Pyetësori i Prustit: Virion Graçi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Virion Graçi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk besoj se ekziston përsosmëria në lumturi. Por mund të përfytyroj një gjendje sipërore të saj, çaste kulmore, kalimtare. Për mua do të jetë dita kur të shikoj se i kam kryer detyrat e mia njerëzore: si prind, si njeri, si qytetar e si krijues; pra, moment kur im bir të mos ketë praktikisht nevojë për mua, por të më dëgjojë sa për respekt; momenti kur puna ime shkrimore, krijuese-studimore të mos ketë nevojë për praninë time në shoqëri për t’i bërë vend, hije, hapësirë, autoritet.

Cila është frika juaj më e madhe?
Rruga e gabuar-mënyra e gabuar e të ekzistuarit. A kam zgjedhur mënyrën e duhur për të përligjur ekzistencën? A është kjo mënyra e duhur për t’u projektuar në bashkëkohësi si emër i përvetshëm? Aq i dyzuar jam në pasigurinë midis rrugës së duhur e asaj të gabuar saqë dhe kur provoj një gëzim të madh, përsëri më vjen një dyshim frikësues që më pyet: është kjo mënyra e duhur për ta ndier veten të gëzuar?!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ata që admirojmë ngelen përherë të gjallë, aktivë, të plotfuqishëm ndaj nesh e nuk i ndaj dot në të gjallë e të vdekur; janë pararendësit e mi në linjë gjaku, prindërit, gjyshërit. Nga lindja e tyre deri në perëndim të jetës kanë pasur kundra aq shumë faktorë e fuqi madhore, e megjithatë kanë bërë aq shumë për ne pasardhësit, pa marrë në portretin e tyre asnjë njollë turpi apo hije mëkati shoqëror.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Njëri nga vëllezërit Frashëri.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Durimi në bisedë, lëshoj shumë pe kur jam duke biseduar në shoqëri pak të zgjeruara; e duroj dikë për hir të tavolinës, për hir të vendit ku mund të ndodhemi ose sepse mendoj se ai vetëm ashtu mund të jetë, vetëm ashtu mund të arsyetojë, vetëm ashtu mund të shprehet.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Shpërdorimi i bisedës miqësore; ekspozimi tinzar në publik i bisedave private, shoqërore e sidomos transformimi i tyre te të tretët duke fabrikuar fakte e kuptime të paqena. Ne në Shqipëri jemi mes kësaj mode vrastare, fatkeqësisht.

Në cilat gjëra e teproni?
E teproj në ndjeshmëri; njësimi me fatkeqët, njësimi shpirtëror me njerëzit në dert, në zhgënjim, në padrejtësi sociale. Nga njëra anë kjo mbase më ruan pastër karakterin, humanitetin, por ma përkeqëson humorin, shpresën, kënaqësinë e të qenurit gjallë..

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Do t’i kurseja ato të vërteta që dikujt mund t’i binin si rrufe në qiell të kthjellët, do t’ja prishnin një gjendje lumturie të rastit; nëse gënjeshtër mund të quhet dhe përgëzimi (komplimenti) i pamerituar, këtë do ta bëj me masë ndaj çdo njeriu për gjëra sipërfaqësore, jo të rëndësishme.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Nga kujtimet e mia fillestare, atje ku kujtesa nis – deri në të tashmen. Normalisht kjo do një jetë të dytë, por më i zakonshëm ndër udhëtimet e mia të pëlqyera është rileximi i librave të zgjedhur, nga faqja e parë deri te e fundit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Po-është përgjigjia ime e mërmëritur dhe kur më vjen ndonjë grusht fytyrës dhe kur më vjen ndonjë buzëqeshje mirësie, respekti. Përveç PO-së, nuk kam tjetër përgjigje të ndershme, burrërore për të kthyer.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam penduar që kam qëndruar në Shqipëri; kam qenë mu pranë atyre që i shpërthyen ambasadat e huaja dikur e nuk e lashë këtë vend; kam qenë pranë atyre që hipën në anije e ikën nga ky vend, e unë ndenja këtu; jam penduar sepse duke qëndruar këtu pashë se atdheun mund ta humbasësh edhe pa e braktisur kurrë fizikisht; ky nuk është më atdhe për shumë shqiptarë. Unë jam njëri prej tyre.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Varet. Deri në një moshë duhet/mund të jetë dashuria ndaj prindërve, pastaj dashuria ndaj dikujt nga seksi tjetër me të cilën/cilin mendon të jetosh përgjithmonë; pastaj mund të vijë dashuria për fëmijët e tu, e më vonë mbase për fëmijët e tyre. Te unë mbizotëron tani ndjenja prindërore, dashuria ndaj djalit tim.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Një dëshpërim i kontrolluar, i administrueshëm, i artikulueshëm në fjalë, i konvertueshëm në figura artistike, në ligjërim letrar. Jo fare keq, pra.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Skepticizmi, dyshimi brejtës për vlerat mbizotëruese të kohës dhe të shoqërisë në të cilën jetoj.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Afirmimin si romancier, pranimin nga lexuesit, nga shoqëria kulturore si romancier i mirë, serioz, njerëzor.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Vendin e jetesës (atdheun, nënshtetësinë).

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Dallëndyshe. Janë zogj me të cilët në fëmijëri kam pasur marrëdhënie të ngushta, praktike e simbolike. Nën një strehë betoni që kishte shtëpia ime ato ndërtonin foleza të bukura e vinin duke sjellë pranverë, bukuri, gjelbërim e hare.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Librat e mi. Janë një dyzinë deri tani.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerim është të mos shohësh, të mos dëgjosh, të mos flasësh dot, por mjerimi më i madh është kur sheh, dëgjon e nuk arrin të kuptosh gjësend, kur të gënjejnë e kur e gënjen veten.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Pranë njerëzve të mi, pranë familjarëve të mi, miqëve, shokëve. Me vendet nuk krijoj kurrë marrëdhënie varësie, malli, besnikërie; me njerëzit po. Me ata dua të jem.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Stoicizmi sipas meje, t’u buzëqeshësh fatkeqësive, të të përlotin gëzimet, fitoret.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Korrektësinë në marrëdhënie, edukimin në komunikim, mirësjelljen pa teprime artificiale.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Te një femër që shfaqet kalimthi vlerësoj dukjen, te një femër që qëndron me mua vlerësoj vlera më të rëndësishme, më të qëndrueshme; kulturën, mençurinë, karakterin, bukurinë shpirtërore.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Më i talentuari ka qenë Shekspiri, librin më të përkryer e ka shkruar Servantesi.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Jeta e vërtetë? Cila mund të quhet e tillë? Duhet një marrëveshje fjale për këtë. Të vetmit heronj për mua janë ata që e kanë sakrificën rutinë, përditshmëri; e përjetojnë si normalitetit, si proces të ndërgjegjshëm në emër të dashurisë e përkushtimit pa kushte, pa shpërblim, larg vëmendjes e zhurmës publike.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Këtë që kam, rimishëroj jetën time në formë letrare-fiksionale. Talent shtesë? Të isha muzikant instrumentist, të luaja kohë pas kohe pjesë të zgjedhura nga repertori klasik botëror.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke lënë porosi sepse kështu do të më shtyhej afati i kapërcimit të jetëve me disa ditë. (Shaka). Do të doja të vdisja i moshuar, mbështetur në nënkresa duke parë nga dritarja një copë qiell ose rrugëtimin e hutuar të ndonjë reje.

Cila është motoja juaj?
Jo déjà vu. Diçka tjetër ose asgjë. Jo déjà vu./Gazeta Observer