta kenë: mëmësinë. Një femër që refuzon me vetëdije këtë atribut, është shumëzim me 0 i gjithë arritjeve të tjera të saj.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Uf, këtu jam si ajo shprehja: I ndërron si mbreti gratë…
Sipas gjendjeve shpirtërore dhe stinore, por nëse do më vinit lakun në fyt si në disa pyetje më sipër, nuk do pendohesha po të thosha Herman Hese, Haruki Murakami, Italo Calvino apo Umberto Eco, duke e ditur shumë mirë që po kryej një blasfemi tokësore që s’po përmend qindra të tjerët që kam lexuar: unë e kam dashur dhe e dua çdo libër dhe shkrimtar që kam lexuar, por disa dashuri nuk tregohen (që i bie të jenë shumë, si latinoamerikanët për shembull. Apo një brez i tërë poetësh amerikanë me në krye Frost e Auden. Po anglezët a mund të harrohen këtu… Më falni o shkrimtarë se kam mëkatuar!)

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Sa interesante, jo më larg se para dy ditësh po e mendoja një pyetje të tillë, po bëja ca debate me veten. E di kush janë? Ata për të cilët NUK e kishte fjalën Andy Warhol kur thoshte se në këto kohëra (po ia përditësoj pak shprehjen) secili do ketë 15 minutëshin e vet të famës: janë njerëzit që nuk dalin në lajme, që nuk përbëjnë lajm nëse nuk bëjnë silikon apo skandale, janë njerëzit që me sakrifica mbinjerëzore arrijnë të mbijetojnë në një realitet absurd, aspak shpërblyes dhe që, merre me mend pra, ia dalin edhe të edukojnë fëmijët e tyre larg banaliteteve dhe materializmit marramendës sipërfaqësor. Përulem thellësisht përballë jetëve njerëzore të zakonshme, atyre të padukshmeve, të sakrificave që duan apo s’duan vanitozët e dëshpëruar, i japin ende shpresë dhe forcë tokës të rrotullohet.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Ah, touche! T’i bija harpës. Ose të këndoja më e pakta. Kjo e fundit sikur është realizuar në çerek. Ose në 1/8.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Besoj shumica e atyre që kanë bërë këtë pyetësor duan të vdesin në gjumë, pa e ndjerë hiç Gjumëmadhen të vijë, apo jo? Epo ja që unë nuk dua të hyj fare në toka të huaja, aq më tepër, përtej njerëzores. Po ia lë këtë atribut të Madhit, ai e di më mirë se edhe unë vetë si do të doja të vdisja. Unë nuk e di. 

Cila është motoja juaj?
Të kemi shëndetin, të tjerat rregullohen. Keep it simple, no?/Gazeta Observer