Salajdin Salihu: Nuk mahnitem nga spektaklet dhe nga retë kalimtare

salajdin salihu

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Salajdin Salihu.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
“Të lumtur janë ata që kënaqen me spektaklet e kësaj bote”, thotë Saramago. Jam i lumtur që nuk mahnitem nga spektaklet dhe nga retë kalimtare.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika se mos më mposht frika.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk kam më idole, siç i kam pasur në fëmijëri dhe rini. Fatmirësisht, nuk e kam idol as vetveten.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk dua të jem si askush tjetër. Nuk dua ta jetoj jetën sipas modeleve. E kam tani një moshë…

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Problemi me oraret. Më ndërron mendja në çastin e fundit dhe nuk kam ndjenjë për pasojat.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Poltronizmi. “Poltronët janë plehu ku rriten gjithë të ligat e kësaj bote”, thotë Mesha Selimoviqi. Shoqëria jonë është e mbushur me kësi plehu, kurse partitë tona e prezantojnë si vlerë.

Në cilat gjëra e teproni?
Duke e shkurtuar ditën dhe duke e zgjatur natën.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Për të krijuar situata humori, për ta shpëtuar dikë ose për ta shpëtuar veten nga kërcënimi i ndonjë ordineri.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Të udhëtoj drejt vendeve ku ruhen shënime të harruara. Unë udhëtoj pak dhe ëndërroj shumë. Udhëtoj nëpër kohëra. Të lexosh është njëfarë udhëtimi. Madje, besoj se mund të shkruaj reportazhe bindëse edhe për vendet ku nuk kam qenë asnjëherë, ndonëse përherë kam dashur t’i vizitoj, sepse i njoh shumë më mirë nga ata që shkojnë aty vetëm për shoping.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Sigurisht se e përdor fjalën “sigurisht”. Ndoshta pse shpesh kam njëfarë pasigurie. Kushedi. Dhe “unë mendoj se…”, për të lënë të kuptohet se ka plot të tjerë që kanë të drejtë të mendojnë ndryshe nga çfarë mendoj unë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që duke u marrë me idiotësitë e kësaj bote harroj t’u përkushtohem më shumë njerëzve të afërt.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime. Gruaja ime, Valbona. Djemtë e mi: Gerti, Drini dhe Dreni. E dua familjen, sepse pa këtë dashuri nuk mund ta dua kombin tim dhe mbarë njerëzimin.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E trazuar, si përherë. Plot ankthe, dilema, pasiguri për punën që bëj.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Nuk e kam menduar asnjëherë. Jam i plotë me veset dhe virtytet që kam. Me përparësitë dhe mangësitë që kanë marrë formë ndër vite te personaliteti im.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Që vazhdoj të besoj se shumë gjëra ende nuk i kam arritur. Pra e kam ndjenjën për të kërkuar, për të bërë diçka që nuk e kam bërë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
E kaluara nuk përmirësohet. Kur vuajmë shkaku i saj biem në depresion. Ndoshta do të dëshiroja të merresha me punë të tjera që të bëjnë më të lumtur. Për shembull: do hapja një fermë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Të isha ai që jam edhe tani: ujk i vetmuar, që jeton jashtë lukunisë së tij.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Familja dhe pasioni për të shkruar.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të jetosh me ndërgjegje të njollosur.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në ishullin ku nuk ndriçojnë reflektorët e Hyjneshës Aktualitet, siç thotë Kundera. Një pjesë të madhe të kohës e kaloj në këtë ishull, por kjo nuk është e mjaftueshme. Shpesh mendoj për një ekzil të brendshëm.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të qenit grua.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Janë shkrimtarët veprat e të cilëve i rilexoj vazhdimisht. Njëri është “princi i qelbësirave”, një tjetër është “princ i vështirë”, i treti është “apologjet i gjendjes së pashpresë”. Me kalimin e kohës bëhem lexues me teke. Më shumë dua të rilexoj se sa të lexoj edhe pse çdo rilexim është vetëm lexim.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që kanë guximin të shkojnë përtej mundësive të tyre njerëzore, pa e humbur njerëzoren brenda vetes dhe përherë i japin shancë paqes.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të isha kompozitor…

Si do të dëshironit të vdisnit?
Le të vijë si të dojë fëmija i frikësuar që vë dorën mbi zemër, siç thotë një poet. Deri atëherë le të punojmë për të krijuar një formë tjetër ekzistenciale, ashtu siç bëri Gilgameshi pasi e humbi barin e pavdekësisë. Njeriu i frikësohet vdekjes, por paramendoni sikur ajo të mos ekzistonte. Ka një vepër letrare ku njerëzit e kuptojnë se nuk mund të vdesin dhe i kap trishtimi.

Cila është motoja juaj?
Humbja nuk është opsion./ ObserverKult