
Nga Qerim Vrioni
Më 2 shkurt 1939, pra 86 vjet më parë, u lind në Vlorë piktori i njohur Skënder Kamberi, njëkohësisht edhe mik i imi. Pas mbarimi të Liceut Artistik (1960), ai vazhdoi Institutin e Lartë të Arteve, ku nën drejtimin e pedagogëve Danish Jukniu dhe Vilson Kilica, u diplomua me sukses në vitin 1965 me kompozimin “Leximi i shtypit”. Paskëtaj, ai u kthye në vendlindje, ku bashkë me piktorin Nestor Jonuzi, dha një kontribut të veçantë në përhapjen e gjerë të pikturës në qytet. Kamberi mbetet një nga “penelat” më të dalluara të pikturës shqiptare qysh prej fillimit të viteve ‘60.
Skënder Kamberi ka marrë pjesë, thuajse në të gjitha ekspozitat kombëtare që organizoheshin në Shqipëri para vitit 1991, si edhe në disa ekspozita ndërkombëtare si në Egjipt, Francë, Angli, ShBA, Itali Greqi, Gjermani etj. Ai ka hapur edhe disa të tilla vetjake. Për kontributin e tij si artist pamor, Skënder Kamberi ishte nderuar në vitet ’80 të shekullit XX, edhe me titullin e lartë “Piktor i Popullit”. Po ashtu, disa vepra të tij, kryesisht kompozime, sot ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, përveçse në duart e mjaft koleksionistëve sqimatarë të pikturës.
Ndër pikturat më me vlerë të Skënder Kamberit do të veçoja: tablotë kompozicionale “Ndihma e shokut” (1966), “Betimi i Vrana Kontit” (1968), “Kthimi i nëndetseve”, “Buka e duarve tona” (1976), “Në Belvedere në Vjenë sikur pashë Skënderbenë“ (1977), “Otranto, 1997” dhe portretin e luftëtarit Sali Vranishti (1971) dhe të poetes Maro Pasho (1973). Ja vlen të shtojmë se piktori ynë me gjithë moshën e tij, nuk e ka hequr penelin nga dora edhe sot e gjithë ditës.
Me rastin e Ditëlindjes, i uroj nga zemra për së largu: Shëndet të mirë e shumë mbarësi në familje!

ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E FOTOGRAFISË SË ILIR KADISË, SHKREPUR NGA QERIM VRIONI