“Qeleshet” prej mermeri për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Jo pak historianë argumentojnë se qeleshet që përdoren në trojet shqiptare janë të ngjashme me ato të cilat i kanë përdorur edhe ilirët.

Konsiderohen pjesë e rëndësishme e traditës shqiptare dhe prandaj i kanë lënë mbresa edhe skulptorit nga Peja, Haxhi Gjoni. Artisti autodidakt, i brengosur nga fakti se qeleshja sot nuk përdoret si përpara dhe se këtë pjesë të trashëgimisë mund ta mbulojë pluhuri, ka marrë rolin e mbrojtësit të trashëgimisë. Dy muajt e fundit ka skalitur në mermer tri qeleshe duke i dhënë formë projektit të tij “Qeleshja”. E konsideron atë një mënyrë për të ruajtur vlerat kombëtare, transmeton ‘koha.net’.

Tri qeleshet e realizuara në mermer të butë kanë lartësi 12 centimetra dhe gjerësi 8 centimetra. Gjoni ka thënë se ato dallojnë nga njëra-tjetra pasi që kanë trajta të ndryshme dhe u përkasin krahinave të ndryshme.

“Një pjesë e madhe e krijimtarisë sime u është përkushtuar figurave kombëtare, simboleve dhe assesi nuk kam mundur që të anashkaloj qeleshen duke e ditur që është bartur nga paraardhësit tanë e deri në ditët e sotme. Edhe pse sot shumë rrallë të rastis që të shikosh dikë me qeleshe dhe prandaj kam menduar që ta skalis në mermer”, ka thënë ai.

Ka treguar se pjesa me e madhe e punimeve të tij lidhet me trashëgiminë kulturore të vendit.