Punonjësit e mirëmbajtjes në Durrës kanë nisur punën për kujdesin dhe pastrimin e monumenteve të kulturës për sezonin e ri turistik.
Qendra Muzeore Durrës ka filluar një proces pastrimi të monumenteve, mureve rrethuese dhe amfiteatrit nga vegjetacioni.
Sipas kësaj qendre, ky proces do t’i paraprijë punëve të zakonshme të pranverës, që janë të domosdoshme për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e pasurisë sonë të çmuar.
Qendra Muzeore Durrës bën të ditur se punonjësit kanë kryer pastrimin e monumenteve nga vegjetacioni.
Muret rrethuese të qytetit janë ndërtuar me blloqe dhe shekujt i kanë kursyer deri në ditët tona. Masivet që shihen sot në Durrës janë ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I në shekullin e katërt pas Krishtit. Perandori thuhet se mbrojti qytetin me radhë muresh prej tulle, nga të cilat sot kanë mbetur disa dhjetëra metra. Lartësia e tyre fillestare mendohet të ketë qenë 18 metra dhe gjerësia u jepte epërsi ndaj sulmeve të kundërshtarëve.
Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.
Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.
Amfiteatri i lashtë, i ndodhur në qendër të qytetit dhe 350 metra larg detit në drejtimin jugor, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj./ATSH