Qerim Vrioni: Angjelina Xharo- kineastja e palodhur

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë kineastes, Angjelina Xharo.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni                         

Kineasten Angjelina Xharo (Papalilo, Tiranë, 1949) e njoha falë një artikullit tim për një foto të mjeshtrit dardhar, Thimi Raci. Fotoja ishte e vitit 1933 dhe paraqiste 10 çifte dardharësh të fotografuar në fshatin e tyre në borë dhe që asaj i kishte tërhequr vëmendjen. Ato kohë (rreth vitit 2015), ajo jetonte dhe punonte në mërgim (Greqi) dhe kthehej në Tiranë në raste filmi ose botimi të ndonjë përmbledhjeje me poezi. Angjelina e kishte lexuar shkrimin tim në internet, ishte habitur me foton dhe kishte vlerësuar artikullin. Dikur u takuam për të biseduar idenë e saj për realizimin e një filmi dokumentar kushtuar kësaj fotoje dhe Thimi Racit. Natyrisht, mendimi i saj për dokumentarin m’u duk mbresëlënës, por projekti i saj nuk mundi të realizohej ato kohë.

Angjelina është një nga folëset e para në TVSH. Është regjisore dhe skenariste e shumë filmave dokumentarë të kinostudios ”Shqipëria e Re” e më vonë punoi për kanale të ndryshme televizive shqiptare. Ndër filmat e saj shënojmë dokumentarët: “Margarita” (skenari), “Vatra e shqiptarëve të Amerikës” (skenari), “Skënderbeu ynë“ (bashkëregji), “Rilindasi i fundit – Josif Bageri” (skenari) etj.

Po ashtu ajo ka shkruar një libër biografik “Margarita Xhepa, Artiste e Popullit”, romanin autobiografik “Vrapi i jetës” romanin ”Enigma”, ka botuar përmbledhje me poezi “Vesë mëngjesi”, dhe ka përkthyer në shqip romanin “Gruaja leopard” të shkrimtarit italian Alberto Moravia.

Në vitin 2018, u nderua me titullin “Kineastja më e mirë e Vitit Jubilar të Skënderbeut”. Gjatë kohës së qëndrimit në Greqi, ka punuar, gjithashtu, edhe si gazetare në emisionin shqip të Radios së Bashkisë të Athinës.

Kthehemi te një nga kafet me Angjelinën. Ajo e kishte marrë me shumë seriozitet realizmin e dokumentarit për foton e Racit dhe shpjegonte me pasion disa skena të imagjinuara që do të përbënin skenarin. Madje kur fliste për borën që kërciste nën këmbët e dhjetë burrave dhe dhjetë grave të fotos, ajo imitonte edhe zhurmërinë e hapave. Kishte një siguri në fjalët e saja që trazonte përfytyrimin, prandaj nisa ta fotografoj ndërsa fliste. Nga fotot zgjodha këtë, ku duket një buzëqeshje e fshehtë kënaqësie për efektin e paraqitjes së strukturës së saj pararegjizoriale.

Ishte janar 2015.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: PIRO NAÇE, FOTOGRAF DHE STUDIUES I FOTOGRAFISË