Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë aktorit, Bujar Asqeriu.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Nga Qerim Vrioni
Ndoshta ishte i ati i tij Tajari, shoferi i përkorë i autobusit interurban, që kujtohet edhe sot me respekt në Vlorë, i cili e bëri në fillim më të njohur emrin e Bujar Asqeriut në qytetin bregdetar. Pra, në fillimet e karrierës së tij thuhej Bujari i Tajarit. Gjithsesi, Bujari, si shumë aktorë të teatrit dhe filmit, por edhe më tepër si vlonjat vinte shpesh edhe te tryeza jonë te bar “Aleanca” në Tiranë, për të na përshendetur ose për ta pirë kafenë me ne. Kështu ndodhi edhe para disa vitesh, kur ai u ul në tryezën tonë dhe, pas porosisë për kafe, nisëm bisedën.
Aktori i njohur i filmit dhe teatrit, Bujar Asqeriu (Vlorë, 1956), pas mbarimit të studimeve për Art Dramatik në ILA më 1979, punoi për rreth 15 vjet pranë teatrit “Petro Marko” të Vlorës, por ai u aktivizua edhe nga kinostudioja “Shqipëria e Re” për disa filma. Shënojmë, rolet e para të tij në filmat e njohur: “Në shtëpinë tonë“ (1979) dhe “Liri a Vdekje” (1979), që i dhanë menjëherë statusin e një aktori të pëlqyer nga publiku dhe të kërkuar nga kinematografia.
Kështu, ndërkohë që punonte në Vlorë, ai vazhdoi të aktronte në filma të tjerë si te ”Njeriu i mirë“ (1982) dhe “Një emër midis njerëzve” (1983), me të cilët Bujari fitoi “Medaljonin” e festivaleve të filmave të viteve 1983 dhe 1985. Ndër pjesëmarrjet e fundit aktoriale të tij në kinematografi shënojmë atë në filmin “Dëshpërimisht” (2000), si edhe rolin e tij në kinokomedinë e kohëve të fundit “Dy gisht mjaltë” (2019).
Kthehemi te takimi i para disa viteve në barin ku biseda me praninë e Bujarit, sidomos për tema skene dhe ekrani, po bëhej inkandeshente. I thashë se gjatë bisedës doja ta fotografoja. Nuk kundërshtoi. Nisa nga shkrepjet dhe prej fotove e tij të asaj dite zgjodha këtë, ku ai po flet gjithë patos e me sy drejtur nga dora. Në të vërtetë, ai nuk po shikon dorën, por atë që shikonte me sytë e mendjes dhe i përhumbur ato çaste. Dora e djathtë, ndoshta ia afroi, në mënyrë të pavetëdijshme, por ajo nuk ishte në fokusin optik të syve të tij…
Ishte marsi i vitit 2015.
ObserverKult
Lexo edhe:
QERIM VRIONI: YLLI POLOVINA- PUBLICISTI I SHQUAR I HISTORISË