Këto janë produktet e punuara nga duart e të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Përtej të bukurës, këto varëse kanë rrëfime të ndryshme që përshkruajnë histori të forcës e vullnetit.
Kadire Tahiraj, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, tregon se ideja e punimit të produkteve artizanale veçmas punimi i varëseve, ka rrjedh nga një trajnim i disa anëtarëve në Turqi, raporton “SOT” i KTV-së.
Ideja e projektit ka vazhduar duke parë interesimin nga vendorët dhe ndërkombëtaret, duke u përkrahur nga komuna e Drenasit në mbështetje për gratë.
Punimet e këtyre grave tashmë janë duke u profesionalizuar edhe më shumë, ku përveç varëseve, ato punojnë kosnaca, qilima e çanta.
Këto punime të veçanta mbajnë më vete një pjesë të historisë të popullit dhe me shitjen e këtyre produkteve ato ndihmojnë familjen.