Qerim Vrioni: Gjergj Leka- simboli i muzikës së bukur

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë muzikantit, Gjergj Leka.

Nga Qerim Vrioni                          

Duhet të ketë qenë fillimi viteve ’80-të kur, në një dasmë familjare, kam takuar përsëpari muzikantin Gjergj Leka (Tiranë 1962). Ai ishte fizarmoniçisti i orkestrës dhe kujtoj se flokët i kishte të shkurtra, ndoshta kryente shërbimin ushtarak. Gjithashtu, mbaj mend mirë se i kërkova që orkestra të luante një pjesë të dashur për mua, dëshirë që e plotësuan menjëherë. Vite më vonë, rreth vitit 2012, u njoha drejtëpërdrejt me të, në saj të letërkëmbimit që kishim me të atin, profesorin e njohur të fizikës, njohësinë e teknologjive të fotografimit dhe shkrimtarin, Kostandin Leka.

Më pas Gjergji kreu studimet në Institutin e Arteve për kompozim dhe nisi të këndonte, të kompozonte dhe të organizonte veprimtari muzikore në kryeqytet, kryesisht për këngën e lehtë. Kështu ai ka kompozuar edhe mjaft këngë të suksesshme, midis tyre, disa me poezi të Ismail Kadaresë, si “Në parkun që mbuluan fletët”, ”Mësueset e fshatit”, “Shoqet që u martuan me mblesëri”. Veçojmë sidomos këngët “Në duartë e Nënës” (1985) dhe “Bashkëmoshatarët” (1987) bashkëpunime mjaft të arrira me poeten e njohur Zhuliana Jorganxhi, të dy fitues të koncerteve “Kur vjen pranvera.”

Ai mund të quhet me termin italian “figlio d’arte”, meqënëse ishte nipi i këngëtarit të njohur të grupit “Lira” të Korçës, Gaqo Jorganxhi dhe djali i këngëtares lirike dhe dirigjentes së parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi.

Dy-tri vitet e fundit Gjergj Leka organizon të shtunave në mbrëmje në televizionin “News24” emisionin shumë të ndjekur muzikor ”Na ishte një herë Muzika”. Në të transmetohen këngë dhe pjesë orkestrale nga vendi dhe bota, të zgjedhura me shije dhe të komentuara prej tij me aftësi profesionale dhe shumë pasion. Gjithsesi, muzikanti dhe qytetari i mirë, Gjergj Leka nuk harron asnjëherë në emision të kritikojë muzikën komerciale (tallava), të cilën e sheh si një kërcënuese të muzikës së mirë e të pastër popullore shqiptare.

Kohët e fundit kantautori Gjergj Leka ka krijuar edhe një CD me 18 këngët më të zgjedhura të tij, titulli i saj është “Muzika e jetës sime”. Ndoshta mos do ishte më mirë që CD-ja të quhej “Muzika është jeta ime “?

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: NJË ANTROPOLOGE E SHQUAR, AFËRDITA ONUZI