Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit çel konkursin “Libri i karantinës”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë publike konkursin “Libri i karantinës”, duke ftuar për të marrë pjesë gjithë autorët shqiptarë kudo që ndodhen.

“Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit fton autorët shqiptarë ti kalojnë këto kohë duke shkruar libra. Veprat e shkruara në këtë periudhë të dërgohen deri më 15 maj 2020 në adresën: [email protected] më e mirë do të gjykohet nga një juri profesionistësh, ndërsa libri do të botohet nga QKLL.”, thuhet në njoftim.

 “Këto kohë jo të lehta për të gjithë, mund të jenë frymëzuese për letërsinë e cila gjithnjë ka treguar se di ti shndërrojë izolime të tilla në vepra të mëdha. “Libri i Karantinës” është një konkurs i cili fton gjithë autorët shqipfolës të shkruajnë vepra në prozë. Konkursi do të jetë i hapur deri më 15 maj dhe do të gjykohet nga një juri me profesionistë të fushës”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e QKLL.

Sipas saj ky konkurs është një ftesë për të shkruar vepra në shqip i cili përkon dhe me muajin prill që është dhe muaji i letërsisë. Vepra më e mirë e këtij konkursi do të botohet nga QKLL.

Mbështetja e letërsisë dhe autorëve shqiptarë është në fokus të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Me nisjen e izolimit për shkak të pandemisë QKLL ka nisur fushatën e leximit, duke na ftuar që këto ditë të vështira t’i shohim si një mundësi për t’u kthyer te libri./ ObserverKult